Nga refuzimet e Juves tek eliminimi i Barçës, Naingolan: Interi është për titull, Milani do të na bëjë të vuajmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 18:28

Nga refuzimet e Juves tek eliminimi i Barçës, Naingolan: Interi është për titull, Milani do të na bëjë të vuajmë

Raxha Naingolan ësh të nga ata që nuk i përdor filtrat gjatë një bashkëbisedimi, ashtu si ata të “Instagram”-it. E kupton mirë këtë gjë teksa gjatë intervistës të thotë: Pas 10 vitesh nuk dua të jem më në botën e futbollit. Ka shumë njerëz mashtrues. Nuk është bota e duhur ku dua të jetoj. Për momentin, ai po shijon Interin dhe tifozët e Interit po shijojnë “Ninxhën”. Në një intervistë ekskluzive për “Gazzetta Dello Sport”, mesfushori belg tregon të pathënat, raportin me Spaletin, refuzimet ndaj Juventusit, betejën me Gatuzon, eliminimin e Barcelonës dhe lojtarin më të fortë, me të cilin ka luajtur.

Ikardi Naingolan

Si po i përballon Naingolan emocionet e forta të derbit?

Po e jetoj shumë qetësisht këtë pragderbi. Është një nga mënyrat e mia për të përgatitur të gjitha ndeshjet. Por jam kurioz ta zbuloj nga afër derbin tim të parë të Milanos. Janë këto ndeshjet që më pëlqejnë kur e di realisht çfarë do të luash.

Ka diferenca me Romën?

Këtu më ndalojnë tifozët në rrugë dhe më thonë: Ej, bëj kujdes të dielën. Por është shumë më qetë. Aty ishin shokët e mi romanistë që më karikonin në vazhdimësi. Dhe nëse humbje, ta kujtonin dy muaj me radhë. Tani është Spaleti që më thotë se dy ndeshjet me Milanin vlejnë një kampionat më vete. Jam i sigurt që stadiumi do të jetë i frikshëm.

Keni ndjenjën që mund të jetë pika e kthesës?

Në fakt, 6 fitoret radhazi na kanë dhënë stimuj për të vazhduar më shumë. Interi vlen shumë, por duhet të përmirësohet akoma.

Ku duhet të përmirësohet?

Duhet të vuajmë më pak për t’i fituar ndeshjet. Vuajtja është e bukur dhe fitoret si me Spalin janë të rëndësishme. Por, ndonjëherë një sukses i bindshëm duhet.

Pyetje e drejtpërdrejtë: Interi është më i fortë se Milani?

Ne kemi shumë lojtarë në nivel më të lartë se Milani. Por duke e parë këtë Milan në ndeshjet e fundit më është krijuar ideja që do të vuajmë shumë.

Është e thjeshtë ta sintetizosh derbin me duelin Ikardi-Higuain?

Pipita qarkullon më shumë në fushë dhe luan me shokët. Por, unë do të “mbaj” Mauron. Është një nga ata që me gjysmë topi të shënon. Jeton për këtë moment.

Le të bëjmë një lojë: Spaleti të shtunën ju thotë që do të jeni në pankinë. Ju si do t’i përgjigjeni?

Mirë mister. Nuk ka problem… (Qesh). Çfarë të them, në fakt ndeshje të tilla unë i humbas rrallë.

Një tjetër provokim: Zgjidh një fitore mes derbit dhe Barcelonës. Duhet ta bëj patjetër?

Një shokut i kam thënë: Nëse i humbas të dy derbet në fund të sezonit dhe Interi shkon në Champions dhe Milani del i pesti jam në rregull.

Kë lojtar do të zgjidhni për t’i larguar kundërshtarit nga fusha?

Bonaventurën. Di të bëjë diferencën, ka teknikë dhe është inteligjent.

Çfarë dueli do të ishte mes teje dhe Gatuzos në fushë?

Kam luajtur kundër tij kur isha te Kaljari. Ai ka fituar gjithçka me Milanin dhe do të më kishte pëlqyer që ta sfidoja me Interin e sotëm.

