Nga trofetë e fituar e deri te agjenti i Levës, ja rrugëtimi i Strakoshës me Lacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 18:47

Nga trofetë e fituar e deri te agjenti i Levës, ja rrugëtimi i Strakoshës me Lacion

Strakosha mbërriti te Lacio në vitin 2012 nga grekët e Panioniosit për 75 mijë euro, për t’u bërë portieri i parë i ekipit Primavera. Në sezonin 2012- 2013 ai ka qenë në stol me skuadrën e parë, ndërsa në vitin 2015 u huazua te Salernitana në Serinë B. Kthehet një vit më vonë dhe me dëmtimin e Marketit dhe ikjen e Etrit Berishës tek Atalanta, Strakosha debuton me Lacion më 20 shtator kundër Milanit dhe ndeshjen e fundit e luajti të shtunën kundër Veronës.

strakosha

SHIFRAT ME LACION – Në gjashtë vite si portieri i ekipit të parë të Lacios, që nga shtatori i 2016-ës, Tomas Strakosha arriti të mbronte portën e “Shqiponjave” për 207 ndeshje, me një total prej 18.644 minutash. Gjithsej ai ka pësuar 244 gola dhe ka arritur të mbajë të paprekur portën në 62 takime. Është ndëshkuar 15 herë me karton të verdhë, ndërsa e veçanta është që portieri nuk është ndëshkuar asnjëherë me karton të kuq.

TROFETË E FITUAR – Në karrierën e tij me klubin kryeqytetas, Tomas Strakosha ka fituar një kampionat dhe një Kupë të Italisë me ekipin e Primaverave, përkatësisht në sezonet 2012- 2013 dhe 2013-2014, ku ishte titullar i padiskutuar. Ndërsa me skuadrën e parë të Lacios ai është fitues i këtyre trofeve: 2 Kupa të Italisë në 2012-2013 dhe 2018-2019 dhe dy herë Superkupën e Italisë në sezonet 2017-2018 dhe 2019-2020. Në total ka fituar 6 trofe.

AGJENTI I LEVËS – Portieri i Kombëtares, tashme një lojtar i lirë pas largimit nga Lacio, ka lidhur një marrëveshje me agjentin e njohur të futbollistëve Pini Zahavi, i cili ka në menaxhim Robert Levandovskin, Karasko, Tejes, Nkunku, Hojbjerg dhe shumë lojtarë të tjerë. Shumë shpejt pritet edhe firma për Fulhamin, me një kontratë katërvjeçare. Detajet e tjera në lidhje me rrogën që do të përfitojë portieri do të dalin kur çdo gjë të bëhet zyrtare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"