Nga Trashi, te stafi dhe Hakaj. Ja kronologjia e përplasjeve të Lerdës te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 23:22

Nga Trashi, te stafi dhe Hakaj. Ja kronologjia e përplasjeve të Lerdës te Partizani

Përplasjet e trajnerit Franko Lerda me pjesëtarë të stafit dhe me lojtarët kanë nisur që gjatë fazës në Slloveni.

lerda partizani

Ai ka dashur të veprojë me “dorë të hekurt” që në fillim, me shpresën për t’i bërë të gjithë zap dhe gjithçka të funksiononte sipas urdhrave të tij. Deri diku ia ka arritur, por disa herë situata i ka dalë nga kontrolli.

FAZA NË SLLOVENI- Kronologjia e përplasjeve nën drejtimin e Lerdës është e pasur dhe gjithëpërfshirëse. Gjatë fazës në Slloveni, ai ka pasur një përplasje me menaxherin e klubit, kryesisht për aspektin menaxherial të stërvitjes dhe për të mos agravuar situatën, ky i fundit është tërhequr nga faza dhe ka ardhur në Shqipëri.

Përplasje ka pasur edhe me pjesëtarë të stafit mjekësor gjatë fazës në Slloveni, ku ka kërkuar që çdo veprim i tyre apo hyrje në fushë të mos bëhet pa urdhrin e tij. Me stilin dhe karakterin e tij, Lerda shpeshherë ka hapur disa “vatra zjarri”. Marrëdhënia e ngrirë me Lorenc Trashin në fillim të fazës përgatitore verore mësohet se ka nisur për arsye disiplinore në stërvitjen në Slloveni dhe për këtë shkak nuk e aktivizoi në ndeshjet e para në Europë.

lerda trashi

KUPAT E EUROPËS- “Vatra e zjarrit” sa u përket lojtarëve u zgjerua edhe me Jasir Asanin, që e nisi nga stoli duelin me Sherifin apo me Emanuel Mensah, të cilin pa asnjë shpjegim e dërgoi në tribunë, gjersa e detyroi këtë të fundit që të largohej përfundimisht. Pakënaqësi për trajnerin ka pasur edhe nga Lukas Kradozo dhe Tijan Jaiteh, që nuk i përfillte fare as në stërvitje dhe që i largoi.

ME STAFIN- Ndërsa përplasjet me stafin teknik, kryesisht dyshen Mehmeti-Sakone, kanë qenë të shumta dhe për shkaqe të ndryshme. Por situata u përkeqësua pas ndeshjes së parë me Sherif Tiraspolin, ku trajneri Lerda dhe ndihmësit e tij u përplasën keq dhe ishin shumë pranë kontaktit fizik. Drejtuesit e klubit vendosën që të distancojnë përgatitësin Sakone nga ekipi i parë, në mënyrë që Franko Lerda të vijonte misionin e tij dhe në staf i afruan një besnik të tij, përgatitësin atletik, Xhakomo Kofano.

PERIUDHA E KAMPIONATIT

Kronologjia e përplasjeve të trajnerit Lerda pasurohet edhe me periudhën e përgatitjeve dhe zhvillimit të ndeshjeve në shtatë javët e para. Përplasje në stërvitje ka pasur me disa, ku në një rast e ka pësuar Trashi që e ka larguar nga stërvitja, por të nesërmen ka qenë titullar.

Pakënaqësi me trajnerin kanë shfaqur edhe lojtarë të tjerë, kryesisht Asani, që zëvendësohet sistematikisht nga trajneri, apo edhe futbollistë të tjerë që pretendojnë më shumë minuta në fushë. Përplasje në hapat e para Lerda ka pasur edhe m e mediat, ku në dy raste ai ka braktisur intervistat e drejtpërdrejta për “RTSH”. Rasti “Hakaj” shënon thjesht serinë e radhës në telenovelën e përplasjes së Franko Lerdës gjatë ushtrimit të detyrës si trajner i Partizanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"