Nga vjedhjet te milionat, rrëfimi special i Ibrës: Pas futbollit do të zhdukem! Lukakun e marr për ski, interistët s’e njohin dashurinë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 23:45

Nga vjedhjet te milionat, rrëfimi special i Ibrës: Pas futbollit do të zhdukem! Lukakun e marr për ski, interistët s’e njohin dashurinë…

Zlatan Ibrahimoviç, siç nuk e keni lexuar kurrë. Në asnjë intervistë. Sulmuesi ka pranuar të flasë për “France Football” duke u rrëfyer në të gjitha dimensionet e tij.

IBRAHIMOVIC

Në prag të 40-ave, ai heq dorë nga roli i perëndisë duke ofruar versionin e tij më njerëzor, për të mos thënë krejt normal. Nga vjedhjet e para, te milionat e futbollit, nga bamirësia te “vdekja e vogël” janë vetëm disa nga temat e cekura, të cilat Zlatani i komenton pa hequr dorë nga ironia e jashtëzakonshme që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës.

A e gjetët si përfundim Fido-Didon?

Ah, biçikleta ime e dashur. Ma vodhën dhe s’e gjeta dot kurrë. Ndoshta ishte karma sepse edhe unë kisha vjedhur shumë të tilla në adoleshencë. Më vjen keq sepse ishte biçikleta ime e preferuar. Nëse do ta takoja hajdutin, do t’i blija një të re për t’ia marrë më pas timen.

Përse e përmendni biçikletën çdo herë që duhet të flisni për jetën tuaj? Doni të tregoni se keni ditur të kapërceni barrierat sociale?

Jo, nuk është fare ai qëllimi. Kam qenë i ri, pak budalla dhe bëja disa gjëra për të mbijetuar. Kisha nevojë për një biçikletë për të lëvizur dhe i vidhja. Ishte mënyra ime për të përballuar vështirësinë në atë aspekt. Kjo ndodhi pasi më vodhën timen. Nuk kisha para për të blerë një të re. Ishte çështje mbijetese dhe e dija mirë që nuk ishte diçka për t’u krenuar… (heshtje)

ibra

Kur ke probleme edhe ndodh të bësh të tilla veprime. Çfarë do të vidhnit sot për t’ia dhënë Zlatanit të vogël?

Asgjë, do t’i thosha vetëm që të ishte më i duruar dhe se puna e bërë do t’i shpërblehet. Punoja fort, por nuk kisha durim e i doja gjërat në çast. “Zlatan i vogël ki durim. Puno dhe beso në vetvete”.

Si mundët të vendosni bashkë punën dhe durimin?

Është e vështirë në rini. Kur rritesh e krijon përvojë, e kupton rëndësinë e durimit e se gjithçka varet prej saj. Kur je “i pazbutur”, me ide, kur ke dëshirë për të zbuluar botën e me plot gjëra për të mësuar, durimi është i vështirë për t’u pasur, ndaj nevojitet të kesh njerëz me përvojë rreth teje të cilët të të mbajnë të qetë e të t’i thonë gjërat në sy.

Çfarë do të na mbetet nga Zlatan Ibrahimoviçi pasi të ketë lënë futbollin?

Nuk e di, por uroj të mbetet diçka pasi do të thotë se kam bërë mirë punë time. Ndoshta mbeten idetë e mia. U them të gjithëve të besojnë tek idetë e tyre, të kenë personalitet, të mos mbyllin gojën e të mbajnë shpirtin e hapur.

A gabon ndonjëherë Zlatani?

Kurrë… (qesh). Të gjithë gabojmë sistematikisht, siç po bëj unë duke treguar sekretet e mia në këtë intervistë.

Mbase gaboj edhe unë duke ju intervistuar… (qeshin)

Mos e ki atë frikë. Nëpërmjet gabimeve njeriu përmirësohet. Askush nuk është perfekt… Përveç meje (qesh).

Çfarë ju bën krenar?

Gjithçka që kam arritur. Vij nga një vend ku të gjithë më gjykonin duke më thënë se nuk do t’ia dilja kurrë mbanë. “Nuk është i aftë mjaftueshëm” dhe “I mungon kjo dhe ajo…” janë fjali që i kam dëgjuar shpesh, por ja ku jam. 39 vjeç e më i fortë se kurrë. Jam krenar për gjithçka.

ibra

Mendoni se mund të kishit bërë më tepër e më mirë?

