“Ngjeshja dhe moti po na shpenzojnë shumë energji”, Aleksi: Teuta po bind, erdhi koha të eliminojmë Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 21:08

“Ngjeshja dhe moti po na shpenzojnë shumë energji”, Aleksi: Teuta po bind, erdhi koha të eliminojmë Kukësin

Pasi morën vendin e tretë, në Durrës nuk kanë më në plan që ta dorëzojnë. I këtij mendimi është edhe Albano Aleksi, një nga protagonistet e asaj fitoreje në Shkodër. Mesfushori e quan më shumë se të merituar atë trepikësh, e megjithatë paralajmëron se “lufta” e vërtetë fillon tani. Pjesëmarrja në Kupat e Europës mbetet objektivi kryesor për “djemtë e detit”, por 27- vjeçari thekson se skuadra ka potencialin për të marrë edhe një trofe. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai zbulon sekretet e kësaj ecurie, ndërsa ankohet se ngjeshja dhe temperaturat e larta po u shpenzojnë shumë energji.albano aleksi

Pas 31 javësh, Albano Aleksi gjen më në fund të parin gol me fanellën e Teutës…

Jam i lumtur. Në fakt penalltinë e kërkova vetë dhe çunat më lejuan që ta godisja. E ndjeva që do të shënoja dhe kështu ndodhi. Meqenëse ishte edhe goli i parë, do të doja t’ia dedikoj familjes sime dhe gjithë ekipit. Fitorja me Vllazninë ishte më shumë se e merituar dhe për fat shënova edhe unë një gol pas 31 javësh.

Teuta po ngjitet si me “ashensor”, pas 3 fitoresh radhazi. Çfarë ka ndryshuar te ky ekip?

Më pëlqen shumë ky ekip, po më bind gjithnjë e më shumë. Fitorja e fundit na jep shpresë. Jo vetëm që na mban në ritëm, por na jep mundësinë që të jemi brenda objektivave. Çdo ndeshje po bëhet gjithnjë më e vështirë në metrat e fundit të këtij sezoni dhe kështu ngjau me Vllazninë. Në pjesën e parë ishim të qartë dhe dominuan, megjithatë vetëm pas golit të parë u çliruam. Kundërshtari na hapi punë, pasi qëndronte prapa.

Çfarë duhet të bëni në këto 5 javë që kanë mbetur?

Të kemi vazhdimësi dhe është shumë e rëndësishme që ndeshjet që luajmë në shtëpi të mos i vendosim në diskutim fitoret. Ky është problem i madh, sepse ne jemi të dënuar për të marrë maksimumin gjithnjë.

Duket se Teuta sulmon më shumë në 45 minutat e dyta të lojës, pse ndodh kjo?

Nuk pajtohem tërësisht. Mos harroni se kur luajmë futboll, nuk luajmë vetëm dhe mbi të gjitha kundërshtarët në 45 minutat e para mundohen të japin gjithçka. Po ta shikoni edhe me Vllazninë kështu ndodhi, paçka se prodhuam raste me bollëk në pjesën e parë. Nuk mendoj se është çështje produkti, por meritë e ekipeve që kemi përballë.aleksi

Kohë për pushim s’ka, pasi të enjten përballeni me Kukësin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. A e keni potencialin për ta kaluar këtë kundërshtar?

Teuta e ka potencialin për të ecur përpara, por duhet të kemi shumë kujdes. Do të punojmë shumë në këto ditë për të ndryshuar disa gjëra dhe që të jemi akoma më shumë agresivë. Për Kukësin duhet të fillojmë të mendojmë që sot (dje), pse jo, të arrijmë t’i fitojmë dhe t’ia bëjmë vetes më të lehtë në ndeshjen e kthimit. Kupa është një trofe që të gjithë e duam.

Sa ju favorizon fakti që e luani në transfertë të parën ndeshje?

Mendoj se do të jetë një takim i hapur, jemi në një fazë që nuk ka më dallim nëse luan brenda apo jashtë. Në fund të fundit, nuk ka tifozë. Të enjten do të zbresim në fushë me idenë e qartë për të bërë lojën tonë dhe marrë një rezultat pozitiv, që do të na jepte shanse kualifikimi. Ne do të hidhemi në sulm për të gjetur golin, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje. Të mos e harrojmë se Kukësi ka shumë cilësi.

Ngjeshja dhe temperaturat, po ndikojnë negativisht?

Kemi shpenzuar shumë energji, kemi luajtur tri ndeshje për 3-4 ditë. Janë vetëm tri ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës. Nuk do të jetë e lehtë, por shpresoj që ndeshjet të zhvillohen në orën 20:00. Është orar më i përshtatshëm për ne lojtarët.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"