Nga vonesa e zjarrfikëses te “dushi” i presidentit ndaj lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2016 | 21:59

Nga vonesa e zjarrfikëses te “dushi” i presidentit ndaj lojtarëve

Një ndeshje që prodhoi futboll në fushë, por edhe histori jashtë kuadratit të blertë. Nga vonesa e zjarrfikëses e deri te “shpërthimi” i Pashk Laskës ndaj ekipit në dhomat e zhveshjes, ishin ato që nuk u panë në televizor gjatë takimit të luajtur dje (Laçi – Tirana 0-3).

12660219_1680579242199579_773100635_n* Zjarrfikësja mbërriti dje vetëm pak minuta para startit të takimit. Madje, insistimi i delegatit Bujar Pregja ka qenë i vazhdueshëm duke tërhequr vëmendjen se ndeshja nuk do të mund të fillonte pa praninë e saj.

* “Tirona Fanatics” filluan të këndonin menjëherë sapo u sistemuan në sektorin e tyre. Afro 150 të pranishëm dhuruan spektaklin në tribunë. Në fund ata u befasuan nga skuadra e tyre, e cila i përshëndeti në largësi.

* Tifozët e Laçit e braktisën ndjeshëm skuadrën dje, pasi numri i tyre ishte tejet i ulët krahasuar me vitet e fundit. Por ajo që bëri më shumë çudi, lidhet me largimin e tyre dhjetë minuta nga fundi.

* Presidenti Laska priti dushin e futbollistëve dhe, më pas, hyri në dhomën e skuadrës së tij, duke iu imponuar atyre një tjetër “dush”, por këtë herë të ftohtë. Pati kërkesë llogarie për lojtarë të caktuar.

* Në tribunën VIP, dy presidentet respektivë Laska dhe Halili nuk mungonin, ndërsa pranë tyre ishte kryebashkiaku i Laçit, Bardhi, si dhe prefekti i Tiranës, Vorpsi.

* Trajneri i Tiranës, Ilir Daja, ka këmbëngulur në fund që të flitet mirë për organizimin e kësaj ndeshjeje. Daja tha se, përveç terrenit të shkëlqyer, pa një tifozëri të Laçit mjaft të edukuar në shkallë. “Nuk duhet vetëm të ankohemi, duhet dhe të evidentojmë vlera. Ishte gjithçka në perfeksion nga klubi i Laçit”.

* Dritan Smajli, i kontestuari i laçianëve sezonin e kaluar (kur luante me Kukësin), dje e kaloi ndeshjen në qetësi absolute.

Madje, në një rast, ai u drejtua nga tribuna me dorën në zemër.

* Portieri Miroslav Vujadinoviç pas zëvendësimit ka nxituar që të bëhet gati për t’u larguar nga impianti. Fill pas bilbilit të Jeminit, portieri u pa në mjetin e malazezit tjetër, Cetkoviç, me targa të Podgoricës.

* Edhe fanella e zezë këtë herë nuk është më “ters”. Tirana dje ia doli, edhe pse në ndeshjet e fundit me atë uniformë nuk i ka ecur.

* Debuton Ademir Soza dhe Ergi Lushkja. Lojtarët e afruar gjatë janarit patën minutat e para me Laçin, ndërsa fundi sigurisht që nuk ishte i lumtur për ta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"