Nga tutat te taktika, si e ndryshoi Juvja Sarrin në 5 lëvizje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 12:14

Nga tutat te taktika, si e ndryshoi Juvja Sarrin në 5 lëvizje

Mauricio Sarri në pankinën e Juventusit është një zgjedhje, e cila në verë theu çdo precedent të skepticizmit. Alegri vërtet u prit me pështyma dhe me gurë në vitin 2014, por ajo për të afruar në Torino një napolitan si Sarri, që për më shumë nuk kishte ngurruar asnjëherë që të polemizonte jo vetëm me drejtuesit e klubit bardhezi, por mbi të gjitha me tifozët, krijoi një tension vërtet të madh.

mauricio sarri

Por, ndërkohë që kanë kaluar 4 muaj, duket se trajneri i urryer po arrin që të fitojë pak nga pak zemrat e ultrasve bardhezi, falë stilit të lojës që po urdhëron, por edhe nga ndryshimi total i sjelljeve të tij në publik. Dhe të gjitha këto veçori ose, më saktë, ndryshime drastike të 60-vjeçarit Mauricio Sarri i ka stiluar e përditshmja torineze “TuttoSport” në një artikull të ditës së djeshme.

Makthi i tutave – Një nga problemet me të cilat trajneri i ri duhej të përballej ishte stili i veshjes, pasi në çdo skuadër që ka qenë ai ka refuzuar gjithmonë që të vishej me kostum. Gjithsesi, siç theksohej edhe nga brenda klubit bardhezi, “trajneri i Juves nuk mund të mos jetë i prezantueshëm në veshje.

Një klub prestigjioz nuk mund të pasqyrohet në një trajner që vishet me tuta”. Por për të gjetur një vijë të mesme mes pretendimeve të trajnerit dhe të drejtuesve të Juves ka menduar sponsori teknik “Adidas”, i cili krijoi një kostum blu, me pantallona komode gjysmëtutë si dhe një bluzë “Polo”, e cila është më se e pranueshme në këtë stinë të vitit, edhe pse duhet kuptuar se cila do të jetë zgjidhja e dimrit, sidomos në Torino temperaturat janë shumë të ulëta.

mauricio sarri

Rrotacioni – Duke hyrë më në brendësi të “stofit” futbollistit, një tjetër skepticizëm mbi figurën e Mauricio Sarrit lidhej me faktin se ai ishte një trajner që nuk besonte te rrotacioni. Në periudhën te Napoli atij mund t’i mjaftonin 13/14 futbollistë për të qenë i kënaqur, sepse në kaq pak zgjidhje bazohej edhe rrotacioni i tij. Por diçka të tillë Juventusi nuk mund t’ia lejonte, aq më shumë në këtë Juventus aktual, i cili është i mbushur me yje.

Në 9 ndeshje të para sezonale, Sarri ka habitur të gjithë, duke qenë se mes kampionatit dhe Champions-it ka përdorur 22 lojtarë të ndryshëm, ndërkohë që mes aventurave te Çelsi dhe Napoli iu desh një sezon i tërë për të provuar respektivisht 21 dhe 17 lojtarë të ndryshëm.

Për më shumë, te Juventusi aktualisht janë 16 lojtarë të ndryshëm që kanë luajtur të paktën 50 për qind të ndeshjeve (ishin 15 te Napoli dhe 14 te Çelsi), por në të njëjtën kohë në Torino janë 18 lojtarë që kanë luajtur të paktën 20 për qind të ndeshjeve (ishin 16 në dy aventurat e mëparshme). Dhe këta numra tregojnë se si ka ndryshuar edhe në arsyetimin tekniko-taktik 60-vjeçari.

Menaxhimi i yjeve – Nëse te Napoli dhe te Çelsi yjet e këtyre dy skuadrave ishin të paprekshëm në çdo ndeshje, sepse në rast se dikush prej tyre lihej jashtë mund të shpërthente një polemikë e madhe, në katër muaj Sarri ka arritur të zbusë edhe një si Kristiano Ronaldo.

SARRI

Madje, portugezi jo vetëm e vlerëson dhe mbështet idenë e lojës së trajnerit të ri, por kanë rënë dakord edhe për disa pankina të detyruara për të menaxhuar forcat. Por më shumë sesa kjo, Sarri ka gjetur guximin, i mbështetur edhe nga drejtuesit e Juves, që të mund të lërë jashtë listës Champions edhe dy kampionë si Mario Manxukiç dhe Emre Xhan, dy lojtarë që do të ishin titullarë në çdo skuadër tjetër italiane.

Revolucion taktik – Tjetër skepticizëm lidhej me “nuancën” taktike. Gjithmonë besnik i 4-3-3, në Torino Sarri ka vendosur të ndryshojë dhe t’u përshtatet edhe cilësive të lojtarëve, jo vetëm kërkesave të tij bazë. Prandaj, së fundmi është parë shpesh edhe kalimi në 4-3-1-2 apo edhe në 3-4- 3 në disa pjesë të lojës. Jo keq për një që konsiderohej një “diktator”…

sarri

Komunikimi – Vulgariteti shpeshherë ka qenë kryefjala e konferencave të tij për shtyp, por në Torino dhe sidomos te Juventusi të tilla gjëra nuk lejohen. Me t’u veshur bardhezi, Mauricio jo vetëm që ka ulur tonet, por është bërë shumë i disponueshëm për median. Klubi i ka kërkuar që të heqë dorë nga tonet e ashpra dhe mbi të gjitha nga akuzat, sidomos ato ndaj arbitrave, të cilat nuk mungonin thuajse kurrë në periudhën e Napolit, edhe sikur të fitonte madje…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"