Nga rinovimi te merkatoja, “zbërthehet” trajneri Arbëri: E mundim Korabin, do ketë… superpremio

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2022 | 23:21

Nga rinovimi te merkatoja, “zbërthehet” trajneri Arbëri: E mundim Korabin, do ketë… superpremio

Klodian Arbëri “ëndërron” ngjitjen. Edhe pse beratasit e kapën me vështirësi zonën “play off”, ai paralajmëron kualifikimin. Trajneri jo vetëm që beson se do ta kalojnë Korabin por edhe për asnjë moment nuk trembet nga rregullorja që favorizon dukshëm ekipin pritës.

Arberi

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, flet për të ardhmen e tij dhe të ekipit. Konfirmon se ka marrë besimin e drejtuesve për një tjetër vit, ndërsa planifikon që të blindojë 70 për qind të grupit ekzistues.

Siguruat fazën “play off” vetëm në javën e fundit. Kishit frikë që do të mbeteshit jashtë?

Nuk e kemi vënë aspak në dyshim renditjen në fazën “play off”, ndonëse u duk se gjithçka do të vendosej në javën e 30-të. Nuk e kisha dëshiruar atë pozitë të vështirë të Pogradecit, por liqenorët gjithçka duhet ta shikojnë te vetja, pozicionin e tyre të vështirë. Edhe ne luajmë për objektivat tanë, ndaj dhe në atë takim u përpoqëm dhe mbrojtëm interesat dhe investimin tonë.

Të shtunën shkoni në Peshkopi. Jeni gati për ta kaluar?

Atmosfera është sa e qetë, aq edhe optimiste. Po e përgatisim me kujdes këtë 90- minutësh, që na jep shpresa për të kapur elitën. Drejt Peshkopisë do të udhëtojmë më të plotë, pasi janë rikuperuar edhe ata lojtarë që kishin probleme me dëmtimet. Mbështetja në aspektin moral dhe financiar që kemi nga bashkia dhe donatori i skuadrës, na ka dhënë një impuls shumë të madh. Nëse kualifikohemi, skuadra do të ketë një premio shumë të lartë.

Korabi ju ka mundur në dy faza. Do të ndikojë kjo gjë?

Po ju jap një përgjigje të drejtpërdrejtë. Nuk ka asnjë lloj ndikimi as te ne si staf, por as te skuadra. Humbja në Berat ishte thjesht një “aksident”. Këtë e dinë shumë mirë edhe te Korabi. Ashtu sikur humbja në startin e fazës së dytë në Peshkopi erdhi në fund, kur gjithçka po shkonte drejt barazimit. Ne jemi sa të sinqertë, aq edhe modestë ama. Kundërshtari meriton respekt për arritjen në këtë fazë dhe vendi i tretë nuk është aspak i rastësishëm. Por ne nuk udhëtojmë si të barabartë dhe për t’i zeruar këto shifra.

Rregullorja ju penalizon. Luani në fushën e kundërshtarit dhe jeni të dënuar vetëm për të fituar…

Nuk ka asnjë arsye pse të ndihemi në disfavor dhe as inferiorë. Ne jemi Tomori, një skuadër që ka një emër dhe traditë të madhe në futbollin shqiptar. Unë besoj vërtet te fitorja dhe kualifikimi. Kemi një kontigjent me futbollistë cilësorë, që meritojnë të luajnë në elitë.

Këtë ne do ta tregojmë në Peshkopi. Vetëm se mua dhe skuadrën time nuk na tremb aspak formula, por do të kërkojmë që futbollin e vërtetë dhe kualifikimin ta meritojmë vetëm nëpërmjet një gjykimi të ndershëm. Nëse shkon kështu, do ta ndezim “flakë” derbin me Apoloninë fqinje ose me Tërbunin simpatik dhe që meriton kualifikimin.

Sa do të ndikojë ky takim për të ardhmen tuaj në drejtimin e Tomorit?

Nuk ka asnjë lloj kushtëzimi për këtë rast, as për mua dhe as për skuadrën time. Kam marrë vlerësimin maksimal dhe votëbesimin e bashkisë dhe donatorit Gramoz Toto. Më shumë sesa do të provojmë ngjitjen në Superiore nëpërmjet ndeshjes me Korabin, kemi nisur aktualisht nga puna për skicimin e Tomorit të sezonit të ardhshëm, që në të Parën apo në Superiore do të ketë 70% të kontingjentit aktual. Unë kam besim gati “të verbër” te ky grup.

Ndërsa presidenti Ervin Demo dhe donatori i skuadrës janë duke projektuar një investim kolosal për 100-vjetorin e Tomorit. Ndaj dhe kaq do të mjaftonte dhe do të na shërbente si skuadër, që ndaj Korabit të paraqesim në fushën e lojës Tomorin me “aromë” Superioreje.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"