Nga Zëri te Gurma e Tufa, si u bënë pjesë e plejadës së artë. Flasin ish-shkëndiasit e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2018 | 22:29

Nga Zëri te Gurma e Tufa, si u bënë pjesë e plejadës së artë. Flasin ish-shkëndiasit e parë

Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Vasillaq Zëri, një ndër lojtarët më teknik të futbollit shqiptar ndër vite, ka konkurruar fshehtas te Shkëndija. Bashkim Tufa, që vite të tëra ia kushtoi me sukses më pas edhe gazetarisë sportive, është nostalgjik për fillesat e veta. Po çfarë kujtojnë sot disa nga personazhet e asaj kohe? Ja si përgjigjen ata:

Mehmet Spahiu: “Nuk filluam shkollën si zakonisht më 1 shtator, as më 12 janar, por më 15 janar të vitit 1968. E hënë ka qenë si sot, por 50 vite më parë. U shty ca ditë për plotësim të dokumenteve, sistemimin e konviktorëve, pajisjen me materiale. Ne ishim nxënës që vinim nga shkolla të tjera të mesme. Kam shumë kujtime, por dua të kujtoj momentin e parë kur na ka bërë matjet, kontrollin mjekësor e testimet laboratorike, mjeku Lluka Heqimi, me një praktikë moderne, ndonëse e panjohur edhe për klubet shqiptare për kohën”.

shkendija butrinti

Vasillaq Zëri: “Karriera ime do të ishte ndryshe nëse nuk do të kisha konkurruar, madje fshehurazi, pasi familja nuk më lejonte, se donin të kisha një profesion që të siguronte të ardhura për jetën. Duke qenë i imët, Skënder Jareci, i cili më njihte, i foli Konçit për aftësitë e mia. Kujtoj me nostalgji, disa që na kanë qëndruar shumë pranë, si Faik Konçi i Administratës, përgjegjësin e bibliotekës, pastaj pedagogun Aristotel Tasho etj”.

Milto Gurma: “Unë vija nga Saranda dhe fëmijëria ime ishte e lidhur me detin, notin, vozitjen. Kanë qenë tri vitet më të bukura të karrierës, në një skuadër, ku ishim miq e shokë, kishte shumë harmoni. Shkëndija më dha gjithçka, deri edhe lojtar i kombëtares. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, mendoni, nuk ishim as 16-17 vjeç! Kujtoj Xhelil Bakirin e anatomisë, kujdestarët e konviktit Katerina Puton e Vizhdan Gjyzelin, Niqin kuzhinieren, Daj Met Methasanin, përgjegjësi i terreneve, na kanë trajtuar si fëmijët e tyre”.

Bashkim Tufa: “Disa prej nesh njiheshim pasi luanim me ekipet e moshave dhe në Spartakiadën verore në Plepa, pra u miqësuam shumë shpejt. Kujtoj të gjithë profesorët, në veçanti Zyber Konçin dhe ne që ishim ‘djemtë e Zyberit’. Orët e më- simit, stërvitjes, mensën, marshimet në Bizë, pushimet në Golem, aksionet, apo kur vinim direkt në ndeshje nga zbori. Futbolli i Shkëndijës i dha një impuls të rëndësishëm dhe krijoi bazat për një ndryshim cilësor e bashkëkohor me karakteristika të atij që kishte nisur në fillim të viteve ’70 në Europë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"