Ngroh stolin te Partizani/ Melo mesazh të koduar Dajës, braziliani poston foto me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 23:14

Ngroh stolin te Partizani/ Melo mesazh të koduar Dajës, braziliani poston foto me…

Uilliam Kordeiro Melo, braziliani i Partizanit, nuk ka pasur një fillim sezoni ashtu siç e ka menduar. Kjo për shkak se ka vuajtur nga dëmtimi dhe stërvitja e tij, nuk ka qenë në ritmet maksimale.

Melo-Solomon-Partizani-665x640

Trajneri Ilir Daja, njihet për parimin e tij që ai lojtar i cili nuk jep 100% stërvitje dhe nuk është në formë optimale për të luajtur, nuk aktivizohet në ndeshje.

Ky parim i strategut 54-vjeçar, është vënë në zbatim edhe me Melon. Kjo gjë, duket se nuk i pëlqen aspak futbollistit 27-vjeçar, i cili në tri ndeshjet e para të këtij sezoni të Partizanit, ka luajtur vetëm 12 minuta, duke u aktivizuar si zëvendësues në minutën e 78- të në takimin ndaj Kastriotit. Pakënaqësinë e tij, braziliani e ka shfaqur edhe në rrjetet sociale, ku ka publikuar një foto të tij me ishtrajnerin Adolfo Sormani.

Nën drejtimin e strategut italian, Melo bëri ndeshje shumë të mira për “demat”. Në 16 ndeshje që luajti në Superiore nga janari 2020 deri në fund të sezonit të shkuar, mesfushori shënoi 5 gola dhe asistoi një herë për shokët e skuadrës. Gjithashtu, Melo luajti plot 1275 minuta nga 1440 të mundshme.

Në deklaratën pas fitores ndaj Kukësit, tekniku Daja theksoi se të gjithë lojtarët te Partizani janë të lumtur, por duket se Kordeiro Melo, përbën përjashtim. Është e qartë se braziliani nën urdhrat e Sormanit kaloi formën e tij më të mirë te Partizani, ndërsa tashmë, do të ketë “misionin” të gjejë sërish formën e tij, për të bindur trajnerin Daja dhe për të arritur të zërë një vend në formacion.

Melo

Shansi i tij, mund të jetë që në ndeshjen e të enjtes, kundër Apolonisë në Kupën e Shqipërisë. 8 golat e sezonit të shkuar me fanellën e kuqe nuk janë  pak për Melon, i cili ka treguar se mund të luajë në çdo pozicion të fushës dhe në një ekip ku alternativat mungojnë dhe kontingjenti i futbollistëve nuk është ai që do të donin në kampin e kuq, do të ishte një armë shumë e fortë për trajnerin.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"