Nga volejbolli te kriza në KOKSH, rrëfehet Pëllumbi: S’luajmë më për pjesëmarrje, Bezhanin s’e kuptoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2020 | 23:15

Nga volejbolli te kriza në KOKSH, rrëfehet Pëllumbi: S’luajmë më për pjesëmarrje, Bezhanin s’e kuptoj

Volejbolli shqiptar është para zgjedhjeve, të cilat do të mbahen në datën 25 janar. Megjithatë, këto zgjedhje pritet të jenë një formalitet, pasi shumica e shoqatave dhe e klubeve duket se tashmë i kanë besuar sërish Erlind Pëllumbit, duke e propozuar edhe për një mandat të dytë 4-vjeçar. 

Pellumbi

Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me kreun e volejbollit shqiptar, i cili rrëfen 4- vjeçarin e tij të parë në drejtim të sportit të rrjetës. Pëllumbi prek gjithashtu edhe disa tema të nxehta të sportit shqiptar, si situata në KOKSH apo ligji i sponsorizimit.

Z. Pëllumbi, si do ta komentoni 4-vjeçarin e parë në krye të FSHV-së? 

Po e përmbledh me pak fjalë, ku fakti që rikandidova dhe që nuk kam ndonjë konkurrent tjetër është një shenjë vlerësimi, që më bën komuniteti i volejbollit. Ne kemi procedurë të tillë, ku dërgojmë një formular dhe të gjitha shoqatat apo klubet propozojnë një emër për president dhe një për anëtar kryesie.

Shumica e këtyre shoqatave kishin vendosur emrin tim dhe ky është vlerësimi më i madh që mund të më bëhej, falë punës së realizuar në këto vite. Nuk është një sfidë personale, pasi ne kemi vendimmarrje dhe përgjegjësi kolegjiale. Kështu që, rikandidimi thuajse i të njëjtit ekip që ishte edhe në 4-vjeçarin e parë është një vlerë, të cilën ne e konsiderojmë të suksesshme.

 Cili është momenti më i mirë gjatë kësaj periudhe? 

Sporti gjithmonë ka luhatjet e veta, sepse rezultatet janë treguesit e punës sonë organizative, ashtu sikurse e punës së atyre djemve apo vajzave që luajnë në parket. Si momentin më të bukur do të veçoja arritjen e kombëtares së vajzave, të cilat morën medaljen e bronzit në Ligën e Europës. Një sukses që erdhi pas një pune të stërmundimshme, duke pasur parasysh që financat ishin minimale. Vinim pas një periudhe të vështirë të federatës apo të volejbollit në tërësi, ku ekipet kishin kohë që nuk grumbulloheshin.

Ndeshjet ndërkombëtare ishin të pakta, ku vetëm Studenti merrte pjesë me skuadrën e meshkujve. Situatë e vështirë, sepse duhej të përballeshim me kundërshtarë që kishin bërë hapa përpara, ndërsa ne kishim mbetur ende te pjesa e nostalgjisë. Gjithashtu, dua të përmend kombëtaren e djemve, që për vetëm 4 pikë të vogla humbën mundësinë për t’u kualifikuar në Europian.

Organizimi për herë të parë i finaleve të Europianit U-19, që s’do të jenë të fundit. U bëmë epiqendra e volejbollit, pasi në Shqipëri erdhën ekipet më prestigjioze të kontinentit. Një eksperiencë, e cila është për t’u shënuar në kalendarin e volejbollit shqiptar.

 Momenti më i vështirë?

Momentet e vështira janë gjithmonë në çdo fillim viti, siç është edhe periudha aktuale ku ne nuk e dimë se çfarë buxhetesh do të na akordohen. Volejbolli nuk është sport që gjeneron të ardhura dytësore për të qenë konkurrues, ndërkohë që mund të konsiderohet edhe sport i shtrenjtë në vetvete, sepse edhe ekipet përbëhen nga shumë njerëz e kostot janë të larta. Kështu që, pa patericat e shtetit, e kam thënë që është e pamundur të jemi konkurrues në këto nivele që ne tashmë jemi ngjitur.

erli-pellumbi

Çfarë mund të kishit bërë ndryshe në këtë mandat nëse do të ktheheshit në kohë?

Çdo gjë do të fillonte nga financat, por nuk besoj se do të realizoja ndonjë gjë më të madhe sesa kjo që kemi arritur gjatë kësaj periudhe. I kemi ngjitur shkallët pak shpejt, por tani na duhet që ta ruajmë këtë standard, ndërkohë që i gjithë fokusi i 4-vjeçarit të ardhshëm do të jetë puna me moshat.

A ka mundësi Shqipëria për të synuar një kualifikim për në finalet e europianeve?

Pavarësisht financave të sivjetshme, ne i kemi bërë një kërkesë ministrisë, në mënyrë që të na japin mundësinë dhe të na akordojnë diçka më shumë këtë vit, pasi kemi një grup djemsh, të cilët e meritojnë që ta provojnë edhe një herë për të arritur finalet e Kampionatit Europian. Unë besoj se me punën e deritanishme dhe me atë seriozitet dhe nivel loje që ka treguar ekipi i djemve, do t’ia arrijmë.

