Nigerianët dhe Pepa bëhen çështje te Kastrioti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2019 | 23:54

Nigerianët dhe Pepa bëhen çështje te Kastrioti

Kastrioti ka luajtur 4 ndeshje miqësore në këtë periudhë përgatitjesh për sezonin e ri, ku kuptohet që rëndësi nuk ka pasur rezultati. Krutanët janë ndeshur me kundërshtarë si Turbina, Vushtrria, Burreli dhe së fundmi Iliria. Në këto teste, trajneri Ndreu ka parë gjendjen e të gjithë lojtarëve për të kuptuar se çfarë duhet bërë në vazhdim për të pasur një ekip të kompletuar për të synuar rikthimin në elitë.

kastrioti

Merkatoja është vendimtare dhe për Kastriotin kanë firmosur deri tani mbrojtësit Xhulio Mehmeti dhe Arbër Basha, si dhe mbrojtësi Taulant Sefgjini. Drejtuesit e klubit krutan synojnë të afrojnë edhe lojtarë të tjerë me përvojë, si Realdo Fili dhe Alfred Zefi, ndërkohë që nga grupi i vjetshëm ka pasur edhe largime. Nëse arrihet marrëveshja edhe me dy të fundit, patjetër që Kastrioti do të jetë pretendent serioz në Grupin A. Për momentin, janë dy çështje që duhen zgjidhur, ajo e nigerianëve dhe sulmuesit Pepa.

NIGERIANËT – Stafi teknik i Kastriotit është ende në pritje të dy futbollistëve nigerianë, Ogebugut dhe Lukman Husein, të cilët duhet të ishin bashkuar me ekipin që në fillim të këtij muaji, por kanë pasur probleme me dokumentacionin dhe ende nuk janë kthyer në Shqipëri. Dy nigerianët janë bërë çështje në skuadër, pasi konsiderohen lojtarë të rëndësishëm për krutanët, megjithatë drejtuesit shpresojnë që ata të jenë sa më parë nën urdhrat e trajnerit Ndreu.

PEPA – Një çështje më vete te Kastrioti është Brunild Pepa, i cili me shumë mundësi nuk do të jetë më pjesë e këtij ekipi. Sulmuesi lushnjar ka ditë që mungon në stërvitje dhe nga burime pranë klubit krutan mësohet se pritet të ketë një ndërprerje me konsensus të kontratës.

Megjithatë, për momentin nuk ka asnjë vendim konkret në lidhje me këtë çështje. Pepa ishte një nga afrimet e merkatos së janarit te Kastrioti, por nuk është se mori shumë minuta në gjysmën e dytë të kampionatit. Ai u aktivizua vetëm 148 minuta në 18 ndeshje. Më parë Pepa është aktivizuar me Lushnjën, Teutën, Flamurtarin dhe Vllazninë.

BUJAR BALLIU  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"