Ngjarjet e së Parës/ Kastrioti bën gati shampanjën, një penallti mban peng Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2018 | 19:21

Ngjarjet e së Parës/ Kastrioti bën gati shampanjën, një penallti mban peng Tiranën

Në fillim të këtij sezoni, duke parë merkaton e ekipeve dhe synimet që shpalosën, emrat që kishin dhe mbi të gjitha milionat e shpenzuara, askush nuk kishte dyshime se Tirana në Grupin B dhe Kastrioti në Grupin A do të jenë dy ekipet që do të ngjiten në Superiore në sezonin e ri. Kur mungojnë edhe dy javë nga fundi i fazës së dytë dhe, më pas, starti i fazës së tretë me përgjysmimin e pikëve, ekipet pretendente i kanë bërë tashmë llogaritë e tyre.

kastrioti

Por, ndryshe nga sa pritej që Tirana të krijonte një shkëputje të konsiderueshme nga Bylisi që është rivali i vetëm, kjo gjë nuk ka ndodhur. Madje, bardheblutë kanë vetëm një barazim dhe një humbje me ballshiotët në dy përballjet e deritanishme. Dy ditë më parë, Tirana ishte shumë pranë një hapi të rëndësishëm për të blinduar vendin e parë, por Bylisi mbajti të hapur garën duke barazuar në fund me anë të një penalltie. Një 11-metërsh që nga klubi bardheblu u konsiderua i turpshëm, ndërsa disa pyetën se pse në ndeshje të rëndësishme, gjyqtari ndërkombëtar Enea Jorgji bën gabime më se të dukshme?!

Tirana duhet t’i bëjë mirë llogaritë në këto javë të mbetura ku diferenca me Bylisin, që ka edhe një ndeshje më pak, është shtatë pikë. Në Berat, Tomori ndërlikon pozitat për sa i përket përfshirjes në 5-shen e parë. Beratasit munden në fushën e tyre 1-0 nga Apolonia dhe në dy javët e mbetura do t’u duhet të luftojnë fort për të qenë në vendet e para. Një sfidë që zgjidhet vetëm në minutat shtesë nga Andoni. Pogradeci i jep një goditje të rëndë Naftëtarit që është më i rrezikuari për të rënë në Kategorinë e Dytë.

bylis tirana penalltia

Liqenorët fitojnë në Kuçovë dhe ngjiten në vendin e 4-t duke qenë shumë pranë 5-shes së parë. Turbina, që një javë më parë ishte nën akuzë për shkak të katër golave në 10 minutat e fundit që pësoi në Fier, të shtunën u “hakmor” me po të njëjtën monedhë. Kësaj radhe ndaj Shënkollit, cërrikasit fitojnë 4-0, por do t’u duhet që të luftojnë fort deri në fund të kampionatit për të siguruar mbijetesën. Shkumbini është duke përjetuar një prej sezoneve më të vështira të viteve të fundit. Peqinasit u mundën të shtunën në fushën e tyre nga Iliria me rezultatin 1-0. Shkumbini e sheh veten në vendin e parafundit, ndërsa Iliria është seriozisht në garë për të qenë në 5-shen e parë në fazën e tretë.

formacioni me i mire kat pare

Në Grupin A, pakkush e kishte menduar se pas 16 javëve, Kastrioti do të krijonte një shkëputje me 15 pikë nga vendi i dytë. Por, në ndryshim nga Bylisi që nuk ka gabuar në Grupin B, Egnatia në Grupin A ka bërë shumë hapa falsë duke pësuar katër humbje dhe marrë pesë barazime. Krutanët ia dolën të sigurojnë një 3-pikësh shumë të rëndësishëm në Lezhë ndaj Besëlidhjes, ku Kabiru dhe Mulaj vulosin suksesin.

formacioni me i dobet kat pare

Egnatia duket se nuk është gati për të bërë rivalen e denjë dhe të shtunën është mundur 2-0 në Shijak nga Erzeni. Besa është duke përjetuar vitin me të “zi” në historinë e vet. Kavajasit kanë 11 ndeshje pa fituar dhe tashmë e shohin veten në vendin e fundit. Edhe në ndeshjen e së shtunës, që ishte shumë e rëndësishme përballë Vllaznisë B, kavajasit nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0. Dinamo surprizohet në fund nga Korabi që e mund 1-0. Ndërsa, Tërbuni e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme këtë vit dhe të shtunën u mund nga Burreli 2-1.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"