Panajot Pano, 45 vite nga ndarja me futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 25, 2020 | 13:08


Panajot Pano, 45 vite nga ndarja me futbollin

UVIL ZAJMI

Ka qenë e shtunë, 25 maj i vitit 1975. Në “Qemal Stafa” përballë janë Partizani-17 Nëntori 1-2 (Breca 70’/Dibra 66′, 85′). Një sfidë mbi sfidat, gjithmonë të tensionuara që e ka shoqëruar në vite rivalitetin në fushë, midis tifozërive në tribuna, deri edhe me ndikim në jetën sociale e politike në vend. Por, ajo mesditë ka edhe një tjetër eveniment madhor, që do të organizohej brenda saj. Panajot Pano (1939-2010), legjenda e Partizanit, Kombëtares, lojtari më popullor në Shqipëri, i admiruar në çdo qytet, mjedis sportiv, ka vendosur të ndahet përfundimisht me futbollin dhe për këtë, ai ka zgjedhur derbin e dy klubeve, dy fanellave me të cilat është e lidhur karriera e jashtëzakonshme 20-vjeçare e tij.

Panajot dhe Ledio Pano

Pa rivalë, e shkëlqyer, spektakolare, kampion, gola, fitore, protagonist absolut në futbollin kombëtar. Me SK Tiranën e filloi, për të përfunduar me Partizanin. Të pranishëm atë ditë në “Qemal Stafa”, e pamë Panon ta niste lojën si kapiten, por pas 22 minutash, kur arbitri ndërkombëtar R. Pregja vërshëlleu, kishte ardhur çasti ceremonial. Një stadium ka mbajtur frymën, e pabesueshme, por e vërtetë: Panajot Pano do të ndahej me futbollin, tifozët, admiruesit. Kishte keqardhje…Pastaj duartrokitje, për shumë, shumë minuta për “Gjeniun e topit”.

Në radio, nga Bellova, në TV nga Grillo, nga Shqarri në mbrëmje, shqiptarët do të mësonin se kolosi Pano i kishte dhënë lamtumirën futbollit. Një festë madhështore, çaste të papërshkueshme kur ai i ka dorëzuar fanellën Agim Muratit. Pastaj një xhiro sipas traditës me Ledion, djalin shtatëvjeçar, shoqëruar me brohoritje entuziaste nga të gjithë. Ka qenë 25 maji i vitit 1975, fiks 45 vite më parë, një ngjarje që lexuesve të saj “Panorama Sport” ua sjell vetëm me foto të rralla që përcjellin emocionet e asaj dite, atyre momenteve.

Në kujtim të Panos, familjes, tifozëve, për të gjithë ne që e kemi parë, jetuar nga afër atë legjendë, që i tillë vazhdon të jetë, edhe pse nuk jeton. Ende më ka mbetur në memorie kanatierja me 10-tën që stamponim kur ishim të vegjël, sepse ishte numri i tij. Adhuronim Panon, imitonim atë, donin të bëheshim si ai. Ka qenë një idhull edhe për ne. Për mua, në veçanti, kur e ndiqja tek ishfusha e vjetër, përballë pallatit të sportit, e prisja kur mbaronte stërvitjen, doja ta shihja nga afër, ta prekja, të më fliste.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com