Nga rrogat e Kukësi te “koka” e Maganit, ja për çfarë luhet java e shtatë e Kategorisë Superiore…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 10:17

Nga rrogat e Kukësi te “koka” e Maganit, ja për çfarë luhet java e shtatë e Kategorisë Superiore…

Java e shtatë e Kategorisë Superiore mund të japë verdikte të rëndësishme, për sa i përket skuadrave që do të zbresin në fushë. Nga kjo dalje e radhës mund të varen rroga, “koka” trajnerësh, priten konfirmime të rëndësishme, por ndoshta mund të kemi edhe verdikte negative, të cilat mund të zhbalancojnë luftën sportive për të ardhmen.

lushnja kukesi

1) Rrogat e Kukësit – Presidenti Safet Gjici i vuri kusht skuadrës së tij për marrjen e 9 pikëve në tri ndeshjet e radhës, nëse lojtarët nuk duan të rrezikojnë rrogat e tyre. Dhe pas trepikëshit të parë ndaj Teutës, sot do të kërkojë suksesin e dytë ndaj Luftëtarit, në një transfertë më shumë se delikate.

2) “Koka” e Maganit – Pas një starti pozitiv, Teuta e Gugash Maganit ka frenuar në një mënyrë të frikshme, duke pësuar dy humbje radhazi, konkretisht me Partizanin dhe Kukësin, prandaj një rezultat i tretë negativ radhazi, të hënën kundër Skënderbeut, në Durrës, mund të nisë të lëkundet ndjeshëm pankina e tij.

3) Dy trajnerët debutues – Me shumë kureshtje priten debutimet e Hasan Likës në stolin e Luftëtarit dhe ai i Ernest Gjokës në krye të Vllaznisë. Që të dy do ta nisin aventurën e re në shtëpi, konkretisht kundër Kukësit dhe Partizanit, dy ndeshje më shumë se të vështira.

4) Partizani dhe Kamza – Partizanit duket se ka dalë nga kriza, ndonëse sërish nuk ka bindur në dy fitoret e arritura. Prandaj, dueli i të dielës me Vllazninë do të tregojë, nëse skuadra gëzon realisht shëndet të plotë, apo këto 6 pikë kanë qenë thjesht një flakë kashte. Ndërkohë, edhe Kamza është e thirrur në apel për t’u konfirmuar si surpriza e vërtetë e këtij kampionati, në transfertën me Flamurtarin.

5) Lushnja nuk ka më kohë – Edhe pse ka ofruar një loje të mirë, në futboll vlen rezultati dhe pa dyshim që Lushnja, me dy pikë në gjashtë ndeshje ka komplikuar së tepërmi pozitat e saj në renditje. Sot ndaj Laçit, për të mund të jetë rasti i fundit për të mos bërë vetëvrasjen e madhe, duke qenë se pa një fitore, ndoshta ajo mund të vulosë fatin e saj për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë. Kujtojmë që vjet, ekipi i Korabit, po pas gjashtë javësh, edhe pse kishte një pikë më shumë në renditje sesa Lushnja, në fund kjo mesatare e dobët e dënoi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"