NGJARJET E SË PARËS/ Risi me sigurinë në stadiume, “luftë” e garantuar në grupin B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 19:14

NGJARJET E SË PARËS/ Risi me sigurinë në stadiume, “luftë” e garantuar në grupin B

Për herë të parë në vitet e fundit, kampionati i Kategorisë së Parë ka nisur në kohë duke mos u shtyrë asnjë ditë. Me një super rivalitet në Grupin B, ndryshime për sa i përket sigurisë në stadiume dhe spektakël i garantuar në pjesën më të madhe të takimeve të paktën në dy fazat e para, kampionati ka ngritur siparin me sfidën që Vllaznia ka luajtur në fushën e vet përballë Korabit. Për herë të parë, siguria në stadiumet e Kategorisë së Parë, ashtu si edhe në Superiore, do të garantohet nga policia private.

vllaznia

Policia e Shtetit nuk do të hyjë më në stadiume për të garantuar sigurinë. Thuajse të gjitha klubet që militojnë në Kategorinë e Parë janë pronë e bashkive dhe duket se institucionet vendore kanë gjetur zgjidhjen për sa i përket kësaj çështjeje. Në takimet e javës së parë, në pjesën më të madhe të ndeshjeve, e pranishme në stadium ishte Policia Bashkiake. Një zgjidhje e klubeve që janë pronë e bashkive duke kursyer në këtë mënyrë shuma të konsiderueshme që duhet të shpenzohen gjatë një sezoni të tërë.

Vllaznia e ka nisur kampionatin me fitore. Ndaj Korabit vuajtën disi me dibranët që barazojnë në pjesën e dytë, por kjo zgjat vetëm pak minuta. Është braziliani Xhunior që shpëton shkodranët dhe shënon golin e fitores. Në Lezhë, Besëlidhja vuan shumë përballë Burrelit, por ia del në shtesë që të sigurojë 3-pikëshin e parë. Në këtë takim heroin e bën sulmuesi Armand Pasha që realizon dopietë. Nga ana tjetër, matjanët tentojnë me të gjitha mënyrat për të mos humbur në këtë takim.

Capture

Dhe golin e vetëm dhe të barazimit të përkohshëm e shënojnë duke mos respektuar “fair play”-n. Diçka e rrallë në stadiumet shqiptare. Erzeni e nis mirë në fushën e vet duke mundur Ilirinë, ndërsa Dinamo, që këtë sezon ka hyrë në garë me synime për të qenë pretendente, ka mundur Veleçikun 1-0. Shënkolli mbetet sërish skuadra që nuk fal në fushën e vet. Përballë Vorës, lezhjanët kanë fituar 1-0. Në Grupin B pritet një luftë e hapur pasi janë shumë ekipe në garë që pretendojnë vendin e parë. Kampionati nis me një “derbi” si TomoriLushnja. Tifozët në stadium dhurojnë spektakël, ndërsa përballja në fushë është e ashpër.

Në fund ka një barazim 1-1, ndërsa lushnjarët akuzojnë gjykimin. Apolonia është skuadra e vetme pretendente që fiton në transfertë duke mundur Turbinën në Cërrik me rezultatin 1-0. Hidersha shënon për fierakët, ndërsa skuadra tregon se do të jetë një prej pretendenteve serioze për t’u ngjitur. Egnatia, që ka qenë skuadra më aktive gjatë merkatos së verës, ka mundur një rival shumë të fortë si Bylis. Amarildo Dimo ndëshkon ish-skuadrën dhe u jep 3-pikëshin e parë rrogozhinasve.

Capture1

Orikumi merr fitoren histori në ndeshjen e parë në Kategorinë e Parë. Përballë Elbasanit, bregdetarët fitojnë lehtësisht 2-0. Pogradeci shfryn Besën në ndeshjen e parë që luhet në Pogradec. Kavajasit janë një prej ekipeve pretendente të këtij grupi, por u mundën në ndeshjen ndaj liqenorëve. Në Grupin B parashikohet një luftë e hapur, ndërsa klubet kanë shpenzuar shumë për ndërtimin e ekipeve. Për herë të parë në Kategorinë e Parë gjatë sezoneve të fundit nuk ka një ekip më të favorizuar apo që të bëjë diferencën me skuadrat e tjera.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"