Nikaj nuk i zë besë Vorës, sulmuesi Tavani: Nuk luajmë si inferiorë ndaj Burrelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2021 | 11:25

Nikaj nuk i zë besë Vorës, sulmuesi Tavani: Nuk luajmë si inferiorë ndaj Burrelit

Burreli luan për të marrë kreun, ndaj sot as që e ka në plan të falë pikë. Përballë do të kenë Vorën në “Liri Ballabani” dhe skuadra ka marrë masat për të evituar çdo lloj surprize të pakëndshme. Me Dinamon që është pushim, u vjen shansi për të qenë ata në “komandë”. E megjithatë, trajneri Samuel Nikaj mundohet që të evitojë euforinë. në seancën e fundit, ai ka dhënë udhëzimet e fundit për ndeshjen e së dielës.

Nikaj

Kërkon vlerësim maksimal të kundërshtarit dhe këtë e pohon edhe për “Panorama Sport”: “Pauza e kampionatit na ka shërbyer për mirë. Kemi përmirësuar disa tregues, që në dukje nuk ishin aty ku duhej. Sa i përket ndeshjes ndaj Vorës, e kemi marrë më shumë se seriozisht. Pavarësisht pozicionit që ka në tabelë, vlerësimi ynë do të jetë maksimal. Është shumë e rëndësishme të bëjmë të njëjtën lojë përballë çdo ekipi, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë objektivin madhor.

Unë jam i bindur që djemtë do të japin 100% në fushë dhe jam kujdesur që t’ua injektoj që të mos e shohin Vorën si një ekip të dobët. Ata kanë kualitetet e nevojshme, jo më kot mundën Besëlidhjen në ndeshjen e fundit. Megjithatë, jam i bindur që ne do të marrim tri pikë dhe do të mendojmë për ndeshjen e radhës. Çdo takim tani është si finale. Kjo është motoja jonë nga fillimi i kampionatit”, përfundoi Nikaj. Veç stërvitjes teknike, skuadra u udhëzua edhe nga ana teorike. Trajneri u kërkoi të tijve që të dinë të përballojnë një kundërshtar në dukje të dobët.

Vora ka pasur më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur për transfertën me Burrelin, të cilën do ta luajë të dielën në “Liri Ballabani”. Fitorja me Besëlidhjen u ka dhënë zemrës të besuarve të Gerald Çanit, që pretendojnë të marrin pikë edhe nga ky 90- minutësh. I bindur për vazhdimësinë është edhe sulmuesi Zeni Tavani, i cili për gazetën thotë: “Fitorja me Besëlidhjen na solli në normalitet. Jemi ekip që kemi dhuruar ndeshjet më të bukura të Kategorisë së Parë, përtej pikavarazhit, por kjo ka ardhur prej gjykimit. Mua, për shembull, m’u mohua dhe një supergol ndaj lezhjanëve. Megjithatë, rëndësi ka që e nisëm vitin mbarë. Ai 90- minutësh është arkivuar tashmë dhe vëmendjen e kemi përqendruar te Burreli. Edhe pse është një ndeshje e vështirë, ne jemi motivuar. Nuk do të hyjmë në fushë si inferiorë përballë një kundërshtari që pretendon ngjitjen në Superiore. Në Burrel do të tentojmë maksimumin”.

DRITAN KURTI / ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"