Nga riciklimi i plehrave te kateringu, ja bizneset e presidentëve të Serisë A. Sa shumë milionerë në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 13:29

Nga riciklimi i plehrave te kateringu, ja bizneset e presidentëve të Serisë A. Sa shumë milionerë në Itali

Sot njihen si presidentët e klubeve të tyre, po përpara se të vinin duart mbi klubet e Serisë A, të gjithë e kanë nisur diku karrierën e tyre. Çfarë kanë bërë, nga vijnë dhe si e kanë ngritur pasurinë e tyre, janë këto pyetjet që është munduar t’i japë përgjigje në një artikull të saj “Gazzetta dello Sport”.

de laurentis anjeli

Klaudio Lotito (Lacio)

Biznese në pastrim dhe katering, fushë në të cilën ka fituar disa nga tenderat më të kushtueshëm në legjislaturën e parafundit italiane.

Mario Konjini (Fiorentina)

Emërimi i tij ishte disi surprizë, sidomos pasi Fiorentina i përket familjes Dela Vale. Prej më shumë se 30 vitesh presidenti vjollcë është marrë me konsulencë financiare. Pasuria e tij e rendit të 1088 në rang botëror, ndërsa si italian është “vetëm” i 23-ti.

Luka Kampedeli (Kievo)

Sipërmarrës i njohur, sot ai është aksioneri më i madh i kompanisë “Paluani”. Me 25 vite në krye të klubit (që nga Seria C), ai është një nga presidentët më jetëgjatë të Serisë A.

Aurelio De Laurentis (Napoli)

Aurelio De Laurentis, përveç Napolit, ka dhe një tjetër pasion që është kinemaja. Presidenti napolitan është emri më i njohur italian në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së filmave.

Andrea Anjeli (Juventus)

Pinjolli i Anjelëve ka biznese në fusha të shumta dhe, përveç Juventusit, administron edhe “Exor” një nga shoqëritë më të mëdha aksionere në Europë.

Enriko Preciosi (Xhenoa)

Themelues në garazhin e tij i kompanisë së lodrave “Giochi Preziosi”, e cila sot është vetëm një pjesë e “Fingiochi”, një kolos ndërkombëtar në industrinë e lodrave. Në botën e futbollit hyri në vitin 1993, kurse në vitin 2003 vendosi të blinte Xhenoan.

Masimo Ferrero (Sampdoria)

Pasurinë e fitoi falë bashkëshortes, Laura Sini, por rritjen e saj e bëri me nuhatjen e tij. Sot, ndër të tjera, Ferrero zotëron 30 kinema dhe ka provuar pa sukses fatin edhe në kompani fluturimesh.

Oreste Vigorito (Benevento)

Numri një i ekipit nga provinca e Napolit është një avokat, i cili ka dy diploma në filozofi dhe letërsi. Në 1993 themeloi “Italian Vento Power Corporation”, një shoqëri që sot vlen 80 milionë euro.

Xhoi Saputo (Bolonja)

Kanadez, por me origjinë të dukshme italiane, presidenti kuqeblu është shumë aktiv në industrinë e pasurive të patundshme dhe zotëron ekipin e Montreal Impakt. Që nga 2015, familja Sapute është mes treqind familjeve më të pasura në botë me 5 miliardë dollarë.

Erik Thohir (Inter)

Aksioner minoritar i Interit, përmes aktivitetit familjar, ai ka një pasuri personale që i kalon 4 miliardë dollarët, duke qenë njeriu i 421-të në botë për sa i përket pasurisë.

Jonghong Li (Milan)

Presidenti kuqezi ka ngritur pasurinë e tij në fushën e ndërtimit dhe minierave ku drejton “Guizhou Fuquan Group”, një kompanie e specializuar në nxjerrjen e fosforit.

Xhejms Palota (Roma)

Drejtues i një fondi investimesh, presidenti verdhekuq është mes 100 njerëzve më të pasur në botë me 7.5 miliard dollarë në llogarinë e tij.

Xhani Vrena (Krotone)

Krotonez dhe tifoz i çmendur i ekipit, të cilin sot e ka nën pronë- si, përveç karrierës si sipërmarrës, ndër bizneset e tij janë edhe disa kompani që merren me riciklimin e plehrave.

Antonio Perkasi (Atalanta)

Presidenti i Atalantës, dikur futbollist, pikërisht me fanellën e bergamaskëve, sot është presidenti i “Odissea Srl”. Në vitin 1976 nisi karrierën si biznesmen dhe ndër vite ka futur në Itali dhe dy kolosë të veshjeve si Beneton dhe Zara me pasurinë e tij që sot vlerësohet rreth 800 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"