E mendoj, por sepse është çështje mendësie.

Edhe ju?

Secili prej nesh mund të bëjë më tepër. Në kokën time unë mundohem dhe bëj maksimumin. Ka që mendojnë se mund të kisha bërë më shumë, por kjo ha diskutim.

Mikrofonat, dritat, tifozët. Mendimet tuaja përpara botës…

Kjo është pjesë e punës. Nuk zgjodha unë të kisha këtë vëmendje, por janë gjëra që ndodhin natyrshëm kur rritet niveli. Për mua janë përgjegjësi të cilat më duhet t’i mbaj.

Çfarë do t’u thoshit atyre që ju konsiderojnë “lojtar të madh për ndeshje të vogla”?

E thashë më sipër. Të gjithë kanë të drejtë të japin mendimin e tyre.

Thonë se dikur ju bezdiste ky lloj kategorizimi…

Aspak. Thjesht ishin komente që i shtonin benzinë zjarrit. Më mundësuan të bëja më tepër sepse më motivonin. Përparoja, merrja kritika të tjera e punoja më fort. Nuk kënaqem kurrë e kritikat më mbajnë zjarrin e ndezur brenda meje duke më dhënë energji.

IBRA

Pra, nuk keni pengje?

Jo. Besoj se gjithmonë ndodh ajo që duhet të ndodhë.

Domethënë nuk ka qenë e shkruar të fitoni Champions-in?

Mendoni se po ta fitoja, do të kisha qenë një lojtar më i mirë?

Jo, jo. Fundja as Ronaldo braziliani nuk e ka fituar…

Pikërisht pra, por po ta kisha fituar, do të kishte qenë e mrekullueshme. Fakti që nuk e kam arritur atë sukses, nuk më bën një lojtar më të dobët. Është njësoj sikur të më akuzojnë se nuk jam i mirë sa duhet sepse nuk kam fituar Botërorin. Mos harroni, kur je suedez, është shumë herë më e vështirë sesa kur luan për Francën.

Sa për Champions-in, dua ta fitoj e besoj se kam ende kohë. Sidoqoftë, nuk mund të ankohem sepse në karrierë kam fituar gjithçka në rang klubesh. Jam një djalë i lumtur, ta dini.

Nuk keni fituar as “Topin e Artë”…

Më shumë i mungoj unë çmimit sesa ai mua.

Në 2013-ën u renditët i katërti. A nuk do të kishit dashur ta fitoni?

Të gjithë duan të vlerësohen si më i miri i globit, por unë e di që jam i tillë. Do të ishte prestigjioz një sukses i tillë, por ju e dini përse nuk e fitova (qesh).

Sepse “France Football” ka gazetarë votues në të gjithë botën?

Ha ha ha, na shkritë.

iBRA2

Mesi e Ronaldo, ata po që kanë fituar disa çmime. Çfarë keni më pak se ata?

Nëse flasim për cilësi të pastër, atëherë mund të them se nuk kam asgjë më pak se ata të dy.

Nëse në krahasim përfshijmë trofetë, atëherë unë duhet të pranoj se nuk e kam fituar kurrë Ligën e Kampioneve. Nuk e di se si i bëni llogaritë ju të “France Football”, por ju siguroj se unë nuk jam i fiksuar. Kur gjërat bëhen si duhet në grup, individi e ndjek atë. Një lojtar nuk mund të dalë në pah nëse kolektivi nuk është i nivelit të lartë.

Nëse do ta ulnit veten në një tryezë me më të mirët e historisë së futbollit, cilët do të ishin?

Nuk besoj se ka rëndësi krahasimi i një lojtari me një kampion nga e kaluara. Secili luan me brezin e tij dhe me shokë të ndryshëm skuadre. Në këto kushte edhe krahasimi bëhet i ndërlikuar, ndaj e them gjithmonë që çdo futbollist ka historinë e tij. Siç e shikoni, tavolina ime është plot me probleme.

