Nga trajneri te lojtarët e skuadrës, Erzeni është i gjithi në “ajër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2022 | 16:22

Nga trajneri te lojtarët e skuadrës, Erzeni është i gjithi në “ajër”

Erzeni u rikthye në Kategorinë Superiore pas plot 19 vitesh, teksa për herë të fundit kishte qenë në elitën e futbollit shqiptar në sezonin 2002- 2003. Skuadra shijakase e mbylli kampionatin e Kategorisë së Parë në vendin e dytë, duke fituar të drejtën e ngjitjes direkte. Të besuarit e Nevil Dedes bënë një sezon mjaft të mirë, duke merituar ngjitjen.

Erzeni2

Nga porta në sulm skuadra kishte emra shumë të njohur, madje edhe kampionë në Superiore, duke filluar me Isli Hidin që ka qenë pjesë edhe e Kombëtares. Mirëpo, pas përfundimit të këtij sezoni, në Shijak gjithçka është ndalur. Se çfarë do të bëhet me skuadrën që do të përfaqësohet në Superiore askush nuk është në gjendje ta thotë aktualisht. “Panorama Sport” mëson nga burime në klub, se nuk është përcaktuar ende se cilët do të jenë drejtuesit që do të formatojnë skuadrën e Superiores.

Nga trajneri Dede dhe të gjithë lojtarët që rikthyen në elitë Erzenin, nuk e kanë të qartë ende se çfarë planesh ka klubi. Bisedime me rinovim të kontratave mësohet se nuk ka me asnjë futbollist për momentin, pasi më parë duhet të përcaktohet buxheti që do të ketë në dispozicion klubi e për të vijuar me drejtuesit që do të merren me anën teknike.

I paqartë është edhe fakti se ku do të zhvillojë ndeshjet si vendës ekipi shijakas. Stadiumi “Tokif Jashari” nuk i plotëson kriteret për licencim, pasi duhet një investim i madh për të përmbushur kërkesat e FSHF-së. Megjithatë, plani B është stadiumi “Niko Dovana” i Durrësit, paçka se zyrtarisht ende nuk ka ndonjë marrëveshje mes palëve. Lojtarët presin një sinjal nga klubi për të përmbyllur edhe detyrimet e prapambetura që kanë, në mënyrë që më pas t’u hapet rruga bisedimeve për marrëveshje të reja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"