Ngjitja në Superiore, krutanët gati punimet për stadiumin. Ja ku do të ndërhyhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2018 | 18:15

Ngjitja në Superiore, krutanët gati punimet për stadiumin. Ja ku do të ndërhyhet

I lumtur për rikthimin e Kastriotit në elitën e futbollit shqiptar është edhe mbrojtësi me eksperiencë i krutanëve, Rigers Hoxha, i cili këtë sezon ka qenë titullar absolut thuajse në çdo takim. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Hoxha flet për vështirësitë e kaluara, por edhe sukseset e arritura duke i bërë një përmbledhje sezonit. “Ka qenë një sezon mjaft i mirë, ku nuk kanë munguar edhe takimet e vështira.

kastrioti-e1523724542282

Shpalosja e objektivave që herët dhe arritja e disa fitoreve radhazi bënë që skuadrat e tjera ndaj nesh të motivoheshin më shumë dhe në përballjet me ne mbylleshin në mbrojtje, si e si për të na ndaluar.

Mirëpo, drejtuesit kishin ndërtuar një skuadër me elementë cilësorë që e kaluan me sukses çdo pengesë dhe arritëm në pikën që jemi sot, që e kemi siguruar ngjitjen në elitë disa javë përpara fundit. Uroj që edhe në ndeshjet e mbetura të luajmë mjaft mirë, pavarësisht se do të luhen thjesht për të respektuar garën, pasi çdo gjë është mbyllur.

kastrioti-korabi-470x351

Megjithatë, kemi një finale me Tiranën, e cila do të tregojë edhe forcën e vërtetë të skuadrës sonë”, tha fillimisht Hoxha, i cili pyetjes për se si e parashikon Kastriotin sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore, iu përgjigj: “Uroj që të kemi një projekt ambicioz, ku të ruhet bërthama dhe të bëhen afrime cilësore, në mënyrë që të jemi një ‘Luftëtar i dytë'”, deklaroi mbrojtësi.

PUNIMET – Në Krujë kanë përveshur mëngët dhe pritet që të fillojnë punën, pasi nga dita e hënë pritet që të nisin punimet në stadium, ku fillimisht do të fillojë mbjellja e barit dhe më pas do të nisë edhe zbatimi i projektit ku parashikohet zgjerimi dhe rikonstruksioni i plotë i tribunës qendrore, dhomave të zhveshjes, sektorit të medias, si edhe shkallët e impiantit, në të cilat do të vendosen stolat.

Kastrioti-Dinamo2

Inspektorët kanë qenë dy ditë më parë në stadium dhe është vendosur që e hëna të jetë dita e nisjes së punës, pasi ngjitja në Kategorinë Superiore, përveç një skuadre të fortë, kërkon edhe infrastrukturë të përmirësuar.

LIRIDON PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"