Nga Shqipëria te Kuraçao, Lionel Mesi bën 102 gola/ Kuqezinjtë janë një nga 37 “viktimat” e argjentinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 22:57

Nga Shqipëria te Kuraçao, Lionel Mesi bën 102 gola/ Kuqezinjtë janë një nga 37 “viktimat” e argjentinasit

Kombëtarja argjentinase vazhdon festën e saj të titullit kampion bote. Këtë herë ka zgjedhur të festojë me 7 gola në një miqësore kundër modestëve të Kuraçaos. Lionel Skaloni i ka hedhur në fushë të gjithë kampionët e botës, kapitenin Leo Mesi përfshirë.

mesi

Ka qenë pikërisht “pleshti” protagonisti i madh duke shënuar një tripletë, që i ka dhënë mundësi atij të kalojë shifrën e 100 golave me fanellën “Albiçeleste”. Ai ka arritur numrin 102 të golave të shënuar me përfaqësuesen e vendit të tij, duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë në histori me skuadrat kombëtare.

Një prej tyre këtyre golave Leo Mesi ia ka shënuar dhe kombëtares kuqezi në miqësoren e vitit 2011 (4-0). Para tij qëndrojnë vetëm ish-sulmuesi i Iranit, Ali Daei dhe kapiteni aktual i Portugalisë, Kristiano Ronaldo.

mesi 102

Përveç golave të kapitenit të tyre, për argjentinasit, në suksesin 7-0 ndaj Kuraçaos shënuan edhe Nikolas Gonzalez, Enco Fernandez, Angel di Maria dhe Gonzalo Montiel. Argjentina, në këtë mënyrë, e ka nisur vitin 2023 me yllin e tretë në fanellë me dy fitore: të enjten e kaluar 2-0 kundër Panamasë në Buenos Aires dhe këtë 7-0 kundër Kuraçao në Santiago del Estero.

FILLIMISHT 100… – Leo Mesi shënoi golin e tij të 100- të me Argjentinën në minutën e 20-të të takimit. Njëkohësisht ky ishte edhe goli që i dha udhë fitores me goleadë dhe festës argjentinase.

GOLAT E MESIT

MESI GOLAT

 

Sepse skuadra e Skalonit nuk u ndal duke shënuar edhe katër gola të tjetër në pjesën e parë, dy me kapitenin Mesi, që shënoi në këtë mënyrë golat 101 dhe 102 me përfaqësuesen argjentinase, si dhe Gonzalez e Fernandez.

Në pjesën e dytë, “Albiçelestët” e hoqën këmbën nga pedali i gazit, duke u mjaftuar vetëm me dy gola të realizuar nga Montiel dhe Angel di Maria, ky i fundit me një penallti.

STATISTIKAT

DEKLARATA – Argjentina ka mundur thellë Kuraçaon 7-0 ku protagonist ishte Leo Mesi. Kapiteni mundi të shënonte një tripletë, e shtata për të me fanellën e Argjentinës, teksa pas takimit ka zgjedhur rrjetet sociale për të komentuar atë çfarë po ndodh me kampionët e botës në fuqi.

“Ajo çfarë po ndodh me kombëtaren është një çmenduri, unë uroj që të mos ndalet kurrë, por të vijojë pambarimisht”, ka shkruar sulmuesi i Paris SG-së në kampionatin francez.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"