Nga Tomori te Tomori, kapiteni Spaho: Na mungojnë pikët, do ndryshojmë pamje në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 19:45

Nga Tomori te Tomori, kapiteni Spaho: Na mungojnë pikët, do ndryshojmë pamje në kampionat

Nga Tomori te Tomori. Lushnja harron humbjen 3- 0 në Kupë dhe përqendrohet te kampionati. Këtë të shtunë udhëtojnë në Berat, për të matur sërish forcat me skuadrën e Klevis Dalipit.

mikel spaho

Në ndryshim nga ndeshja e së mërkurës, Ilir Gjyla këtë herë do të hedhë në fushë “artilerinë” e rëndë. Basha, Lajthia, Zani, Hima e Hugo e ndoqën ndeshjen nga tribuna dy ditë më parë, por në fundjavë prej tyre pritet shpërthimi. Skuadra nuk e ka gjetur ende rrugën e golit dhe as fitoren, ndaj pritshmëritë janë të mëdha. Në një prononcim për gazetën, kapiteni Mikel Spaho shprehet:

“Kundërshtari e dominoi takimin e Kupës, ndërsa ne nuk bëmë asgjë. Tomori tregoi cilësi dhe vlera. Tani po përgatitemi për kampionatin dhe e dimë mirë se përballë do të kemi një ekip shumë cilësor”, është shprehur portieri 39-vjeçar. Lushnja i ka bërë një nisje të dobët kampionatit, teksa ka grumbulluar një pikë në dy ndeshje.

Në të njëjtën situatë është edhe kundërshtari i tyre. “Është një ndeshje e vështirë, pasi na mungojnë pikët. Ekipi ynë ka besim se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Do të kërkojmë rezultatin pozitiv, që na duhet me patjetër. Në Berat, përballë Tomorit do të jetë e vështirë, por do të japim maksimumin e mundësive tona. Është një ndeshje ‘derbi’ dhe gjithçka mund të ndodhë”, deklaroi kapiteni dhe portieri i Lushnjës, Mikel Spaho.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"