Nga rënia te rikthimi, Randi Dumfur: Rilinda në Korçë! Kur mësova që Dinamo e Flamurtari po humbisnin, desh shpërtheva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 20:30

Nga rënia te rikthimi, Randi Dumfur: Rilinda në Korçë! Kur mësova që Dinamo e Flamurtari po humbisnin, desh shpërtheva

Skënderbeu ka sigu ruar rikthimin në elitë. Pas vetëm një sezoni, kthehen në bazë. Pas fitores me shifrat 0-4 në Cërrik, bardhekuqtë kanë të drejtën të festojnë ngjitjen. E megjithatë, kanë realizuar vetëm objektivin minimal.

Dumfur

Akoma nuk kanë mbaruar punë me titullin e Kategorisë së Parë. Vërtetë janë të parët dhe më të shkëputur nga Dinamo e vendit të dytë, por trofeun nuk e kanë ende në “xhep”. Duhet të luajnë edhe 180 minuta për t’u shpallur kampionë.

NGA RRËZIMI TE NGJITJA

Vitin e fundit provuan gjithçka. Nga drama e rrëzimit dhe tani te gëzimi i ngjitjes. Një nga ata që i vuajti të dyja anët e medaljes, është Randi Dumfur. Edhe pse mesfushori pati një shkëputje të vogël, i ka përjetuar që të gjitha emocionet. Gjatë një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai rrëfen si u ndie në momentin kur u “vulos” matematikisht ngjitja. Ishin minutat e fundit të ndeshjes në Cërrik, kur erdhi lajmi që Dinamo dhe Flamurtari po humbisnin.

“Duket si një rilindje për mua. Jam nga të paktët e ekipit që kemi vuajtur në fushë rënien një kategori më poshtë në sezonin e shkuar. Të dielën kemi derdhur lot, por lot gëzimi kur morëm vesh se matematikisht kishim arritur objektivin tonë dhe mbyllëm një herë e mirë llogaritë me këtë ligë. Në fakt, gjithçka ndodhi në minutat finale të lojës me Turbinën. Ne vërtetë po fitonim, por verdikti erdhi prej ndeshjeve të rivalëve.

Nga stoli na vjen lajmi që Dinamo edhe Flamurtari po humbisnin në ndeshjet e tyre… Për një moment, doja të ulesha në fushë dhe të shpërtheja në lot nga hareja. Por, mblodha veten dhe gjithçka e lamë në dhomën e zhveshjeve. Festa ishte e madhe dhe të drejtë kishim, por asgjë nuk ka mbaruar këtu”, theksoi fillimisht 22-vjeçari.

TITULLI, NJË MISION

Për ganezin e Skënderbeut asgjë nuk ka mbaruar me kalimin në Superiore. Ai nga ky sezon kërkon edhe një gjë tjetër, titullin kampion. Dhe ky trofe fitohet duket fituar 180 minutat e mbetura të këtij edicioni. Sipas tij do ta bënte akoma edhe më të suksesshme këtë vit në inferiore për Skënderbeun.

“Pjesa më e rëndësishme për ne është kompletuar tashmë, por asgjë nuk e kemi mbyllur me kaq. Kemi edhe dy javë të tjera për të luajtur dhe na duhen edhe tri pikë që të jemi matematikisht kampionë të Kategorisë së Parë.

E dua një trofe me Skënderbeun pavarësisht se në një nivel jo elitar. Duam ta fitojmë. Do të vijojmë të përqendruar edhe në ndeshjet e mbetura. Dëshira jonë është që ta kthejmë në festë ditën e ndeshjes në Korçë me qëllim që të festojmë para tifozëve tanë kalimin në Superiore”, përfundoi Randi Dumfur.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"