Fakti që 8 nga lojtarët e kombëtares luajnë jashtë, është një vlerë e shtuar, pa harruar që edhe niveli i lojtarëve të kampionatit shqiptar sa vjen dhe rritet, duke dhuruar spektakël. Ndërsa ajo që është e rëndësishme dhe që dua ta theksoj ka të bëjë me ekipin e vajzave, ku pasi morëm medaljen në Europa Ligë vendosëm bashkë me stafin që ta rinovojmë, ashtu sikurse kishim bërë me djemtë dy vite më parë. Prandaj pretendojmë që edhe rezultatet të jenë më të mira këtë vit.

Të rikthemi edhe një herë tjetër te ndeshja eliminatore e kombëtares së meshkujve ndaj Austrisë. Një takim deciziv, ku ekipi udhëtoi me autobus, duke parë edhe mundësitë financiare… 

Nëse ju kujtohet, ka qenë në muajin janar dhe buxhetet nuk ishin çelur akoma. Ne si kryesi u mblodhëm të gjithë, duke nxjerrë disa të ardhura nga xhepat tanë personalë për ta dërguar ekipin atje. Megjithatë, nuk besoj se ishte ky shkaku që morëm atë rezultat.

Çfarë po ndodh me ligjin e sponsorizimit? 

Unë jam një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Sportit dhe dua të them që filloi një nismë shumë pozitive, me iniciativën e Kryeministrit dhe të zv.ministrit Shkurti. Bëmë një takim dhe më pas një të dytë, ku në fakt fokusi ishte për dhunën në sport. Nisur nga kjo, u ndryshua edhe ligji për Kodin Penal, pas ngjarjeve të dhunshme sidomos në futboll. Me keqardhje them që ngeli aty dhe nuk dimë akoma se ku ka vajtur.

Në bisedat private që kam pasur me z.Shkurti, kam marrë vesh që ligji është formuluar, mirëpo nuk po gjen mbështetje në ato instanca ku duhet të aprovohet. Është shumë i nevojshëm që të bëhet dhe besoj që sporti do të marrë një hov dhe një nivel tjetër nëse ky ligj do ta kalojë klasën.

Cilat janë objektivat e Federatës Shqiptare të Volejbollit?

Objektivat janë të qarta, ku kalendari i sfidave tashmë dihet. Ne do të organizohemi në kampionatet ballkanike për moshat. Këtë vit kemi marrë përsipër organizimin që ka të bëjë me Ballkaniadën e Volejbollit të Plazhit, që do të zhvillohet në muajin qershor në qytetin e Pogradecit. Ky është eventi i dytë që organizojmë, pasi e kemi bërë edhe në Durrës para dy vjetësh, ku ishte një kompeticion që dhuroi spektakël.

Këtë herë kemi zgjedhur Pogradecin si një qytet me traditë në këtë sport, në bashkëpunim edhe me bashkinë e këtij qyteti. Është muaji kur hapet edhe sezoni turistik, kështu që do të jetë një event promovues për sportin e volejbollit. Ndërsa ajo që është më rëndësishmja për t’u theksuar, është vendimi nëse do të marrim pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian, gjë që do ta përcaktojmë pasi të mbarojmë me zgjedhjet.

 Viti 2019 shënoi edhe rikthimin e klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Si do ta vlerësoni paraqitjen e bërë nga ekipet tona? 

Është një vlerë e madhe për sportin shqiptar, sidomos këtë vit, ku dy skuadrat tona kaluan nga një tur. Rezultate, të cilat në renditjen europiane na ngjitën me disa shkallë, por më shumë sesa kjo ne na gëzon fakti që klubet iu rikthyen ballafaqimit me ekipe të niveleve të larta.

Skuadra që sjellin një kulturë tjetër në organizmin dhe të luajturin e volejbollit. Ajo që ne na lumturon si federatë është që shkojmë jo vetëm për pjesëmarrje, por jemi konkurrentë të fortë dhe kemi shtuar pretendimet, ku ekipi i Partizanit për femra iu afrua shumë kualifikimit për në fazën e grupeve në Champions.

Si do ta komentoni situatën në KOKSH, duke qenë se jeni edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv?

Është bërë një situatë shumë kaotike. Ajo që mund të them është që ne si Komitet Ekzekutiv dhe Olimpik kemi marrë një rol të rëndësishëm, jo se nuk e kemi pasur, por tashmë që edhe presidenti është pezulluar, anëtarët me 2/3 kanë thirrur asamblenë e jashtëzakonshme, e cila do të mbahet më 9 shkurt.

Një asamble e rrallë do të thosha, por KOKSH me sa mbaj mend unë i ka pasur gjithnjë këto lloj problemesh, të cilat nuk arrij dot t’i kuptoj përse lindin. Gjërat janë të qarta, Komiteti Olimpik vazhdon të funksionojë pavarësisht ngërçit. Z.Bezhani ka gati 2 vjet që ngre këto pretendime, por tani që kanë dalë dhe janë bërë publike, ne po presim edhe vendimin e organeve kompetente të thonë fjalën e tyre. Megjithatë, ende nuk arrij ta kuptoj se çfarë kërkon z.Bezhani.

 A synon Erlind Pëllumbi për t’u bërë president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar?

Rikandidimi në Federatën e Volejbollit ndodhi sepse unë këtë punë e bëj me shumë pasion dhe dëshirë. Kështu që, besoj se më mjaftojnë këto halle që ka volejbolli dhe nuk dua të shtoj të tjera.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"