NGJARJET E SË PARËS/ Besa rrezikon katërshen, befasojnë Dinamo dhe Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 21:20

NGJARJET E SË PARËS/ Besa rrezikon katërshen, befasojnë Dinamo dhe Elbasani

Duhen edhe 90 minuta që të përcaktohet ndarja e skuadrave për fazën e tretë, ku 4 të parat luftojnë për Superioren dhe 6 të tjerat për mbijetesën. Megjithatë, rezultatet e javës së 17-të i kanë dhënë pak drejtim situatës. Në Grupin A, Kastrioti dhe Besëlidhja janë të sigurt në krye, ndërsa për dy vendet e tjera janë në lojë matematikisht Korabi, Burreli dhe Erzeni, ku më shumë shanse kanë dy të parët.dinamoooo

Mjafton që Korabi të mos humbë ndaj Kastriotit në transfertë, ashtu si dhe Burreli ndaj Tërbunit. Për Erzenin është gati e pamundur, sepse luan në Lezhë dhe përveçse duhet të fitojë vetë, duhet të humbë edhe Burreli në Pukë.

DINAMO-ELBASANI – Në Grupin A vlen të përmendet fitorja bindëse e Dinamos ndaj Besëlidhjes pretendente, edhe pse blutë vinin pas një jave të trazuar. Me Olsi Ukun në stol, Kamaratën pas kangjellave dhe Allmuçën pak më tej, Dinamo zhvilloi një nga ndeshjet më të mira dhe mori 3 pikë, që e nxjerrin nga zona e rënies direkt.

Shpresa mbijetese edhe për një emër tjetër të madh të Kategorisë së Parë, Elbasanin, që merr pjesë në Grupin B. Fitorja e tij në Fushë-Krujë, e kombinuar me humbjen e Shënkollit, kundërshtarit të kësaj jave, por edhe barazimin e Turbinës në shtëpi, shton shanset që verdheblutë të mbijetojnë në Kategorinë e Parë.

BESA-LUSHNJA – Besa, me humbjen e fundit në Peqin, rrezikon shumë të mos jetë mes katër skuadrave të kreut në Grupin B. Kavajasit luajnë në fundjavë në fushën e Devollit rival, që me barazimin e marrë ndaj Apolonisë në Fier, ka treguar se e ka seriozisht synimin për të qenë në 4-shen e parë në këtë sezon debutues në të Parën. Devolli dhe Pogradeci i bënë një nder njëri-tjetrit javën e fundit. Pogradeci mundi Besën, rivalin e Devollit, që ndali Apoloninë, rivalin e liqenorëve.

Pogradeci dhe Apolonia kanë pikë të barabarta dhe kryesuesi do të vendoset të shtunën, por që të dyja këto skuadra janë në 4-shen e parë, ashtu si dhe Lushnja, që ka pësuar një rënie javët e fundit. Por ndryshe nga Besa, që është në fije të perit sa i takon objektivit sezonal, Lushnja mbetet në 4-she sido që të shkojë java e fundit e fazës së dytë.Devolli-Besa

Interesant është fakti se në Grupin B javën e fundit nuk fitoi asnjë ekip vendës. Ishte java e udhëtuesve, ku Elbasani fitoi në fushën e Ilirisë dhe Oriku në fushën e Shënkollit, Pogradeci mundi Besën në Peqin, por që llogaritet si transfertë, ndërsa Lushnja dhe Devolli morën pikë përkatësisht në fushat e Turbinës dhe Apolonisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"