Ngjarjet e së Parës/ Pretendentët ndezin garën, akuza arbitrave që në fillim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 15:41

Ngjarjet e së Parës/ Pretendentët ndezin garën, akuza arbitrave që në fillim

Nëse dikush nuk do ta dinte që kundërshtari i Tiranës në ndeshjen e së shtunës së kaluar ishte Iliria, sigurisht që në fund do të vendoste bast se ajo ishte një prej ndeshjeve më të bukura të… Superiores. Mirë se vini në Kategorinë e Parë, ku një prej tifogrupeve më të vjetra dhe spektakolare në Shqipëri, “Tirona Fanatics” kanë vendosur të lënë gjurmët e tyre edhe në këtë ligë.

tirana iliria

Kampionati që nisi të shtunën, të paktën për një vit do të ketë brenda edhe spektaklin e atyre mijëra tifozëve super të organizuar që krijojnë atmosferë dhe dinë të të mbajnë “zgjuar” edhe në një ndeshje ku mund të “marrësh një sy gjumë”. Të rikthyer pas disa muajsh mungesë, ata mbështetën skuadrën në sfidën e parë në Kategorinë e Parë, ku synimi i klubit është më se i qartë, rikthimi në elitë.

Në fushë, skuadra krijon volum dhe dominon ndaj një rivali që u mundua të surprizonte në kryeqytet. Por, afër fundit është një afrikan që zgjidh situatën. Në fund, janë tri pikët ato që vlejnë. Megjithatë, nëse dikush mendoj se Tirana do ta ketë autostradë, tani me siguri që ka vendosur të ndryshojë mendje.

Bylisi, që është një prej pretendentëve seriozë në Grupin B, fiton në një transfertë të vështirë në Peqin. Skuadra vuan disi, por në fund ia del të shënojë dy gola dhe të marrë pikët e para. Edhe pse është vetëm java e parë, akuzat ndaj gjyqtarëve janë të forta dhe të shumta. Trajneri i peqinasve Sokol Branica akuzoi gjyqtarët për favorizimin të ballshiotëve. “Nuk kishte kamera dhe ata bënë kërdinë”, tha tekniku i Shkumbinit.

Apolonia e nis mirë në fushën e vet ndaj Shënkollit. Fierakët i falen sulmuesit kryesor Krasniqi, që realizon dopietë, ndërsa lezhjanët që ishin surprizë në sezonin e kaluar, tashmë do të duhet të përballojnë një realitet të ri në Grupin e Jugut. Tomori e nis jo në mënyrën e duhur këtë sezon ku ka bërë të ditur se do të luftojë për vendet e para. Beratasit janë ndalur në një barazim 1-1 në Kuçovë me Pogradecin. Por, në Berat janë të bindur se liqenorët janë favorizuar nga arbitri në atë takim.

Turbina e nis në mënyrën e duhur duke mundur Naftëtarin 3-1 në sfidën e luajtur në Cërrik.

Në Grupin B pritet një “luftë” e fortë për vendin e parë që të dërgon në Superiore. Kastrioti i ka shprehur hapur synimet dhe e nisi mirë me një fitore në Burrel. Kabiru dhe Marku bëjnë detyrën si sulmues duke u dhënë tri pikët e para krutanëve.

Besa ringjallet pas pesë vitesh në “koma”. Në skuadër është rikthyer presidenti Nexhat Bizhdili, që do të investojë së bashku me Bashkinë e Kavajës. Disa lojtarë të rëndësishëm të rikthyer në ekip japin garanci se kjo skuadër do të jetë një kockë e fortë. Në sfidën e parë ndaj Dinamos, kavajasit nuk hasin vështirësi dhe fitojnë 2- 0. Mihani dhe Dervishi vulosin suksesin e verdhezinjve përballë të rinjve dinamovitë.

Besëlidhja e nis keq këtë sezon ku ndalet në fushën e vet nga Tërbuni. Lezhjanët duket se kanë sërish problemet e vjetshme. Erzeni “shfryn” Korabin duke e shkatërruar 4-1 në ndeshjen e luajtur në Shijak. Ekipi i drejtuar nga Dorian Bubeqi është në superformë dhe tregon se do të jetë surprizë e këtij vit. Egnatia e feston në mënyrën më të mirë rikthimin në të Parën duke mundur Vllazninë B 1-0. Sulmuesi Vangjel Mile është heroi që vendos suksesin e rrogozhinasve.

formacioni me i mire

formacioni me i dobet

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"