Nga Skoti te Ronaldo, ja 41 transferimet më të shtrenjta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2013 | 19:56

Nga Skoti te Ronaldo, ja 41 transferimet më të shtrenjta

ListaRekordi i transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit është thyer 41 herë në 120 vite, me një kosto prej 411.964.490 milionë paundësh. Shumë shpejt Garet Bejl mund ta dërgojë në 42 këtë numër, në rast se Reali i Madridit çmendet dhe ofron më shumë se 100 milionë euro për asin uellsian të Totenhemit. Por, kur është thyer për herë të parë rekordi i transferimeve në Angli? Shefild Junajtid e ka thyer në vitin 1913, ashtu siç kanë bërë edhe Preston North End dhe Derbi Kaunti në vitin 1949. Reali i Madridit e ka thyer rekordin e transferimeve më të shtrenjta 4 herë radhazi për Luis Figon, Zinedin Zidanin, Kakanë dhe Kristiano Ronaldon. Spanjollët janë shumë pranë thyerjes sërish të këtij rekordi, në rast se ofrojnë 85 milionë paund për Garet Bejlin. Po flasim për thyerje rekordesh botërore dhjetëra milionëshe, por nuk ka qenë gjithnjë marrëveshje milionere në futboll. Rekordi për herë të parë është thyer për vetëm 100 paund. Skot Uilli Grovs është futbollisti i parë në histori që është transferuar për një shumë me tri shifra nga Uest Bromuiç tek Aston Vila në vitin 1893 (100 paund). Sot jemi në vitin 2013, dhe për të mbërritur te transferimi i fundit më i shtrenjtë na duhet ta shumëzojmë me 800.000 shifrën e transferimit të parë për të përfituar 80 milionë paundët ose 93.8 milionë eurot që Reali i Madridit i pagoi Mançester Junajtid në vitin 2009 për transferimin e Kristiano Ronaldos. Gjatë këtyre viteve, rekordi është thyer 41 herë në 12 shtete të ndryshme. Diego Maradona e theu dy herë radhazi – fillimisht kur u transferua nga Boka Zhuniorsi te Barcelona për 3 milionë paund në vitin 1982 dhe thuajse dyfishin e kësaj shifre dy vite më vonë, kur kaloi te Napoli për 5 milionë paund. Luis Suarez e ka thyer një herë: nuk bëhet fjalë për sulmuesin e Liverpulit, por për Suarezin spanjoll, i cili në vitin 1961 u transferua nga Barcelona tek Interi për 152 mijë paund. Ky transaksion hyri në fuqi si transferimi i parë me gjashtë shifra. 14 vjet më vonë, Xhuzepe Savoldi i Bolonjës ishte i pari që kaloi shifrën e 1 milion kur u transferua te Napoli për 1.2 milionë paund. Anglia ka dominuar në fillim të shekullit XX, por që prej vitit 1951, Alan Shirer është i vetmi britanik që ka vendosur një rekord transferimi (kur kaloi nga Blekbërn Roversi te Njukasëlli për 15 milionë paund në vitin 1996). Ndërkohë që Mançester Junajtid është i vetmi klub anglez që përfshihet në një rekord transferimi, pas shitjes së Kristiano Ronaldos te Reali më 2009-ën. Këta të fundit paguan për Figon (£37m), Zidanin (£53m), Kakanë (£56m) dhe Ronaldon (£80m). Shifra e transferimit të Ronaldos është më e madhe se 33 rekordet e para të transferimeve të të gjitha kohërave.

Italianët janë rekordmenët e transferimeve
Në listën e transferimeve më të shtrenjta në historinë e futbollit ka edhe emra të tjerë të mëdhenj si Roberto Baxho, Rud Gulit, Johan Krujf, Ronaldo (fenomeni) dhe Xhanluka Viali. Në fakt, Seria A është kampionati që e ka thyer më tepër këtë rekord. Italianët kanë shitur lojtarin më të shtrenjtë në planet plot 13 herë dhe e kanë blerë atë 18 herë. Kujtojmë që 8 vjet më parë, Seria A ishte piaca e preferuar, ku parakalonin yjet e futbollit botëror. Në 41 transferimet më të shtrenjta, italianët përfaqësohen me 9 lojtarë. Kampionati anglez e ka shitur lojtarin më të shtrenjtë në botë plot 8 herë dhe e ka blerë 6 herë. Ndërsa kampionati spanjoll ka shitur 4 herë dhe ka blerë 7 herë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"