NGJARJET E SË PARËS/ Kriza e të mëdhave, FSHF boshatis stadiumet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 21:22

NGJARJET E SË PARËS/ Kriza e të mëdhave, FSHF boshatis stadiumet

Për herë të parë që prej aplikimit të formulës së re të kampionatit të Kategorisë së Parë, në Grupin B janë tetë skuadra që synojnë vendin e parë që të dërgon në Superiore. Çdo javë ka tri përballje mes ekipeve rivale që prodhojnë ndeshje shumë të forta dhe të paparashikueshme. Pas tetë javëve të para, Besa është në krye të Grupit B. Kavajasit kanë fituar minimalisht 1-0 ndaj Lushnjës me golin e të riut Tedi Cara në minutat e fundit. Kavajasit po tregojnë rritje nga java në javë, ndërsa angazhimi i futbollistëve, stafit dhe presidencës është maksimal.

bylis

Por, një prej supersfidave të fundjavës së kaluar u luajt pa tifozë, pasi stadiumi i Besës është i dënuar me tri ndeshje. Ndërsa, Lushnja do të duhet të luajë katër takime pa mbështetjen e tifozëve. Në një moment kur stadiumet po boshatisen nga java në javë, tashmë vijnë edhe dënimet nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së që e rëndojnë së tepërmi situatën.

Dënimet po ndikojnë negativisht duke e dëmtuar shumë garën. Bylis nuk po di të ndalet. Skuadra ballshiote e ka kaluar tashmë momentin e vet të vështirë të javëve të para dhe të shtunën regjistroi fitoren e 4-t radhazi. Në një transfertë shumë të vështirë në Berat ndaj Tomorit, Bylis arrin të fitojë 2-1 me golat e Kofi dhe Liçkollarit. Lushnja mbetet sërish në krizë ku, pas tetë javëve të para, ka marrë vetëm një fitore. Edhe Apolonia që e nisi kampionatin me shumë bujë nuk po arrin të dalë nga ngërçi i rezultateve.

Capture

Fierakët nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në transfertën e Orikumit përballë skuadrës vendëse që këtë sezon po surprizon me paraqitjen e saj. Pogradeci rikthehet te fitorja pas humbjes së një jave më parë në Ballsh. Liqenorët shfryjnë ndaj Elbasanit duke e mundur 4-1, me verdheblutë që mbeten në vendin e fundit dhe rrezikojnë seriozisht rënien në të Dytën. Egnatia ka gjetur fitoren pas dy humbjesh. Përballë Turbinës, rrogozhinasit fitojnë 2-1 me golin e dytë që e shënojnë në minutën e gjashtë shtesë.

Në Grupin A, Vllaznia rikthehet te fitorja pas barazimit të një jave më parë me Shënkollin. Përballë Vorës së vendit të fundit, shkodranët nuk e kanë aspak të vështirë duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-1. Një sfidë e dominuar nga kuqeblutë që shkëputen në +7 pikë nga ndjekësit më të afërt, Erzeni dhe Besëlidhja. Shijakasit shkatërrojnë Shënkollin me rezultatin 5-0 duke mos treguar aspak mëshirë, ndërsa lezhjanët kanë siguruar fitoren e tretë radhazi pasi kanë mundur Ilirinë me rezultatin minimal 1-0.

Capture1

Dinamo është surprizuar në shtëpi duke u mundur me rezultatin 2-0 nga Korabi. Në takimin e luajtur në Pezë, blutë kanë hedhur një hap të gabuar në luftën për vendin e parë. Tashmë janë larguar edhe më shumë nga Vllaznia e vendit të para dhe gjithçka vështirësohet edhe më tepër për Dinamon. Veleçiku po shkëlqen në këtë kampionat ku mungonte prej katër vitesh.

Koplikasit kanë arritur të dielën fitoren e 4-t në po kaq takime që kanë zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” në Shkodër. Në sfidën e radhës ndaj Burrelit, Veleçiku fiton 1-0 dhe ngjitet në vendin 5-të në klasifikim duke qenë më të sigurt. Ndërsa, matjanët duket se edhe këtë sezon do të luftojnë deri në fund për mbijetesën.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"