Nga Shumakerat te Vershtapen, gjenerata e familjeve pilotë/ Shpejtësia në gjak, ja baballarët që ua ushqyen djemve të tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2022 | 21:31

Nga Shumakerat te Vershtapen, gjenerata e familjeve pilotë/ Shpejtësia në gjak, ja baballarët që ua ushqyen djemve të tyre

Bota e Formulës 1 është e mbushur me surpri za, por pavarësisht vështirësive që hasen për të konkurruar në arenën e automobilizmit, më saktë në elitën e Formulës 1, ka pasur plot gjenerata baballarë-fëmijë, që kanë shkruar historinë e njëvendësheve më të shpejta në qarkullim.

formula 1

Ndonëse jo që të gjithë kanë qenë të suksesshëm, ajo që nuk mund të mohohet është fakti se shpejtësinë në gjak e kanë pasur të trashëguar dhe sido që ka shkuar, të paktën ata kanë tentuar… Ka pasur raste që kanë qenë baballarët më të zotë sesa djemtë i tyre, por ka ndodhur edhe që “nxënësi” t’ia kalojë “profesorit”, por mbi të gjitha, dy raste unike ku si babai ashtu edhe djali janë shpallur kampionë bote.

Gjithsesi, fakti që mbiemri i tyre, si Shumakerat për shembull, apo edhe Vershtapenat aktualisht i bën ata një histori shumë të bukur për t’u treguar dhe për t’u marrë shembull, pasi, siç thamë, konkurrenca për të qenë pjesë e Formulës 1 është më shumë sesa e madhe. Por për sa i përket gjeneratës së familjarëve të pilotëve, numërohen disa raste ku si babai ashtu edhe i biri kanë testuar veten në elitën e automobilizmit.

Mikael e Mik Shumaker

Të flasësh për Mikael Shumakerin ndoshta është diçka e kotë, duke qenë se ai është një legjendë absolute e këtij sporti, ndonëse prej disa vitesh tashmë lufton mes jetës dhe vdekjes pas një aksidenti me ski. Mikael është një gjigant, një ikonë, aq sa titullin e parë botëror nga shtatë në karrierë e fitoi në vitin e largët 1994. Gjithsesi, piku erdhi në 1996-ën, pasi ishte kurorëzuar dy herë kampion, duke kaluar te Ferrari dhe falë punës së tij arriti që në vitin 2000 të rikthente veten dhe “Kokëkuqen” sërish fituese, një vit pasi kishte lindur edhe djali i tij, Mik.

7e9a584585d51f1b30775930d8493535

Mikael ishte aq i fiksuar me makinat, sa shumë foto dokumentojnë faktin se Miku i vogël ka kaluar më shumë kohë në bokse mes mekanikësh makinash sesa të luante me lodra si të gjithë fëmijët e tjerë normalë, ndaj për të ishte e lehtë që të fokusohej te Formula 1. Madje, për të arritur aty ku është sot, si një pilot nën kontratë me Ferrarin, por që piloton për skuderinë Haas, Mik Shumaker tregoi talent duke u shpallur kampion Europe në Formulën 3 dhe më pas kampion bote në Formulën 2. Gjithsesi, për të synuar hijen e rëndë dhe shumë të madhe të babait të tij, të paktën hapat e parë janë zhgënjyes, ndonëse karrierën e ka të gjithën përpara.

Xhonatan e Xholion Palmer

Sukseset janë një mollë e ndaluar për ta, ndonëse fakt është se babë e bir gjithsesi janë pjesë e gjeneratës në fjalë. Xhonatan Palmer debutoi në vitin 1983 në Formulën 1, por edhe pse numëroi më shumë se 80 Çmime të Mëdha, kurrë në karrierë nuk shijoi një podium.

f1-german-gp-2003-justin-wilson-with-his-manager-jonathan-palmer

Maksimumi ishte një vend i katërt dhe një xhiro e shpejtë. Ndërkohë, djali i tij, Xholion, debutoi në 2016-ën në Formulën 1, pasi kishte fituar dy vite më parë në kampionatin GP2, por karriera e tij ishte shumë e shkurtër, sepse pas një viti e gjysmë u zëvendësua nga Karlos Sainz (piloti aktual i Ferrarit) dhe humbi gjurmët nga sporti i automobilizmit.

Jos e Maks Vershtapen

Këtu është ajo pjesë e kategorisë, kur nxënësi ka mundur profesorin, e kundërta e familjes Shumaker. Edhe pse mbiemri Vershtapen ka qenë shumë i njohur dhe për shumë vite në Formulën 1, Maks arriti që ta bënte të përjetshëm atë. I ati, Jos, debutoi në vitin 1994, si shok skuadre me Mikael Shumakerin te Benetoni, dhe sezoni i parë ishte më i miri i një dekade në pistat me shpejtësi.

2eae9a4f-black-and-red-gaming-youtube-channel-art-2021-01-19t004823.877

Rezultatet më të mira kanë qenë dy vende të treta, në Hungari e Belgjikë, pas 106 garash për Josin, por Maks e nisi duke bërë dhe po vazhdon të bëjë çmendurira të bukura. Pasi debutoi në moshën 17-vjeçare në makinë, arriti ta kalonte të atin. Madje, pas eksperiencës së parë te Toro Rosso, në garën e parë që Red Bulli e promovoi në skuderinë kryesore, Maks nuk zhgënjeu, por fitoi që në “goditjen” e parë, ndonëse qershia mbi tortë ishte titulli kampion i sezonit të kaluar. Madje, edhe sivjet kryeson bindshëm, me një avantazh prej 63 pikësh ndaj Sharl Lëklerkut, duke pasur në dorë edhe titullin e dytë radhazi.

