Nga Seria A te Reali dhe Botërori, Ançeloti në të gjithë fushën: Interi pretendent për titullin, Juvja ringrihet! Ja kur do ta lë futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 14:44

Nga Seria A te Reali dhe Botërori, Ançeloti në të gjithë fushën: Interi pretendent për titullin, Juvja ringrihet! Ja kur do ta lë futbollin

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Radio Rai” ku ka folur për gjithçka që ka të bëjë me botën e futbollit.

anceloti

Ai ka bërë një analizë të shkurtër për Serinë A, ku ka përmendur favoritët për titull. Nuk kanë munguar as elozhet për Zhoze Murinjon. Tekniku italian ka folur dhe për Realin e tij duke e cilësuar këtë periudhë “si një muaj mjalti” me “los blancos”. Por ai është ndalur edhe te ndryshimet radikale në sport.

INTERI PËR TITULL – “Interi ka ruajtur strukturën e sezonit të kaluar me disa ndryshime. Kanë marrë një trajner të ri, kanë bërë edhe ndryshime në grupin e lojtarëve, por baza mbetet ajo e sezonit të kaluar. Mendoj se kundër nesh (Realit) kanë luajtur mjaft mirë, ndaj jam i mendimit se do të konkurroj deri në fund për titullin në Serinë A. Sa për Serinë A e shoh shumë të ekuilibruar me Juventusin që ka shfaqur disa probleme”.

GJENDJA E JUVES – “Është një skuadër që ka humbur disi ekuilibrat e saj dhe tani po has vështirësi për të gjetur vazhdimësinë aq të nevojshme në futboll, por këto oshilacione janë të pranishme në futboll. Është shumë herët për ta përjashtuar Juventusin nga gara, ndaj e them me bindje se do të ndryshojnë dhe do të jenë mes favoritëve për titull”.

MURINJO DHE ROMA – “Mendoj se Murinjo ka gjetur ambientin e duhur për të. Në Romë është si në shtëpinë e tij dhe nuk e them tani për herë të parë një gjë të tillë. E kam menduar menjëherë se Roma është klubi ideal për të dhe në fund do të më jepni të drejtë”.

NAPOLI, ISH-I I TIJ – “Kam kaluar dy sezone të mrekullueshme në Napoli për sa i përket anës profesionale. Unë e di se si funksionojnë gjërat dhe jam i bindur se gjithçka u mbyll në mënyrën e duhur. Kur nuk ka bashkërendim të punëve mes klubit dhe trajnerit është e udhës që secili të shohë rrugën e tij. Megjithatë, unë e shoh Napolin konkurrues edhe në këtë sezon. Nuk di të them nëse do të fitojë apo jo, por do të jetë aty mes konkurrentëve. Trajneri Spaleti dhe presidenti De Laurentis janë dy karaktere të fortë, do të ketë edhe debat e diskutime, por e rëndësishme është që gjërat të shkojnë mirë në fund”.

anceloti 1

KLUBET ANGLEZE DHE TË TJERAT – “Futbolli anglez tani për tani është një hap përpara të gjithëve. Ky është një diskutim jo vetëm në Itali, por edhe këtu në Spanjë. Intensiteti i lojës në Angli është shumë i lartë dhe kjo i jep avantazh atyre”.

BRAHIM DIAZ – “Në Madrid nuk kishte hapësirë për të, por ai është një lojtar i rëndësishëm për Realin. Jemi të kënaqur që po ecën mjaft mirë te Milani. Në fund të fundit edhe kur e dërguam tekMilani e kishim një arsye për se e bëmë. E dimë fare mirë se çfarë do të thotë të luash për Milanin, çfarë klubi është dhe çfarë strukturash ka”.

BOTËRORI ÇDO 2 VJET – Ançeloti nuk i ka kursyer batutat kur është ngacmuar për këtë temë që ka hapur një debat mes FIFË-s dhe UEFË-s. “Jemi që jemi a nuk e organizojmë çdo vit botërorin?” – ka thënë me shaka dhe pak ironi Ançeloti. Më pas, ai është kthyer serioz:

“Kalendari i ndeshjeve është një shqetësim serioz për të gjithë kampionatet. Pastaj edhe pandemia vetëm se i ka ndërlikuar dhe më shumë gjërat dhe mendoj se ia vlen të rishikohen shumë gjëra. Pastaj mos harroni ka shumë ndeshje që nuk ia vlen barra qiranë. FIFA dhe UEFA duhet të ulen mes tyre për të gjetur zgjidhjet e duhura edhe pse për momentin nuk duket se janë në ditët më të lumtura mes tyre”.

SUPERLIGA – “Ditën kur do të flas për politikë do të jetë dita ime e fundit në botën e futbollit. Unë zgjedh të flas në fushë”.

RIKTHIMI NË SERINË A – “Roma? Unë shpresoj që Roma të fitojë diçka të rëndësishme me Murinjon, sikurse uroj që Milani të qëndrojë në majat e futbollit italian tashmë që gjërat janë përmirësuar në Milano. Tani nuk mendoj për asgjë tjetër veç Realit, ndihem sikur jam në muajin e mjaltit në Madrid dhe shpresoj të vijojë sa më gjatë”.

anceloti

REALI DHE CHAMPIONS – Si trajneri i klubit më të titulluar në Europë për sa i përket Ligës së Kampioneve, Ançeloti, ka bërë një analizë të shkurtër duke lënë të kuptohet se ky kompeticion do të fitohet nga një nga ato skuadra që jemi mësuar tashmë. “Champions-i dihet se është një kompeticion shumë i vështirë. Në fund të ditës nuk mendoj se do të ketë surpriza të mëdha, pretendentet janë pak a shumë të njëjtat që jemi mësuar. Më shumë do të na tregojë marsi i ardhshëm”.

FUTBOLLI SPANJOLL – “Futbolli spanjoll ka humbur disa lojtarë shumë të rëndësishëm, por për fat lojtarë të tjerë të shkëlqyer po shfaqen dhe një prej tyre është Viniciusi. Jam shumë i kënaqur pasi kam fatin ta kem pjesë te Reali i Madridit. Ka bërë një nisje shumë të mirë të sezonit. Uroj që të vazhdojë me këto ritme dhe jam i bindur se ka një të ardhme të madhe përpara.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"