Mendoni se mbase personaliteti juaj ju ka mbajtur larg “tavolinave” të rëndësishme…

Nuk me intereson sepse fundja kam qenë vetvetja. Të gjithë mundohen të jenë të përsosur, por unë them se njeriu mund të jetë i tillë vetëm duke qenë vetvetja. Nuk ka sukses që të më ndryshojë. Sido që të vijnë punët, unë jam Zlatani. Luaj lojën time, për ekipin tim. Çdo gjë tjetër vjen për pasojë. Nuk zgjodha të jem i famshëm ose siç i thonë “të dal nga korniza e futbollit”, por kur shkëlqen, fillon të bëhesh popullor e njerëzit të njohin.

Ibra goli

Njerëzit edhe flasin më pas…

Po, por për atë që bën në fushë. Le të flasin sa të duan për sa kohë je një lojtar i zoti. Problemi kryesor është kur flasin më shumë për jetën jashtë fushe. Kjo do të thotë se nuk je më futbollist i zoti, por kloun…

A ka shumë klounë në botën e futbollit?

Oh, sa të duash. Plot, plot. Mund të jesh personazh duke bërë punën tënde pa qenë nevoja të futesh në kategori të tjera. Këta njerëz mendojnë se nuk gabojnë kurrë, ndërkohë që edhe Zlatani gabon. Kur mbërrita te Los Anxheles Galaksi, isha pjesë e një skuadre e cila po mblidhte 20 futbollistë të përsosur për atë kampionat. Unë aty mbërrita duke qenë vetvetja, ndërkohë që disa mbërrijnë duke marrë përsipër një rol që nuk u përket.

Nuk luani kurrë asnjë rol?

Rolet e mia i kam fituar, por janë në familje dhe mes miqsh. Në karrierë nuk kam toleruar kurrë. Edhe për këtë intervistë, bëni mirë të thoni se nuk ramë në kompromis për asnjë pyetje. Ju pyetët e unë u përgjigja, sepse e di që njerëzit janë të interesuar. Sidoqoftë, nuk do ta lexoj këtë intervistë sepse e di që kam qenë i sinqertë e nuk do ta vras mendjen nëse nuk keni shtrembëruar ndonjë përgjigje…

Ndryshojmë pak temën. Keni thënë se në Paris erdhët si mbret e u larguat si legjendë. A ju ka pasuar ndonjë legjendë tjetër?

Secili ka historinë e tij dhe timen te PSG-ja nuk e ndryshon dot askush. Tani mbase e ka dikush tjetër radhën të bëjë historinë. Unë erdha si mbret e ika si legjendë. Ai që do të vijë, duhet të gjejë diçka tjetër për të ma kaluar…

Ibra Zlatan

Kaq rëndësi ka që t’ju kujtojnë gjithmonë?

Fare. Unë jam i zoti në profesionin tim dhe mundohem të ndihmoj këdo duke bërë diferencën në fushë e duke sjellë sukses. As nuk më shkon ndërmend t’i bëj njerëzit që të më kujtojnë gjithmonë. Nëse bën diçka të madhe, nuk të harrojnë, por nuk është ky qëllimi im.

Jeni ambicioz apo arrogant?

Jam besimplotë. Arrogantët janë injorantë. Besimi që kam është prej inteligjenti. Jam një djalë krejt normal e aspak i veçantë.

Po, por historia juaj ju bën të veçantë apo jo?

Të veçantë na bëjnë mënyrat, por brenda vetes të gjithë jemi normalë.

Jeni munduar ndonjëherë të fshihni ndonjë veçori tuajën?

Është e pashmangshme. Fundja, nuk jam këtu ku jam për të ndarë jetën time me të tjerë. Jam profesionist i futbollit dhe ndaj atë që mendoj se duhet ndarë. Nuk jam palaço “Instagram”-i që kur zgjohet në mëngjes mendon se çfarë fotoje duhet postuar për t’u uruar njerëzve një ditë të mbarë. Nëse e keni vënë re, postoj rrallë, e vetëm momente përditshmërie nga puna ime. Jeta private nuk preket dhe e ruaj për vete. Nga profesioni nuk mbaj sekret asgjë.

Kur flisni për vetëbesim, e bëni sepse doni të fshihni një karakteristikë personale?

Jo, unë besoj te vetja dhe te puna ime. Kjo më ndihmon të jem ky që jam. Nuk fsheh asgjë. Është çështje shpirtërore dhe nuk ka të bëjë me dobësitë. Për mua, besimi është forca ime. Sigurisht, kam edhe unë dobësitë e mia. Kjo është normale sepse nuk jam “Supermeni”.

