“Ngjitja nuk diskutohet”, një pukjan garanton Dinamon, Marku: Atje të duartrokasin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 23:10

“Ngjitja nuk diskutohet”, një pukjan garanton Dinamon, Marku: Atje të duartrokasin

Tërbuni është kundë rshtari i fundit për blutë në 2022-shin dhe për gjendjen dhe objektivat që kanë, atë synojnë vetëm fitoren në transfertën e nesërme. Për këtë ndeshje flet për “Panorama Sport” sulmuesi pukjan i Dinamos, Taulant Marku, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me 9 gola.

taulant marku

Një kontribut jo i vogël për kreun e renditjes nga ana e kryeqytetasve. Marku garanton Dinamon se në Pukë do të gjejë një ambient shumë miqësor, ku kundërshtari duartrokitet për vlerat që tregon në fushë. Sulmuesi 28-vjeçar shpreson që edhe blutë të marrin duartrokitje në stadiumin ku ai ka kaluar disa sezone shumë të mira, që kanë kulmuar me ngjitjen për herë të parë në histori në elitën e futbollit shqiptar. Taulant Marku ka një mesazh për rivalët për kreun dhe për garën e “Këpucës së Artë”, që nuk e fsheh se dëshiron ta fitojë.

PUKA – Për ndeshjen e nesërme, futbollisti pukjan pohon se Dinamo ka mundësinë të luajë futbollin e saj pa asnjë lloj problemi. “Është një ndeshje e veçantë për mua, pasi luaj kundër qytetit tim. Nuk është hera e parë që luaj si kundërshtar dhe gjithmonë tifozëria e mrekullueshme e atij qyteti më ka respektuar pafund. Atje është shtëpia ime.

Në Pukë çdo ekip luan futbollin e tij, është një ambient miqësor për të gjithë, shumë mikpritës. Atje edhe kundërshtari duartrokitet, gjë që shikohet rrallë në stadiumet shqiptare. Në memorien time mbetet gjithmonë ngjitja në Superiore për herë të parë në historinë e Tërbunit. Unë isha shumë i ri, arrita të shënoj 8 gola dhe ta ndihmoja skuadrën të arrinte një objektiv që dukej i paimagjinueshëm në fillim”, thotë fillimisht sulmuesi dinamovit për “Panorama Sport”.

KREU – Për rikthimin në krye të tabelës së klasifikimit, Marku nuk kishte asnjë dyshim. Ai jep edhe një mesazh të qartë për rivalët, kur thotë se skuadra blu është më lart se të gjithë: “Dinamo ka qenë gjatë gjithë sezonit në vend të parë.

Ne kishim vetëm dy javë jo të mira, që na kushtuan përkohësisht zbritjen nga vendi i parë. Ishim shumë të pafat me dëmtimet, por arritëm ta kalojmë atë ngërç dhe tani jemi të vetëm në vendin e parë. Rivalët tanë gjithashtu janë shumë të fortë, por mendoj se Dinamo është më lart në çdo drejtim nga ekipet e tjera”.

GOLAT – Në fund foli edhe për golat me blutë këtë sezon. “Është një garë e bukur për ‘Këpucën e Artë’, që gjithmonë ndoshta të jep edhe një shtysë më shumë për të shënuar. Për mua është më e rëndësishme të fitojë skuadra. Sigurisht, dua ta fitoj edhe ‘Kepucën e Artë’, por shpresoj që gara të mos prishet si gjatë sezonit të kaluar”, – përfundoi sulmuesi kryesor i Dinamos, Taulant Marku.

FATJON RUPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"