Ngjarjet e së Parës/ Besa si tabelë qitjeje, fluturojnë Dinamo dhe Elbasani. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2020 | 18:47

Ngjarjet e së Parës/ Besa si tabelë qitjeje, fluturojnë Dinamo dhe Elbasani. Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët

Fundjava që lamë pas, ka zyrtarizuar Besëlidhjen në vend të dytë në Grupin A dhe Shënkollin e rënë në Kategorinë e Dytë nga po ky grup. Lezhjanët, pas fitores 2-0 me Kastriotin, presin të mësojnë kundërshtarin e ndeshjes së parë shtesë, që do të dalë nga dueli Pogradeci-Lushnja, ku vendoset për vendin e dytë të Grupit B. Më pas, nëse e fitojnë sfidën me fituesin e këtij çifti, do të bëjnë llogaritë për Vllazninë e Superiores.

Dinamo

BESA SI TABELË QITJEJE – Me daljen nga objektivi sezonal, drejtuesit e Besës vendosën të mendojnë që tani për kampionatin e ardhshëm dhe në këto ndeshje po u japin mundësinë të rinjve të fitojnë përvojë. Deri këtu gjithçka është në rregull, por kjo nuk do të thotë se fanella e skuadrës kavajase duhet të “poshtërohet” me një thes me gola të pësuar. Me sa duket, kavajasit kanë marrë përsipër të vendosin fatin e shënuesit më të mirë të Grupit B.

Formacioni me i dobet

Pak javë më parë portën e Besës e bëri tabelë qitjeje Apolonia, duke shënuar 8 gola dhe 4 prej tyre mbajnë firmën e Gjatës. Të shtunën ishte Lushnja që e “bombardoi” portën e Besës me 5 gola, ndërsa Mikel Canka shënoi 3 gola brenda 7 minutash. Në fundjavë kavajasit përplasen sërish me Apoloninë dhe përsëri Gjata do të ketë shansin të kënaqet me gola. Pavarësisht eksperimenteve që mund të bëjnë verdhezinjtë me lojtarë të U-17-ës apo U-19-ës, është vërtet e turpshme për këtë skuadër që të regjistrojë rezultate të tilla.

DINAMO DHE ELBASANI ME KRAHË – Javët e fundit të kampionatit, dy nga skuadrat më në formë janë Dinamo dhe Elbasani, që luftojnë për qëndrimin në të Parën. Është një ndryshim i madh i dy skuadrave që kanë vuajtur më shumë këtë kampionat, sidomos në gjysmën e parë të tij, duke rrezikuar shumë rënien.

Blutë kanë fituar në fushën e vështirë të Burrelit me një gol të Kolgegës me penallti, duke shtuar kështu shanset për të shmangur edhe ndeshjen shtesë për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Tashmë ata kanë lënë pas në renditje Tërbunin dhe Veleçikun, por asgjë nuk ka përfunduar ende.

Formacioni me i mire Kategoria e Pare

Edhe Elbasani po mahnit me fitoret e njëpasnjëshme dhe qëndrimi duket gjithmonë e i sigurt për ekipin e drejtuar nga trajneri Lleshanaku. Javë pas javë verdheblutë parakaluan rivalët, ku veç Shënkollit të rënë, e kanë kaluar presionin te Turbina dhe Iliria për ekipin e dytë që bie direkt. Këtë të fundit e mundën me përmbysje në “Elbasan Arena”, ndërkohë që përpara është derbi me Turbinën, që ka rëndësi të veçantë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"