Po, por shpesh jeni sjellë si i tillë apo jo?

Nuk kam luajtur në asnjë moment ndonjë rol. Jam rritur i tillë, kam jetuar, kam përvojën time, por tani kam një familje. Jeta ka kapituj, të mirë apo negativë qofshin. Pas gjashtë muajsh mund të jem dikush tjetër sepse kështu rrjedhin vitet. Nuk jam as 35 e as 25, ndërkohë që mënyra ime e të menduarit ndryshon. Sidoqoftë, brenda vetes kam mbetur i njëjti. Kam dëshirë të shijoj jetën dhe profesionin duke u mësuar sa më shumë gjëra shokëve të mi për sa më tepër kohë.

IBRAHIMOVIC

Më 3 tetor mbushni 40 vjeç. Për sa kohë ende mendoni t’i bëni këto gjëra?

Djema, me kë më ngatërroni? Nuk jam djalë plazhesh që kalon ditën duke bërë muskuj. Unë punoj në palestër, në fushë, ushqehem si duhet, pushoj shumë, por edhe mundohem të përshtat lojën me ato që janë sot cilësitë e mia.

Si shumë i butë po shfaqeni zoti Ibrahimoviç…

I tillë jam. Ata që më njohin e dinë fort mirë se çfarë zemre kam. Kur nuk më njeh, është e lehtë të më gjykosh apo të më urresh.

Po kërkoni dashurinë e të gjithëve tani?

Jo, jo, dua që të shfaqësh pak mirënjohje për xhentilesën që po tregoj. Dashuri apo urrejtje, ndjenja janë. Shikoni tifozët e Interit. Më donin sa isha në ekipin e tyre, ndërsa kur ika më urryen. Fundja, çfarë është dashuria?

Është familja dhe të afërmit…

Pikërisht. Njerëzit ndryshojnë. U bën mirë e të duan e më pas vendosin të largohem. Dashuri është kjo? Nëse është kështu atëherë nuk dua të më duan.

zlatan-ibrahimovic-ac-mailand-1603008323-49388

Kërkoj të më vlerësojnë nëse bëj diçka si duhet e ju siguroj se çdo gjë e bëj me zemër e pa kamera rrotull. Sigurisht që edhe unë kam ndihmuar shumë e kam dhuruar para pa rënë në sy. Nuk pres të më duan duke bërë gjëra që më pas të thonë: “Oh çfarë djali”. Ka dallim të madh.

A është kjo ana e shëmtuar e futbollit të sotëm?

Jo vetëm e futbollit, por e gjithë botës. Të gjithë kërkojnë të shmangin tjetrin e për ca kohë i shpëtojnë realitetit, por një ditë duhet të ballafaqohen me të vërtetën. Marrim Taiger Udsin (golfisti më i madh i të gjitha kohërave i përfshirë në disa skandale). Supozohej se ishte djali më i përsosur në rruzull derisa u zbulua historia që të gjithë e dimë tashmë.

Ndaj, them se duhet të jesh vetvetja sepse përndryshe jeta të sjell “llogarinë” e cila nuk mund të mos paguhet. Bëj atë që dëshiron, e jo atë që duhet sepse përndryshe manipulon veten dhe të tjerët. Unë nuk manipuloj askënd dhe në rrjete sociale nxjerr veten. Nuk ka dy Zlatanë.

E thënë frëngjisht, pa makijazh?

Pa filtra…

Kur ju pyes për dashuri të fituar, më shkon mendja te himni suedez të cilin më në fund e keni mësuar përmendesh. Po e bëtë që t’ju donin në atdhe?

Kur isha i vogël, nuk ndihesha suedez. Fundja, nëna ime është kroate e babai boshnjak. Prejardhjet e tyre më bënin të ndihesha i ndryshëm, por edhe mënyra se si më trajtonin njerëzit të cilët me shihnin me sy tjetër. Normal që nuk do të ndihesha suedez. Nëse do të më kishin pranuar më herët, do të isha ndier 100 për qind suedez, pikërisht ashtu siç ndihem sot. Isha i ri, mendoja ndryshe, por në këtë moshë e kuptoj që jam 100 për qind suedez.

