Nikaj elozhe Tiranës para finales: Është si Juventusi, për të ardhmen do flas pas…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2018 | 11:01

Nikaj elozhe Tiranës para finales: Është si Juventusi, për të ardhmen do flas pas…

Nëse për shumë skuadra sot vendoset fati i sezonit, Kastrioti në këtë aspekt është i qetë, pasi objektivi është arritur javë më parë, e ndërsa sot do të luhet për statistikë ndaj Egnatias. Në këtë ndeshje të fundit të kampionatit të këtij sezoni, do t’i jepet lamtumira Kategorisë së Parë dhe fokusimi i krutanëve është finalja e së mërkurës ndaj Tiranës. Tekniku Samuel Nikaj e pohon se ka qenë mjaft e vështirë të përqendrohen te ky takim, pasi e gjithë vëmendja është te ndeshja ndaj skuadrës bardheblu.

Samuel Nikaj 2

NIKAJ

“Edhe pse mundohemi të përqendrohemi te ndeshja e radhës, është e pamundur, pasi epiqendra e çdo diskutimi është sfida finale e të mërkurës kundër Tiranës. Megjithatë, edhe me Dinamon dhe Erzenin ishin ndeshje pa rëndësi, por ne luajtëm futboll korrekt, aktivizuam formacione mikse dhe bëmë paraqitje të mira”, deklaroi fillimisht tekniku, i cili foli edhe për finalen ndaj bardhebluve. “Tirana në Shqipëri është si Juventusi në Itali, prandaj shkalla e vështirësisë është e madhe. Megjithatë, unë kam optimizëm maksimal nga lojtarët e eksperiencës që kam në ekipin tim. Janë lojtarë që janë mësuar me finale dhe mendoj që do bëjnë diferencën, plus që kemi edhe një faktor tjetër pozitiv, pasi Tirana e ka presionin e fitores më shumë se ne”, deklaroi trajneri Nikaj në prononcimin e tij për gazetën.

E ARDHMJA

I pyetur për të ardhmen e tij, tekniku u shpreh: “Ende nuk jam ulur për të biseduar me drejtuesit e klubit, pasi ndër objektivat tona është edhe fitimi i titullit kampion të Kupës së Shqipërisë. Sepse nuk fshihemi pas gishtit, e duam edhe atë trofe që e kërkon presidenca, e duam ne si staf dhe më së shumti e duan lojtarët. E dimë që do të jetë një takim i fortë, por ne do të japim maksimumin në fushë për të fituar. Tirana ka në përbërje lojtarë cilësorë, por edhe ne kemi një grup që e njohin shumë mirë lojën e njëritjetrit.

Do të jetë një sfidë e fortë ku kushton çdo gabim. Ajo skuadër që do të gabojë më pak, do arrijë të fitojë titullin”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën, trajneri i Kastriotit, Samuel Nikaj. Në takimin e sotëm ndaj Egnatias, tekniku do të hedhë në fushë ekipin më të mirë, pasi do të jetë një provë gjenerale përpara finales që do të luhet të mërkurën ndaj Tiranës. Takimi i sotëm përballë rrogozhinasve do të zhvillohet në orën 17:00 në Krujë.

LIRIDON PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"