Ngjitja në Superiore dhe triumfi në finale, shikoni 3 pikat kyçe që sollën suksesin te Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2020 | 21:13

Ngjitja në Superiore dhe triumfi në finale, shikoni 3 pikat kyçe që sollën suksesin te Apolonia

Pas 5 sezonesh pritje, Apolonia i rikthehet Superiores si kampione e Kategorisë së Parë, pasi mposhti 2-1 Kastriotin në finale. Një triumf total i skuadrës së Mërgjyshit, i kurorëzuar me trofeun e rëndësishëm dhe shampanjën e titullit. Nuk është rastësi ky sukses, i arritur pas 5 edicionesh me ulje-ngritje që kanë shkaktuar pakënaqësi deri në braktisje të skuadrës nga tifozët. Një pjesë e mirë e tyre u revoltuan dhe akuzuan krerët e klubit për politika të gabuara, por ky sezon ishte finalizimi i projektit 5-vjeçar dhe arritjet janë evidente: të gjitha skuadrat e klubit kampione ose nënkampione. Cilat janë disa nga pikat kyçe të suksesit të Apolonisë?Apolonia-Besa

TRAJNERI – Rikthimi i Artan Mërgjyshit ishte një lëvizje e mençur e drejtuesve dhe mund të quhet “hallka” kryesore e suksesit. Ishte ky trajner që e drejtoi për herë të fundit Apoloninë në Superiore, ia njihte “huqet” skuadrës. Dhe trajneri modest i dëshmoi vlerat e tij në trajning, duke fituar bastin e kampionatit me një ekip të ri në moshë, me elementë të ardhur kryesisht nga akademia.

MBI 8 MUAJ PA HUMBJE – Një skuadër me lojtarë të rinj pa dyshim do ta kishte të vështirë të krijonte një profil të qëndrueshëm pretendenti. E nisi me luhatje, një skuadër jo shumë bindëse, sidomos përballë rivaleve, por pika e kthesës mund të quhet 14 dhjetori i 2019-ës, java e 11-të, që përkon me humbjen e fundit në kampionat të Apolonisë, 2-1 në “Roza Haxhiu”. Prej asaj kohe, në 14 ndeshjet e tjera, duke llogaritur dhe finalen me Kastriotin, fierakët kanë një bilanc jashtëzakonisht pozitiv, 10 fitore dhe 4 barazime, me golavarazhin 36-18. Për t’u veçuar është edhe epërsia që ata kanë në ndeshjet jashtë fushe: 7 fitore, 3 barazime, 2 humbje, me golavarazhin 18-12, duke siguruar 24 pikë nga 51 që grumbulloi në total skuadra.Apolonia-Kukesi 1-2

SULMI – Një tjetër pikë e fortë e Apolonisë është loja sulmuese. Fierakët kanë shënuar 55 gola në 24 ndeshje, me mesataren 2.29 gola për ndeshje. Vija e parë është mbështetur te dyshja Gjata-Mihana, përkatësisht 20 dhe 21 vjeç, dueti më i mirë i Kategorisë së Parë, pasi së bashku realizuan 25 gola. Mario Gjata është dhe “Këpuca e Artë” e kompeticionit, me 16 gola, ndërsa Mihana ka realizuar 8 gola në kampionat dhe golin më të rëndësishëm në finalen me Kastriotin.

Statistikat e dy talenteve me fanellën e Apolonisë janë mbresëlënëse: Gjata, 50 ndeshje dhe 20 gola, ndërsa Mihana 23 gola në 57 prezenca. Të dy janë në fokusin e skuadrave të tjera elitare, por fierakët nuk i lëshojnë aq lehtë. Tashmë skuadra është ende nën adrenalinën e titullit kampion të Kategorisë së Parë, ndërsa trajneri Mërgjyshi dhe drejtuesit e klubit kanë filluar punën për emrat që i duhen një Apolonie dinjitoze në Superiore.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"