Nga Tirana te Tirana, Bylisi në udhëkryq. Goli “ngërç psikologjik”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2020 | 20:02

Nga Tirana te Tirana, Bylisi në udhëkryq. Goli “ngërç psikologjik”

Një muaj pa fitore në kampionat e tashmë te Bylisi është bërë pak psikologjike. Kjo është vënë re edhe në rastet që lojtarët shpërdorojnë. Bylisi ka shpërdoruar në Laç, por edhe në Gjirokastër sidomos, pa thënë se edhe me Flamurtarin dy javë më parë në Ballsh, skuadra e trajnerit Dovedan gaboi shumë në sulm. Në Gjirokastër Guindo, Mozone, Janku, Goxhaj e Hadroji shpërdoruan raste flagrante.

bylisii

Duket se mungesa e fitores e ka kthyer në ngërç psikologjik golin. Tirana – Bylisi, sipas kalendarit, ditën e premte pret në fushën e vet skuadrën e Tiranës, ekipin më në formë të Superiores. E si për ironi të fatit, Bylisi nisi “rënien e lirë” fill pas humbjes me Tiranën në kryeqytet.

Një disfatë që u kontestua për dy golat e Tiranës. Sfida e së premtes paraqet tjetër histori, ndërsa ballshiotët do të kërkojnë të marrin 3 pikët dhe të bëjnë kthesën. Tashmë, Europa nga kampionati duket “mollë e ndaluar” për ballshiotët që janë afruar dukshëm me zonën “play out”. Një muaj pa fitore në kampionat ka bërë që Bylis të ketë rënie drastike në renditje dhe sidomos mungesa e 3 pikëve ndaj Flamurtarit në Ballsh dhe Luftëtarit në Gjirokastër, u kanë kushtuar shumë të besuarve të trajnerit Dovedan.

Përgatitjet – Ballshiotët do të zbresin sot në fushën e stërvitjes, ndërsa tashmë të gjithë janë të përqendruar te sfida më e vështirë e kësaj faze, me Tiranën. Në plan është që të luhet ditën e premte në orën 14:00, por mbetet për t’u parë. Në Ballsh duket se tashmë kanë nisur që t’i bëjnë llogaritë ndryshe dhe duan që të shmangin sa më parë zonën e “play out”-it, ndërsa trajneri Dovedan ka nisur që të mendojë bashkë me presidentin dhe skuadrën për sfidën e radhës me Tiranën në shtëpi.

Trajneri – Mund të ketë pasur aludime, por situata në Ballsh është e mirë. Stërvitja është me të njëjtat ritme, si nga trajneri Dovedan dhe stafi, ashtu edhe nga lojtarët të cilët kanë të njëjtin obligim. Nga ana e presidentit Kapllanaj ka qenë çdo gjë korrekte në aspektin financiar, pro edhe me premio. Trajneri Dovedan është i konfirmuar ka gëzuar dhe vazhdon që të ketë besimin e plotë të presidentit.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"