Ngo-Shkurtaj, dita e gjigantëve. “Skaneri” i Memellit: Ja avantazhet dhe dobësitë e dy sulmuesve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 14:30


Ngo-Shkurtaj, dita e gjigantëve. “Skaneri” i Memellit: Ja avantazhet dhe dobësitë e dy sulmuesve (E PLOTË)

Tirana-Kukësi do të jetë sot edhe një duel gjigantësh. Majkëll Ngo (198 cm i gjatë) mbetet një pikë referimi për Tiranën, ndonëse ende nuk ka treguar më të mirën e tij këtë sezon dhe në 13 ndeshje ka shënuar vetëm 4 gola në kampionat. Nga ana tjetër, Kukësi i ka sytë nga Vasil Shkurtaj. 

ngo-shkurtaj

Vlonjati 190 cm i gjatë është i dyti në listën e golashënuesve të sezonit me 7 të tillë. Por, përveç kësaj, duket se Tirana është një nga pretë e tij të preferuara: në tri ndeshjet e fundit i ka shënuar 4 gola. Më 20 prill të këtij viti Kukësi mundi Tiranën në kryeqytet me rezultatin 0-3 dhe Shkurtaj bëri dopietë. Më 2 qershor të këtij viti, Kukësi mundi me rezultatin 2-1 Tiranën në finalen e Kupës dhe 27-vjeçari shënoi golin e parë.

Shkurtaj

Më 21 shtator, në javën e pestë të kampionatit, verilindorët mundën në “Elbasan Arena” Tiranën me rezultatin 2-1, ku Shkurtaj shënoi golin e dytë të Kukësit. E thënë thjesht, mbrojtja bardheblu është e paralajmëruar… Nga ana tjetër, Ngo nuk i ka shënuar asnjëherë Kukësit në kampionat, por e ka gjetur rrugën e rrjetës kundër verilindorëve vetëm në Kupë.

Bëhet fjalë për golin që shënoi në finale më 2 qershor të këtij viti, teksa barazoi shifrat në minutën e 64-t, pas golit të Shkurtajt në minutën e katërt. E megjithatë, në fund triumfoi Kukësi, pasi Rexhinaldo shënoi golin e fitores në minutën e 78-të.

pejic

 

APELI I PEJIÇIT… 

Pero Pejiç, ish-bomberi që i ka veshur të dyja fanellat, ishte shumë i sinqertë në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pak ditë më parë. Kroati deklaroi se për t’i fituar ndeshjet duhen gola dhe sulmuesit nuk mund të bëjnë mrekulli për të shënuar të vetëm. Ata duhet të ndihmohen. Po sot, si është situata e dy “gjigantëve” të Superiores? Është e vështirë të gjesh një qendërsulmues tjetër “të paanshëm” që të analizojë të dy lojtarët. Gazeta kërkoi mendimin e Migen Memellit, që, për hir të së vërtetës, ka veshur fanellën e Tiranës dhe jo atë të Kukësit. Ish-sulmuesi i shquar, megjithatë, tregohet profesionist edhe në këtë pikë, duke u zhveshur nga e kaluara bardheblu.

memelli

SKANERI I MEMELLIT… 

Pogradecari që fitoi për herë të fundit titullin me Tiranën bën një skaner të detajuar të dy lojtarëve, duke nxjerrë në pah avantazhet dhe mangësitë e dy tyre.

ngo

Avantazhet e Ngosë 

“Majkëll Ngo është një lojtar shumë i fortë. Ai është vështirësisht i markueshëm kur e ka topin në këmbë. Për shkak të fizikut të tij, por edhe prej një teknike mbi mesataren për gjatësinë që ka, Ngo arrin ta mbrojë më mirë topin. Shërben mirë edhe nga thellësitë, pasi shpesh edhe tërhiqet. Ngo gjithashtu spostohet më me lehtësi nga krahët dhe shpeshherë ofron pasime të çmuara. Kjo e ndihmon skuadrën, sepse krijon hapësira dhe fiton terren”, deklaron Memelli.

Shkurtaj

Avantazhet e Shkurtajt 

“Vasili e njeh më mirë portën. Nëse i krijohen hapësira, në 8 gjuajtje, 4 apo 5 i ka gol. Shkurtaj është më efikas edhe me kokë, pavarësisht se Ngo është më i gjatë (8 cm) se vlonjati. Pra, sulmuesi i Kukësit ka një koordinim më të mirë para portës, me këmbë dhe me kokë”, thotë Memelli.

Disavantazhet e Ngosë

“Ngo ka shpeshherë probleme me koordinimin. Nëse Shkurtaj i kalibron mirë gjuajtjet nga çdo pozicion, madje hera-herës gjuan lehtë, por saktë, për Majkëllin nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Anglezi në 10 raste të krijuara shënon dy, për shkak të koordinimit jo të mirë ose për shkak se nxitohet duke preferuar të gjuajë fort në shumicën e rasteve. Edhe efikasitetin me kokë nuk e ka ndër më të mirët, pavarësisht se është shumë i gjatë”, shpjegon ish-bomberi i bardhebluve.

Disavantazhet e Shkurtajt 

“Vasili është i zoti për të gjetur kuadratin, por ka vështirësi kur është me shpinë nga porta. Ndonjëherë lipset më shumë qëndrueshmëri, me qëllim që, duke mbrojtur topin në situata të pavolitshme për të gjuajtur, arrin të ndihmosh skuadrën të spostohet më shpejt përpara. Mendoj se Shkurtaj duhet ta përmirësojë këtë aspekt, pasi i shërben më mirë ekipit”, përfundoi Memelli.

OLSI AVDIJAJ




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com