Nga starti tek objektivat e Apolonisë, flet portieri Çako: Nuk ishte, arbitri gaboi me penalltinë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 23:10

Nga starti tek objektivat e Apolonisë, flet portieri Çako: Nuk ishte, arbitri gaboi me penalltinë!

Humbja në “Loni Papuçiu” dhemb ende, e megjithatë vend për dramë nuk ka. Në Fier nuk kanë në plan që të dorëzohen kaq shpejt, ndaj kanë mbledhur direkt forcat dhe janë gati për 90-minutëshin e radhës. Luajnë sërish në shtëpi dhe përballë do të kenë Shkumbinin e sapongjitur në këtë ligë dhe që vjen nga një fitore.

Endrit Cako

Megjithatë, tek Apolonia llogarisin vetëm kthesën. Këtë e paralajmëron edhe Endrit Çako, në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Teksa skanon nisjen e sezonit dhe objektivat, ndalet edhe te penalltia që u dha në favor të Erzenit. Duke qenë se gjithçka ngjau në zonën e tij, portieri e ka parë qartë dinamikën e aksionit dhe hapur e thotë që arbitri Indrit Myrtja gaboi.

E nisët kampionatin me humbje, a do të ndikojë kjo në ecurinë e Apolonisë?

Aspak. Vërtet humbëm me Erzenin, por është vetëm java e parë. Nuk ka vend për demoralizim, ndonëse nuk duhet të dilnim duarbosh nga ai 90-minutsh. Gjithsesi, një humbje nuk mund të ndikojë assesi në ecurinë tonë këtë kampionat. I kemi idetë dhe synimet të qarta për këtë sezon. Ne shohim gjithnjë përpara dhe këtë bëmë direkt. Prej ditësh po mendojmë për ndeshjen e radhës, të cilën do ta luajmë në fundjavë kundër Shkumbinit.

Të ndalemi pak te penalltia që vendosi javën e parë dhe që e kontestuat gjatë. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë rast?

Mendoj që të gjithë e kanë parë atë penallti dhe mund ta vlerësojnë vetë. E megjithatë, për mua ka qenë një vendim i gabuar i arbitrit kryesor dhe shpresoj që të ketë sa më pak vendime të tilla në vazhdim.

Ndeshja e radhës në shtëpi, cili është synimi juaj dhe si është atmosfera në ekip?

Atmosfera në ekip është më shumë se e mirë. Kemi analizuar me detaje ndeshjen e parë dhe të gjithë e dimë që humbja ishte e pamerituar. Jemi gati për të vijuar garën dhe objektivi do të jetë vetëm një: të marrim pikët e plota.

Luani sërish në shtëpi, a keni një ftesë për tifozët fierakë?

Nga tifozët kërkojmë mbështetje maksimale, sepse ky grup i ka mundësitë për të arritur objektivat sezonalë. Pa diskutim pjesëmarrja e lartë e tifozëve në stadium na motivon dhe është një plus për të gjithë ne.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"