Nga Sampdoria te Spërsat, sa shumë përmbysje të Interit. Zikaltërit luajnë me “zemrën” e tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2018 | 17:16

Nga Sampdoria te Spërsat, sa shumë përmbysje të Interit. Zikaltërit luajnë me “zemrën” e tifozëve

“Pazza, Inter, amala”. Rikthimi i himnit jozyrtar të tifozëve zikaltër shpjegon më shumë se çdo editorial i shkruar nga maja e penës së gazetarit më të mirë italian se çfarë është Interi dhe se çfarë lloj përmbysjesh është i aftë të realizojë. Fitorja 2-1 në “San Siro” mbrëmjen e së martës kundër Totenhemit është shembulli perfekt i çmendurisë zikaltër. Një ndeshje gri, e cila po i drejtohej një dështimi, por papritur shndërrohet në ekstazë totale. Një futbollist, kapiteni ndër të tjera, që ishte zero për 85 minuta dhe pastaj papritur ngrihet në piedestal për “Topin e Artë” prej asaj të djathte fluturimthi nga jashtë zone, diçka e rrallë për Maurito Ikardin. Dhe kështu nis…

inter

NËNA E TË GJITHA PËRMBYSJEVE

Populli zikaltër rikthehet të festojë në Ligën e Kampioneve pas shumë vitesh. Por e bën në mënyrën e tij, në mënyrë të “çmendur” me një përmbysje të pabesueshme, ashtu siç shumë ka shkruar në librat e historisë në Europë dhe Itali, në kupa dhe kampionate, sepse kudo është “Pazza Inter”, në festa dhe në hidhërime. Nga ana tjetër, në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, Ikardi me shokë mbërritën vetëm falë një tjetër përmbysjeje të çmendur ndaj Lacios në javën e fundit të sezonit të shkuar të Serisë A: nga 1-2 në 3-2 dhe me golat e të “zakonshmëve” Ikardi dhe Vesino.

Në një parantezë të shpejtë, por ndoshta një nga më të thellat që ka hyrë në historinë e klubit, nuk mund të mos e nisësh nga përmbysja e përmbysjeve për të gjithë tifozët interistë të brezave të fundit: 3-2 ndaj Sampdorias në 9 janar 2005. “Dorianët” dyfishuan në minutën e 83- të me Kutuzovin, tifozët që shpërthejnë nga shkallët e stadiumit për turpin (dhe parakalimin në klasifikim pikërisht nga Sampdoria), pastaj rilindja, absolutisht e pakuptueshme dhe e pabesueshme: shënojnë Martins, Vieri dhe Rekoba në minutën e 90-të dhe përfundon 3-2. Një rezultat totalisht i çmendur.

Capture

SA KEQ, LUÇIANO

Një vit më vonë, 26 gusht 2006, zikaltrit bëjnë akoma më shumë. Gjithnjë në “San Siro” luhet Superkupa e Italisë dhe Roma po keqtrajton ‘ një Inter të shpërfytyruar. Pas tre golave të pësuar, skuadra e Mançinit arrin të bëjë një superpërmbysje: Vieira, Krespo, Vieira dhe pas 90 minutave (markë e fabrikës së përmbysjeve zikaltër) vjen vula e Figos në 94′ (në kohën shtesë) për 4-3 përfundimtar. Kush ishte në stolin e verdhekuqve? Pikërisht Luçiano Spaleti…

I ÇMENDURI PACINI

Në janar 2011 (një vit pas 4-3 ndaj Sienës, e cila u ndalohet tifozëve toskanë me zemër të dobët që po fitonin 3-2 deri në minutën e 87-të), përsëritet thuajse e njëjta përmbysje që ndodhi kundër Sampdorias. Viktimë e tërbimit të një superpjese të dytë kësaj radhe u bë Palermo, që pas 45 minutave të para ishte duke fituar 2-0, por Delio Rosi nuk i bëri llogaritë me ditën magjike të Pacinit, nofka e të cilit nuk është rastësisht “Pazzo”. Dhe i çmenduri në një skuadër të çmendur shënon një dopietë fantastike, e cila i hap rrugën përmbysjes 3-2 së vulosur prej penalltisë së Etosë.

REMUNTADAT NË CHAMPIONS

Në Ligën e Kampioneve, viti i tripletës është magjik që prej fillimit të sezonit europian: 4 nëntor 2009 në Kiev, Dinamo kalon në avantazh me Andrij Shevçenkon. Nuk është një kundërshtar i zakonshëm për interistët: të humbasësh me golin e Shevës dhemb, shumë madje. Nevojitet diçka speciale dhe diçka e tillë vjen kur po i afroheshim minutës së 90-të: në fillim Milito dhe pastaj Shnajder dhe vijnë tri pikët e papritura, 3 pikë të arta për kualifikimin në 1/8-at. Në gjysmëfinale një tjetër përmbysje, madje një “remuntada” që i dërgon Zanetin me shokë drejt finales së Madridit, drejt historisë. Pedro kalon në avantazh Barcelonën, por Shnajder, Maikon dhe Milito hedhin bazat e ndërtimit të Champions-it më të bukur në historinë e Interit. Dhe përfundon këtu, por “Pazza Inter” pritet të vazhdojë…

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"