Ngjarjet e së Parës/ Java e Superiores, tani nisin… “miqësoret”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2018 | 20:12

Ngjarjet e së Parës/ Java e Superiores, tani nisin… “miqësoret”

Tirana dhe Kastrioti zyrtarizuan fundjavën e kaluar ngjitjen e tyre në Superiore për sezonin e ardhshëm. Ashtu siç edhe ishte parashikuar nga gazeta disa javë më parë, në këtë sezon nuk pritej të kishte ndeshje finale mes pretendenteve, siç ka ndodhur në dy vitet e kaluara. Diferencat e mëdha mes skuadrave, objektivat minimale, interesimi i ulët dhe pak tifozë. Këto janë disa prej arsyeve që llogaritë u mbyllën katër javë nga fundi. Kur skuadrat do të luajnë edhe nga tri ndeshje në këtë kampionat, verdiktet kryesore janë mësuar tashmë.

Tirana

Pritet të mësohen ekipet që do të bien në Kategorinë e Dytë dhe ato që do të luajnë në “play-out”. Nga 20 ekipe që marrin pjesë në kampionatin e Kategorisë së Parë, aktualisht vetëm tetë kanë objektiva për të luftuar. Të tjerat do të luajnë “miqësore”. Tirana la mbrapa vitin më të errët në historinë e vet. Bardheblutë luajtën për herë të parë një kategori poshtë elitës, por gjithçka zgjati vetëm një sezon. Tirana do të rikthehet të luajë mes më të mirëve në kampionatin e ardhshëm.

Ndeshja ndaj Pogradecit ishte një formalitet. Përballë një kundërshtari pa asnjë objektiv, bardheblutë fitojnë 3-2 dhe sigurojnë ngjitjen. Në fund ka gëzim të ligjshëm. Por ajo që shqetëson më shumë është mungesa e tifozëve. Në takimin ku do të zyrtarizohej ngjitja, mungon tifo-grupi “Tirona Fanatics”. Klubi duhet të rregullojë këtë situatë që në Superiore të ketë sërish mbështetjen e tyre. Ndeshja tjetër e grupit mes Bylisit dhe Apolonisë luhej për statistikë. Në fund fitojnë fierakët duke treguar edhe një herë se janë “makth” i ballshiotëve këtë sezon. Hysenshahaj dhe Dimo përmbysin avantazhin e Bylisit.

kat pare formacioni me i mire

Edhe në Grupin A, Kastriotit i duhej një fitore me Besëlidhjen për të zyrtarizuar rikthimin në elitë pas katër vitesh. Krutanët triumfojnë lehtësisht 3-0 ndaj lezhjanëve dhe në fund ka festë për arritjen e objektivit. Një sezon perfekt për krutanët që nuk e vendosën asnjëherë në diskutim ngjitjen mes më të mirëve. Në takimin tjetër të grupit, Egnatia mund lehtësisht Erzenin 3-1 dhe kap vendin e dytë. Për sa i përket luftës për mbijetesë, në Grupin A gjithçka është e hapur dhe në lojë janë të pesta ekipet. Nga Besa që renditet e para me 19 pikë e deri te Vllaznia B e fundit me 15, diferenca është shumë e vogël.

Në takimet e javës së kaluar, Tërbuni fitoi në fushën e vet një përballje shumë të rëndësishme ndaj kavajasve. Ndërsa, Korabi, që është në krizë prej disa ndeshjesh, nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Burrelit. Në Grupin B, dy skuadra e kanë siguruar tashmë matematikisht mbijetesën. Shënkolli i pari dhe Iliria e dytë do të luajnë të qeta ndeshjet e mbetura. Ka një garë treshe mes Turbinës, Shkumbinit dhe Naftëtarit.

kat pare formacioni me i dobet

Megjithatë, të parët janë të shkëputur gjashtë pikë nga peqinasit e vendit të parafundit dhe kur ekipeve u kanë mbetur edhe tri ndeshje, janë thuajse të shpëtuar. Në ndeshjet e së shtunës, cërrikasit hodhën një hap shumë të rëndësishëm në fushën e tyre duke fituar 3-1 përballë Shënkollit. Ndaj një kundërshtari që nuk ka më objektiva këtë sezon, Turbina fiton lehtësisht. Në ndeshjen tjetër, Iliria siguroi matematikisht mbijetesën pas fitores 2-1 ndaj Shkumbinit. Një takim i luftuar fort nga të dyja ekipet ku në fund triumfojnë fushë-krujasit.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"