NGJARJET E SË PARËS/ Kastrioti certifikohet në elitë, goleada që s’shihen as në ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 23:07

NGJARJET E SË PARËS/ Kastrioti certifikohet në elitë, goleada që s’shihen as në ëndërr

Fundjava që shkoi, në Kategorinë e Parë solli zyrtarizimin e Kastriotit në Superiore. Me barazimin 2-2 në fushën e Erzenit, krutanët e drejtuar nga trajneri Ramazan Ndeu janë kthyer në elitën e futbollit shqiptar vetëm pas një sezoni në Kategorinë e Parë, ku janë shfaqur një skuadër mjaft racionale dhe e kanë administruar garën me shumë qetësi. Kastrioti arriti të bënte diferencën në Grupin A nga fillimi deri në fund, duke e lënë Besëlidhjen rivale shumë prapa me pikë. Javët e mbetura pritet që trajneri Ndreu t’u japë më shumë minuta elementëve të rinj.KASTRIOTI

SHKËPUTET APOLONIA – Në Grupin B është Apolonia skuadra që po marshon drejt Superiores e sigurt, teksa me 3 fitore radhazi është shkëputur me 5 pikë ndaj vendit të dytë, që tashmë mbahet nga Lushnja. Kjo e bën edhe më të ndezur derbin e kësaj jave, që do të zhvillohet në stadiumin “Roza Haxhiu”. E pabesueshme duket rrëshqitja e Pogradecit, që me tri humbje radhazi në periudhën postpandemi, nga kryesues i grupit, e sheh veten jashtë objektivit, në vend të tretë, por matematika e lejon të shpresojë ende, të paktën për të shkuar në ndeshjet shtesë me anë të vendit të dytë. Besa është shpërfytyruar në Fier, duke pësuar plot 8 gola. Asgjë nuk e justifikon këtë paraqitje të dobët të kavajasve, edhe pse ata kanë luajtur me shumë lojtarë të rinj javët e fundit.APOLONIA BESA

GOLEADAT E DYSHIMTA – Ajo që bie në sy në këto javë të Kategorisë së Parë, sidomos në këtë të fundit, është numri i lartë i golave të shënuar. Plot 13 gola u shënuan vetëm në Fier nga Apolonia dhe Besa, që dukej sikur luanin pa portierë dhe pa mbrojtës, ose këta të fundit ishin shumë bujarë, po shumë bujarë, me sulmuesit.

Një rezultat që e prish disi imazhin e këtyre skuadrave. Pesë gola shënoi Elbasani, një ekip që më parë shënonte me pikatore, ndaj Shënkollit të rënë nga kategoria. Edhe Turbina regjistroi një “poker” golash në portën e Ilirisë. Pesë gola u shënuan në Lushnjë, ku ekipi vendës mundi 3-2 Pogradecin. Po ashtu, nga 4 gola u shënuan në sfidat Besëlidhja-Korabi, 2-2, dhe Erzeni-Kastrioti, po 2-2. Megjithatë, këto rezultate janë normale, aq më tepër në raport me rezultatet që përmendëm më lart.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"