Jan e Kevin Magnusen

Në 25 gara mes 1995 dhe 1998, Dan Jan Magnusen maksimumi arriti që të hynte mes 10 të parëve një herë (i gjashti në Kanada në 1994). Ndërkohë, djali i tij, Kevin, arriti menjëherë që të merrte një vend të dytë pas Niko Rosbergut, në debutimin e tij në vitin 2014 në Australi dhe sot është shok skuadre me Mik Shumakerin në skuderinë Haas.

70235151_3013762005362149_5380578416741318656_n

Nelson e Nelsinjo Pike

Ndonëse aktualisht ka përfunduar në një skandal racizmi dhe në të njëjtën kohë është edhe vjehrri i Maks Vershtapenit, Nelson Pike është një nga emblemat e Formulës 1. Për shumë vite ai ka qenë piloti që duhej mundur, pasi numëron tre tituj botërorë: 1981, 1983 dhe 1987.

bfb47e48cb914d61f29e8adc62d70111--father-and-son-nelson-piquet

Ndërkohë, djali i tij, Nelsinjo Pike, zhvilloi dy Botërorë, por kurrsesi nuk kishte talentin e të atit. Pozicioni më i mirë ishte një vend i dytë në Hokenhaim, përpara se të përjashtohej nga FIA për një aksident të shkaktuar me dashje në garë, në Singapor, shumë vite më parë.

Manfred e Markus Uinkelhok

Do të mbahet mend për rekordin e tij negativ, duke qenë se Manfred Uinkelhok në 53 gara ka parë veten që të tërhiqet në më shumë se 30 prej tyre. Por nëse shprehja thotë “bëmë baba të të ngjaj”, fatkeqësisht edhe djali i tij, Markus, në debutimin e bërë në Formulën 1 në vitin 2007, pa veten që vetëm pas 6 xhirosh të tërhiqej në pistën gjermane të Nurburgringut.

imago0002980428s

Keke e Niko Rosberg

Këto janë një prej familjeve që mund të mburren me të drejtë. Kjo pasi vetëm Rosbergët dhe Hillët kanë mundur që të fitojnë tituj botërorë në Formulën 1. Madje, Keke Rosberg do të mbahet mend si fituesi më pak fitues, duke qenë se triumfoi duke fituar vetëm një garë gjatë kampionatit me Uilliamsin, për të cilën garoi mes viteve 1978- 1982.

0x0

Edhe djali i tij, Niko, e nisi karrierën me të njëjtën skuadër si babai i tij, por pas kalimit te Mercedesi, në 2016-ën arriti që të mposhtte Luis Hamiltonin dhe menjëherë pas kësaj, vendos të tërhiqet si kampion bote, edhe pse vetëm 31 vjeç.

Zhill e Zhak Villnëv

Kanadezi Zhill Villnëv konsiderohet një prej pilotëve më të mirë të epokës së tij dhe një prej ikonave të Ferrarit, ndonëse nuk arriti të fitonte asnjë kampionat. Titulli kampion për të dukej i mallkuar, pasi në fund gjithmonë diçka i shkonte keq.

1421315910243

Por fatmirësisht për të, djali i tij, Zhak Villnëv, arriti që ta thyente mallkimin, kur në vitin 1997 arriti që të mposhtte rivalin më të frikshëm të momentit, Mikael Shumakerin, dhe të çonte në shtëpi titullin botëror, që aq shumë e kishte ëndërruar edhe babai i tij, i cili në vitin 1982 do të humbte jetën, pas një aksidenti tragjik në Çmimin e Madh të Belgjikës.

Graham e Damon Hill

Hill është gjithashtu një mbiemër shumë i rëndë në historinë e Formulës 1, duke qenë se është familja më fituese e historisë. Në fillim ishte radha e babait, Graham, që të shkruante emrin me germa të arta, duke fituar dy tituj kampionë, konkretisht në 1962 dhe 1968. Për më tepër, Graham Hill mbahet mend edhe si piloti më jetëgjatë i sportit, duke qenë se garoi pa pushime për 17 vite radhazi.

Damon-Hill-Graham-Hill-622367

Karriera e tij fatkeqësisht përfundoi pas një rrëzimi me avion në vitin 1975, të cilin e pilotonte po vetë. Gjithsesi, familja Hill kishte një lidhje të fortë me gjithçka që kërkonte shpejtësi dhe pas Grahamit ishte radha e djalit të tij, Damon, për të debutuar në vitin 1992 në Formulën 1. Menjëherë cilësitë e tij kuptoheshin qartë, por nëse beteja e nisur me Mikael Shumakerin menjëherë pa gjermanin që të triumfonte në Botërorin e vitit 1994 dhe 1995, Damon Hill e bëri të tijin titullin në 1996-ën, por pas tri vitesh vendosi që të tërhiqej, pasi nuk arriti më kurrë të kishte një ritëm siç meritonte edhe familja më fituese e historisë së Formulës 1.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"