Nga sponsorët te palestrat dhe karta e sportistit/ Deborah, durrsakja bardheblu: Ja risitë që do t‘i sjell Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2021 | 13:10

Nga sponsorët te palestrat dhe karta e sportistit/ Deborah, durrsakja bardheblu: Ja risitë që do t‘i sjell Tiranës

Vetëm pak muaj parë, Deborah Keçi mori drejtimin e klubit shumësportësh, Tirana. Ndonëse në një periudhë të paprecedentë, me pjesën më të madhe të aktiviteteve që vijojnë të jenë të ndaluara nga qeveria, Deborah ka futur një frymë pozitive në klubin bardheblu me energjinë dhe përkushtimin e saj. Ish-notarja durrsake, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon muajt e parë në krye të Tiranës dhe risitë që do të sjellë në një prej klubeve më të suksesshme të sportit shqiptar. Deborah flet edhe për bllokimin e sportit, teksa deklaron se federatat dhe klubet duhet të kishin luftuar më shumë për këtë problematikë.

DEBORAH

Si kanë qenë këto muaj të parë në klubin bardheblu?

Kur mora propozimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë për të marrë drejtimin e klubit shumësportësh më të madh të Shqipërisë e dija që përpara kisha një sfidë, një përgjegjësi dhe një rrugë të vështirë. Të përmbushësh nevojat e sportistëve elitarë profesionistë në 16 disiplina të ndryshme është një sipërmarrje shumë e madhe. Kështu që fillimisht isha pak në dyshim, aq më tepër që para meje klubin e kishte drejtuar një nga figurat më të shquara të sportit shqiptar si Spiro Koleka, duke bërë që kjo peshë rëndonte edhe më shumë. Me mbështetjen absolute të bashkisë, por edhe me njohjet e mia personale për sa i përket partneriteteve me bizneset dhe sponsorët, prioritet kryesor do të jetë ndershmëria dhe përkushtimi, për të dhënë maksimumin për t’u plotësuar kushtet minimale sportistëve.

Si ju kanë pritur sportistët?

Me shumë prej tyre jam njohur përpara se të jem pjesë e Tiranës, duke qenë se unë jam angazhuar në fushën e sportit në aktivitete të ndryshme të organizuara në bashkinë e Tiranës. Reagimi i tyre ishte: “Sa mirë që na erdhi një gocë që e do sportin dhe punon për sportin”. Më kanë pritur mirë, ndërsa di të them që dera e zyrës time do të jetë e hapur për çdo sportist apo trajner që ka nja problematikë apo një ide për ta zhvilluar. Një nga gjërat që më ka mësuar sporti është që për të ecur përpara duhet kontributi i të gjithëve, që nga punëtorët, sportistët, trajnerët deri tek administrata.

DEBORAHH

Cila janë risitë që do të sillni te bardheblutë?

Ajo që kam vënë re në klub dhe që më vjen shumë keq, është një mungesë totale informacioni e përmbledhjes së rezultateve të së shkuarës e deri në ditët e sotme. Kështu që dua ta vendos si prioritet sistemin e brendshëm, duke krijuar një proces të saktë për vlerësimin e paraqitjes së çdo sportisti në fund të vitit. Dua gjithashtu krijimin e arkivës së klubit, e cila nuk ekziston. Për këtë kam kontaktuar një historian pasi dua që të gjithë historinë ta pasqyrojmë qartë në faqen zyrtare ‘online’, të cilën do ta ndërtojmë me të gjitha disiplinat sportive. Të vjen vërtet keq që në 100 vjetorin e klubit u fol vetëm për futbollin duke mos pasur asnjë informacion për shumësportëshin. Një tjetër risi që dua të sjell janë investimet në infrastrukturë. Jemi në proces finalizimi për ndërtimin e dy palestrave të forcës, të cilat do të jenë në shërbim të sportistëve. Mendojmë që të bëjmë një kartë për të gjithë sportistët, për të krijuar një urë bashkëpunimi me shumë biznese private në fushën sportive, në mënyrë që ata të përfitojnë ulje në çmime. Paraqitje nga ana vizuale për mua është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe e çdo ekipi i Tiranës në të gjitha disiplinat do të kenë uniformat zyrtare me logon e klubit sepse paraqitja është shumë e rëndësishme. Janë detaje të vogla, por jo pak të rëndësishme në funksionimin e një klubi.

DEBORAH KECI

Prej gati një viti të gjitha sportet në salla të mbyllura, vijojnë të ndalohen nga qeveria. Cili është komenti juaj për këtë situatë të paprecedentë?

Për fat të keq nga ana e klubeve dhe e federatave nuk shoh një shtysë apo ngritje zëri për këtë problem, pasi është folur shumë pak. Mbaj mend kur u bë bojkoti i futbollit, u bë nami. Ndërkohë për sportet e tjera, nuk kam dëgjuar të flitet mjaftueshëm për këtë problematikë. Bllokimi i sportit mendoj që nuk është një vendim i duhur. Shikojmë që i është dhënë akses sportit amator, shikojmë që palestrat private janë të tejmbushura, palestrat e shkollave janë plot, ndërsa nuk e kuptoj pse pikërisht sporti profesionist nuk lejohet. Një sport që është shumë herë më kollaj për t’u kontrolluar dhe menaxhuar në organizim. Ndërsa vazhdojmë të jemi të paqartë se kur mund të fillojmë. Pra ne kemi bërë të kundërtën e vendeve të tjera, të cilat kanë mbyllur sportin amator por jo atë profesionist. Duhet që të gjithë të ngremë zërin për këtë problematikë. Është shumë e vështirë për t’i mbajtur sportistët të motivuar në stërvitje në një situatë të tillë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"