Nica me “dorë të hekurt” tek Teuta, Hrkaç në stol dhe paralajmërime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2018 | 19:15

Nica me “dorë të hekurt” tek Teuta, Hrkaç në stol dhe paralajmërime

Barazimi me Lushnjën, që pati shijen e humbjes, është hedhur pas krahëve nga “Djemtë e detit”, të cilët kërkojnë të kthehen te fitorja në Kupën e Shqipërisë. Përballë është Skënderbeu, kundërshtari më i fortë i mundshëm, megjithatë bregdetarët besojnë te potenciali i tyre. Trajneri Stavri Nica kërkon të nxjerrë në pah vlerat e lojtarëve dhe, përveç stërvitjes, ka punuar me futbollistët edhe në aspektin psikologjik. Ai beson te cilësitë e tyre dhe është i bindur se, nëse të gjithë impenjohen maksimalisht, do të zhvillojnë një ndeshje të madhe.

teuta

“Në fushë duhet të tregojmë karakter dhe kjo realizohet duke punuar fort në stërvitje dhe duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Pa sakrifikuar, nuk kemi gjë në vijë, unë kam besim absolut te të gjithë ju, por edhe ju duhet të besoni te vetja dhe shoku. Në fushë do të aktivizohet vetëm ai që e bën ujë në djersë fanellën”, mësohet t’u ketë thënë trajneri futbollistëve. Me 63-vjeçarin nuk ka lojtarë të paprekshëm.

MBROJTËSI – Shembulli i parë është qendërmbrojtësi Ante Hrkaç, i cili pritet të ulet në stol dhe në vend të tij do të aktivizohet Dajan Shehi. 20-vjeçari nga Elbasani prej kohësh pret momentin e tij për të treguar vlerat dhe duket se kundër Skënderbeut vendi i titullarit do t’i besohet pikërisht atij. Në stërvitjen e së hënës, pas një dyluftimi të humbur nga Hrkaç, Nica e largoi nga formacioni titullar duke i dhënë menjëherë fanellën e tij elbasanasit.

Teuta2

Gjithashtu ndryshime pritet të ketë edhe në portë, ku Shpëtim Moçka mund të aktivizohet në vend të Elhan Kastratit mes shtyllave. Stavri Nica kërkon nga skuadra impenjim dhe agresivitet në fushë, atë që bregdetarët nuk e kanë shfaqur deri më tani. 63-vjeçari kërkon të largojë te “djemtë e detit” ndjenjën e inferioritetit, si dhe të shfaqë agresivitetin dhe shpirtin e garës.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"