NGJARJET E SË PARËS/ “Ashensori” Pogradeci, garë identike për kreun në dy grupet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 15:39

NGJARJET E SË PARËS/ “Ashensori” Pogradeci, garë identike për kreun në dy grupet

Kampionati i së Parës edhe këtë javë ka vërtetuar se është krejtësisht i paparashikueshëm. Ekipe që vijnë nga një fitore e bujshme në transfertë dhe që humbin brenda, si dhe ekipe që humbin në shtëpi dhe befasisht marrin pikë në fusha shumë të vështira, siç është rasti i Devollit dhe Shkumbinit. Gjithsesi, një javë para fundit të fazës së parë të kampionatit, në të dyja grupet është qartësuar pak a shumë se cilat janë skuadrat që do ta diskutojnë Superioren, direkt dhe me ndeshje shtesë.pogradeci

ECURI IDENTIKE – Është interesant fakti që kreu i dy grupeve është thuajse identik. Dy skuadrat kryesuese, Kastrioti në Grupin A dhe Lushnja në Grupin B, kanë nga 18 pikë, ndërsa vendet e dyta, përkatësisht Korabi dhe Pogradeci, kanë nga 16 pikë. Ndryshimi i vetëm i Grupit A me Grupin B është se Besëlidhja e vendit të tretë ka 15 pikë, 1 pikë më shumë se e treta e grupit tjetër, Apolonia. Këto tri skuadra në secilin grup duket se do të sfidojnë njëra-tjetrën gjatë kampionatit për ngjitjen në elitë, pasi kanë nisur të shkëputen nga pjesa tjetër.

POGRADECI-KASTRIOTI – Javët e fundit, dy skuadrat që kanë pasur një rritje evidente, janë Pogradeci dhe Kastrioti. Të dyja këto skuadra kanë bërë më mirë se të tjerat dhe kanë përmirësuar pozitat në klasifikim. Liqenorët kanë bërë tri fitore radhazi dhe tashmë janë kërcënimi kryesor për Lushnjën, të cilën e mundën edhe në fushën e saj, duke dëshmuar se kanë një nga skuadrat më të forta të Grupit B. Besën e kanë mposhtur pa shumë vështirësi, duke e nxjerrë nga gara e Superiores që në këtë moment. Krutanët janë të vetmit që nuk kanë pësuar asnjë humbje dhe Korabi e Besëlidhja do ta kenë shumë të vështirë ta fitojnë duelin me ekipin e Ndreut, ndërsa Erzeni gradualisht po spostohet nga kreu.

ZGJOHEN APOLONIA-ELBASANI – Pas tri javësh të vështira, Apolonia e trajnerit Mërgjyshi ka reaguar më në fund. Ka mundur 1-2 Devollin në transfertë, si për të treguar se është ende “gjallë” në objektivin e Superiores. Një fitore shumë e rëndësishme për fierakët, të cilët këtë herë janë treguar pragmatistë dhe kanë marrë 3 pikët në një fushë shumë të vështirë. Mund të jetë momenti i kthesës për Apoloninë, ashtu si dhe për Elbasanin, që mundi 3-1 Ilirinë në Cërrik, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve dhe duke ringjallur shpresat e qëndrimit të Kategorinë e Parë. Rivalët, Shënkolli dhe Iliria, janë shumë afër dhe në vazhdim Elbasani mund të përfitojë për t’i parakaluar.Dinamo

DINAMO, KRIZË PA FUND – Ndryshe nga Elbasani, që është i fundit në Grupin B, Dinamoja është shumë larg rivaleve në Grupin A. Blutë janë në krizë të thellë, çka e vërteton edhe humbja e thellë 4-0 në Lezhë. Kryeqytetasit nuk kanë marrë ende fitoren e parë në kampionat dhe mbeten me një pikë në fundin e tabelës, me shpresën e vetme që merkatoja e dimrit t’i transformojë, siç ka premtuar kompania italiane që ka marrë në duar blutë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"