Nga VAR-i te Milani, ja zhgënjimet më të mëdha të sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 19:27

Nga VAR-i te Milani, ja zhgënjimet më të mëdha të sezonit

Të shumta kanë qenë lëvizjet e skuadrave gjatë merkatos së verës 2017, dhe me sezonin e ri që ka shënuar javët e tij të para, jo të gjitha lëvizjet kanë qëlluar në shenjë. Shumë zhgënjime janë pikasur në këtë fillim sezoni dhe ne ju sjellim disa prej tyre, të cilat deri më tani kanë bërë bujë nëpër Europë.

Milan3

BAJERN MYNIH – Është e qartë se gjërat nuk kanë shkuar aspak sipas pritshmërive në një klub të madh si Bajerni i Mynihut kur vetëm pas gjashtë javëve të para, trajneri Karlo Ançeloti është pushuar. Kampionët në fuqi të Bundesligës janë tashmë të dytët në renditje, 5 pikë prapa Borusias së Dortmundit por ‘bomba’ plasi pas humbjes së rëndë nga PSG.

Martinez

Edhe pse është ende herët dhe një skuadër me emër si Bajerni ka mundësi ta kthejë të gjithë këtë situatë, tifozët nuk janë mësuar me këtë gjendje në ekip dhe tashmë presin kthesën. Besimin nuk e kanë humbur. Duket si çmenduri, por në stol kanë një prej të preferuarve të tyre, gjermanin Jup Hejnkes.

Bajerni

VAR – Mendohej të ishte e ardhmja e gjykimit në futboll. FIFA është e vendosur ta përdorë gjatë Kupës së Botës në Rusi, dhe kampionate të mëdha si Seria A apo Bundesliga e kanë vënë në përdorim këtë teknologji të re. Por, sidoqoftë, ky sistem i ri teknologjik vazhdon të ngrejë shumë pyetje.

Var

Në Gjermani, dyshimet për cilësinë e kësaj teknologjie ngrihen vazhdimisht, ndërsa në Itali nuk kalon javë futbollistike pa ‘sulmuar’ VAR-in. Ky sistem i ri mbetet ende tepër i ngatërruar dhe deri në këtë fillim sezoni mund të themi se ka zhgënjyer.

VAR

AC MILAN – 200 milionë euro në merkato nga presidenca e re, blerje si Leonardo Bonuçi dhe Hakan Çalhanoglu dhe një rinovim i bujshëm kontrate për Xhixhi Donarumën bënë të mendohej se kuqezinjtë do riktheshin si në kohët e tyre të arta, pse jo edhe konkurrues për Serinë A ndaj kampionëve në fuqi të Juventusit.

Milan

Por, tre humbje në kampionat në shtatë ndeshjet e para e kanë lënë Milanin pas në vendin e shtatë në renditje, teksa presioni bie i gjithi mbi trajnerin Montela, i cili nuk ka arritur të krijojë lojën që të gjithë tifozët prisnin me zell të madh. Mund të thuhet me siguri se jo çdo gjë ka shkuar sipas planit në shtëpinë e djallit.

Milan2

VIKTOR LINDELOF – U ble nga Benfika për 31 milionë paund, dhe pritshmëritë ishin të mëdha se Viktor Lindelof do përbënte shtyllën e qendrës së mbrojtës së Mançester Junajtid përkrah Erik Bejli. Por, suedezi është vendosur vetëm një herë titullar në skuadër nga Hoze Murinjo dhe ende nuk ka dhënë atë që të gjithë presin.

Lindelof

23 vjeçari mbetet ende alternativë e Fil Xhons dhe Kris Smolling në formacionin titullar. Shpresa e vetme është se të njëjtin fat pati edhe Henrik Mikitarian me ardhjen e tij në Angli, ku nuk gjeti shumë hapësira, por me ambientimin në ishull ai arriti që këtë sezon të jetë zgjedhje e parë në formacionin e trajnerit portugez.

De Burn

FRENK DE BUR – Ish-lojtar me emër i Barcelonës, Ajaksit dhe Hollandës, nga Frenk de Bur pritej shumë kur u vendos në krye të skuadrës së Kristal Palas, edhe pse nuk kishte patur një përvojë të mirë në karrierën e tij drejtuese kur ishte në krye të Interit. Pas vetëm katër ndeshjesh në Premier Ligë, drejtuesit e Kristalit vendosën të ndajnë udhët me ish-mbrojtësin pasi jo vetëm që nuk mori asnjë pikë në krye të stolit, por nuk arriti që ekipi i tij të shënojë qoftë edhe një gol. Pasuesi i tij Roi Hoxhson ka bërë pak më mirë, edhe pse sfida të vështira e presin, por vështirë se për De Bur do ketë oferta të tjera për punë…

wayne-rooney-everton_1wy6h50rau4em19yap49ru0kdv

EVERTON – Evertoni u cilësua si ‘mbreti i merkatos’ në ishullin Britanik. Uejn Runi ishte rikthyer në shtëpinë e tij dhe me rreth 150 milionë paund të shpenzuara në merkato pritej shumë klubi anglez. Pas shtatë ndeshjeve të para, Evertoni ndodhet në vendin e 16-të, dhe ka marrë vetëm një pikë në Europa Ligë. Dështimi i një emri të madh si Ronald Koman është i qartë dhe në “Gudison Park”, tifozët do t’i cilësojnë blerjet e kësaj verë si disa nga më të dështuarat në epokën modern të klubit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"