Jam Suedia e re. Bota ka ndryshuar tashmë. Jemi në 2021-shin dhe kudo ka përzierje dhe larmi. Jo gjithkush e kupton dhe sillet në mënyrë të caktuar e cila më pas ndikon në ndryshimin e dikujt tjetër i cili mbase nuk ka përvojën e mjaftueshme për të mos u ndikuar. Kur je i vogël, të trondit edhe një ndryshim shkolle, por njerëzit mjaftohen me një “Do të kalojë, do të mësohet”. Nuk është ashtu, gjithçka lë pasoja e disa i vuajnë përjetë.

ibra

Jeni sqaruar me yllin amerikan të basketbollit, LeBron Xhejms?

I këshillova asokohe të mos merrej me politikë sepse ashtu si unë, është sportist global. Sporti i bashkon njerëzit, politika i ndan. Profesioni më ka mundësuar të njoh njerëz e të shoh vende që vështirë se do t’i kisha parë në kushte normale. Politika dhe sporti janë dy gjëra të ndryshme që nuk duhen përzier. Nëse je inteligjent, e kupton ku e kam fjalën…

Mos ndoshta ju nuk doni të merrni një pozicion të saktë në çështjet e racizmit?

Nuk ka të bëjë me frikën apo pozicionet, por me mesazhin që dëshiron të japësh. Politikën tënde nuk mund t’ia imponosh botës, ndërsa si sportist ke shansin të dhurosh gëzim dhe dashuri.

Ka dhimbje, vështirësi një si Ibrahimoviçi?

Varet nga momenti të cilin po kalon një jetë. Në situatën pandemike që po jetojmë shumë gjëra nuk janë si ato që ishim mësuar. Së fundmi kam dalë në publik, kam darkuar jashtë dhe kam shëtitur mes njerëzve. Më është dukur e jashtëzakonshme sepse kisha humbur ndjesinë e normalitetit. Mezi prita të kthehesha në shtëpi. Jemi mësuar me maska e me frikën tashmë. E gjithë kjo do të ketë pasoja të cilave u druhem.

Pra, keni frikë edhe ju? Varet për çfarë frike flisni?

Unë nuk kam frikë të përballoj sfidat, por kur je prind, pika jote e dobët janë fëmijët. Frikë nuk kam, por pjesë ku ndjeshmëria është më e madhe sigurisht që kam. Jeta ime varet prej fëmijëve të cilët janë gjëja më e rëndësishme. Tashmë nuk dua t’ia di për vete, por për atë që mund t’u ndodhë atyre (Zlatani ndalon së foluri). Djema, u bë 30 minuta që po flasim. Nuk ju jap më kohë, sepse kushton të flasësh me mua dhe mbase nuk e përballoni dot.

zlatan-ibrahimovic-milan-derby-696x463

Pse, sa kushtoni ju?

Shumë. Pyesni ata të PSGsë.

Pra, nuk do të na jepni edhe pesë minuta?

Në rregull, por nxitoni pak se kam edhe punë të tjera.

Donim të flisnim pak për tërheqjen tuaj nga futbolli i luajtur. Do t’i ndërprisni të gjitha marrëdhëniet me këtë sport?

E kam menduar. Çdo lojtar e mendon ditën e largimit. Gjatë karrierës gjërat janë të programuara me orar. Kur do të zgjohesh, kur do të hash, kur do të punosh. Shumë punë t’i kryejnë të tjerët, ndërkohë që je në stërvitje. Kur kthehesh, ha përsëri, pushon e kalon kohë me familjen. Vite të tëra dhe e njëjta jetë. 25 në rastin tim. Kur të vendos tërheqjen, do të nevojitet që të dal jashtë programit. Nuk e di si do të sillem, por i druhem pak. Sidoqoftë, do ta mendoj më mirë kur të vijë momenti.

Në Francë, ky lloj largimi quhet “vdekja e vogël”…

Shumë e drejtë. E saktë fare. Çdo gjë varet nga personaliteti, si reagon, si vepron. Nuk është e lehtë, por të shohim.

Pasi të lini profesionin do të filloni të hani e të pini çfarëdo që t’ju dalë përpara?

Dua të zhdukem kur të mbyll gjithçka me futbollin. Vetëm unë e di çfarë kam hequr duke pasur një karrierë të tillë. Fizikisht dhe mendërisht. Ndaj, më duket e drejtë të përfitoj e të zhdukem për të shijuar jetën time.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"