Nga tribuna në goleador, sulmuesi i Lushnjës në dilemë: Kam marrë disa oferat për tu larguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 11:42

Nga tribuna në goleador, sulmuesi i Lushnjës në dilemë: Kam marrë disa oferat për tu larguar

Lushnja do të luajë të paktën edhe një sezon në Kategorinë e Parë. Ishte ndër pretendentet kryesore për ngjitjen në Superiore gjatë kampionatit që u mbyll, duke u bazuar te përbërja e lojtarëve dhe përvoja e tyre, por fundi e gjeti këtë skuadër në vend të tretë, duke e lënë edhe jashtë “play off”-it.armando mezini

MEZINI – Lushnjarët kishin në skuadër sulmues nga më të mirët e Kategorisë së Parë, dy ekspertë si Fatjon Sefa dhe Mikel Canka. Por, këtë sezon ka spikatur me fanellën verdhejeshile Armando Mezini, i cili ka bërë kampionatin më të mirë në karrierë. Futbollisti 28-vjeçar shënoi 9 gola, por interesant është fakti se ai e nisi kampionatin nga tribuna e më pas përfundoi një ndër protagonistët kryesorë. Me dëmtimin e Sefës dhe largimin e Allkanjarit, Mezinit iu dha mundësia të aktivizohej për herë të parë në javën e tetë të kampionatit, në ndeshjen Lushnja-Turbina, ndërsa në ndeshjen e parë si titullar, transfertën me Shënkollin, ai realizoi golin e parë. Me një ecuri të admirueshme shkoi deri në kuotën e 9 golave dhe të gjithë shumë të rëndësishëm për skuadrën.

“Në futboll priten të gjitha, asgjë nuk mund të parashikohet. E firmosa kontratën me Lushnjën për sezonin që lamë pas si një lojtar stoli, por ishte një kampionat mjaft pozitiv për mua, një kampionat shumë i gjatë edhe për shkak të pandemisë. Për momentin po shijoj pushimet, edhe pse buxheti i këtij viti për mua ka qenë disi i vakët. Shpresoj që në të ardhmen të fitoj më shumë. Nuk kam folur ende me klubin për sezonin e ardhshëm, por mund të them se që tani më kanë kontaktuar disa ekipe të tjera. Nëse do të jem te Lushnja, e di që na pret një kampionat shumë i fortë”, është shprehur sulmuesi Mezini për “Panorama Sport”.

Pas humbjes me Pogradecin në javën e fundit të kampionatit, lushnjarët kanë marrë pushimet, pasi u shuan shpresat për Superioren me anë të ndeshjeve shtesë. Është thënë se skuadra do të rikthehet në fushë të hënën e 17 gushtit për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, por kjo ende jo në rrugë zyrtare.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"