Nga Sheva te Lukaku / Mallkimi i blerjeve rekord, Enzo duhet të ndryshojë historinë e dështimeve te Çelsi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 10:41

Nga Sheva te Lukaku / Mallkimi i blerjeve rekord, Enzo duhet të ndryshojë historinë e dështimeve te Çelsi

Transferimi i Enzo Fernan dezit në Londër ka qenë një nga operacionet më të bujshme të merkatos së dimrit, jo vetëm për shifrat për të cilat u realizua, por edhe për përfundimin e saj në limitet e kohës.

enzo

121 milionë eurot e paguara për të e bënë transferimin më të shtrenjtë në Angli dhe pa dyshim edhe transferimin më të shtrenjtë të Çelsit, që duhet thënë se nuk është kursyer ndonjëherë në merkato, siç tregon historia.

E duke u bazuar gjithmonë te historia, pasi lanë mënjanë gëzimin mbi mbërritjen e një lojtari premtues, tifozët e bluve kanë nisur të shikojnë anën tjetër të medaljes, atë të skepticizmit dhe besëtytnive.

Në vitet e fundit asnjëri prej emrave mediatikë, të lakuar së tepërmi dhe të konsideruar goditje të mëdha, nuk ia kanë dalë të lënë shenjë te Çelsi, madje shumë prej tyre janë larguar si të padëshiruar dhe janë cilësuar dështime.

TRANSFERIMET – Një nga dështimet më të freskëta në kryeqytetin anglez është Romelu Lukaku, i mbërritur nga Interi në verën e 2021-shit për plot 115 milionë euro dhe i rikthyer vetëm pas një viti në huazim në Milano.

Asnjë paraqitje dinjitoze e belgut, që në “Stamford Bridge” ishte vetëm hija e asaj që kishte treguar me zikaltrit. Por Lukaku është vetëm i fundit pasi ciklin e zhgënjimeve të mëdha e ka nisur një tjetër i mbërritur po nga Milano, Andri Shevçenko.

Sulmuesi i Milanit ishte goditja e parë e epokës “Abramoviç”, për të cilin ish-presidenti pagoi 44 milionë euro, ndërkohë që më vonë edhe Fernando Torres pati të njëjtin fat si ukrainasi.

60 milionë eurot për të në llogari të Liverpulit ishin një shumë e çuar dëm, ashtu si 65 milionë eurot për bashkëkombësin e tij Alvaro Morata.

Listës i shtohet edhe Timo Verner, që u transferua nga Lajpcigu në Londër për 50 milionë euro dhe që pavarësisht një Champions-i të fituar nuk arriti asnjëherë të ishte lider i sulmit të bluve.

Londra ka treguar kështu se mund të jetë një ferr për transferimet e bujshme, i takon Fernandezit ta bëjë parajsë për veten dhe tifozët.

00

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"