Ngrihet flamuri i penalltive në Vlorë, FSHF-ja është… Marigoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2017 | 15:22

Ngrihet flamuri i penalltive në Vlorë, FSHF-ja është… Marigoja

GËZIM SINEMATI

 

Gezim SinematiJu kujtohet mbledhja “masone” e Skënderbeut, kokë më kokë gjithë futbollistët dhe trajneri Daja, mu në mes të ndeshjes me Kukësin, me një koreografi të paparë proteste. Sebepi ishte një penallti budallaqe e arbitrit Meta, të cilit i erdhën trutë në pjesën e dytë, kur Skënderbeu fitoi ndeshjen, por “humbi” kujtesën sapo pyetej se cili kishte qenë teksti i rebelimit.

Flamurtari tifozet

Nëse Flamurtari i Vlorës do të imitonte gjestin e tyre, të ndërpriste ndeshjet sa herë që arbitrat e ndëshkojnë me penallti, apo ia mohojnë pa iu dridhur syri, skena kokë më kokë do të bëhej trendy i futbollit. Duket si një fantazi apo lajthitje ngaqë Flamurtarin e rrahin dhe s’duan ta lënë të qajë, madje kur trajneri Duro tregon mëkatin e radhës ndaj tyre, sipër nga zyrat nënqeshin dhe mund të thonë me ironi:

“Prisni, prisni, 4 penallti kundër janë si karamele. Akoma është vetëm fillimi, sepse nuk ju shkon mendja për atë që do të shijoni”. Një lojë e pisët, si në një film, ku viktima është marrë nishan nga snajperët me bilbil dhe pika e bardhë është zgjedhur si vendi i mortjes…

Por, në Vlorë, dhe e dinë pse po ndëshkohen, edhe bëjnë sikur nuk e dinë pse ferri i zi po shfaqet te pika e bardhë. Sa herë që Sinan Idrizi ia pallon “shtetit” fals të futbollit dhe krijuesit të tij, presidentit Duka, në qytet ndizet fantazia përqeshëse.

Thuhet se në Vlorë, ngaqë Superliga është toka pjellore e basteve, vihen baste për mënyrën e dënimit, vihen baste se sa penallti do të jepen kundër Flamurtarit në javët në vazhdim, apo kuotimi mbresëlënës se djemtë e Duros, deri në fund të kampionatit, s’do të kenë shansin të gjuajnë një top nga 11 metra.

Ka edhe nga ata që parashikojnë se po afron momenti kur Flamurtari do ta fillojë ndeshjen te pika e bardhë, por jo ajo e mesit të fushës, por tek ajo e flamosura, ku Flamurtari vuan, kurse shefave u vjen orgazma… Nuk do ta dëshironim, por qenka edhe një bast i pamoralshëm, sikur shefi rebel vlonjat, pasi të lodhet me akuza, do të ndryshojë kursin dhe, pastaj, në Vlorë do të ngrihet “flamuri” i penalltive në favor të tyre…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"