Spaleti thotë se Naingolan ka bërë 3-4 shpërthime në një ndeshje, por ai mund të bëjë 20-30.

E di çfarë do nga unë. Por, po vuaj faturën e dëmtimit në fillim të sezonit. Po shkoj drejt maksimumit, duhet dhe pak.

Si shkoi në ato netët që kalonit bashkë në Trigoria?

Një ditë më mori dhe më tha: Duhet të ndryshoj diçka me ty. Dua të të mbroj nga sulmet që po të bëhen. Duhet të flesh 4-5 ditë në qendrën stërvitore. Unë pranova. Kur shkova në grumbullim, ai ishte prezent. U befasova, por më bëri përshtypje dhe u ndjeva mirë. Hoqi dorë nga koha e tij e lirë për të qenë me mua. Ai di si të më trajtojë.

Filozofi pak e rrezikshme.

Ju jap një shembull: Pas një ndeshjeje kam shumë adrenalinë dhe është e vështirë të flesh. Dhe në vend që të shkoj në shtëpi dhe të rri deri në orën 5 përpara televizorit, pse të mos dal me miqtë e mi? Argëtohem më shumë, megjithëse nuk fle kur kthehem në shtëpi.

Po foto me Fabricio Koronën?

Ishte një natë e qetë. Ai ishte aty, çfarë duhet të bëja? Por, ajo histori nuk më bezdisi.

Mund të shkoje në Premier Ligë, ku nuk i japin shumë vëmendje jetës së lojtarëve jashtë fushe. E keni pasur mundësinë?

Po. Kur isha 28-29 vjeç. Por më duhet të ndryshoja kulturën dhe mënyrën e jetës. Kam bërë gjithmonë zgjedhjet për cilësinë e jetës.

Por, fundi i raportit me Romën ishte i sforcuar?

Por jo për fajin tim. U zhgënjeva shumë nga disa veprime që një burrë nuk mund t’i pranojë. Unë sigurisht që kam gabuar, si në videon për Vitin e Ri, por ata kanë bërë gjëra pa m’i thënë. Por, mes burrash flitet sy më sy. Roma donte të merrte para nga shitja ime. Mora vesh që donin të më shisnin në klube të huaja, por unë nuk do të pranoj kurrë. U ndjeva i tradhtuar dhe u trajtova si një lojtar i parëndësishëm. Donin t’i bënin gjërat pas shpine. Në atë moment më telefonoi Spaleti dhe nuk u mendova dy herë. Në fillim u zhgënjeva, por këtu u prita mirë.

Cila është diferenca mes dy klubeve?

Këtu ka drejtues më të përgatitur dhe e dinë çfarë bëjnë. Janë të gjithë prezentë. Stiven Zhang është gjithmonë këtu. Te Roma, presidenti vjen 1 herë në vit dhe unë mendoj se dikush duhet të qëndrojë gjithmonë në krye të skuadrës. Te Roma ndryshojnë çdo vit nga 3-4 lojtarë.

Kthehemi te Spaleti: Si ju bindi që të bënit fantazistin?

Nuk më tha kurrë që do të isha fantazist. Më tha se isha mesfushori i duhur për ekipin e tij. Nëse do të më thoshte se i duhesha si fantazist nuk vija.

Ndiheni lider i këtij Interi?

Jam një njeri udhëheqës nga natyra, sidomos kur gjërat janë në vështirësi. Kur nuk fiton, çfarë duhet të bësh?

Juventusi është i një niveli tjetër?

Janë shumë të fortë. Fitojnë prej 7 vitesh. Por, kampionati është i gjatë dhe deri tani nuk ka pasur përballje direkte. Duhet të jemi të zotët ne që jemi mbrapa Juves për të mos gabuar. Presionin duhet ta ketë Juventusi.

Juventinët thonë: flet keq për ne, sepse Juventusi nuk e ka dashur kurrë në skuadër.

Po sikur të them që më kanë kërkuar për 5 vite radhazi. Unë kam thënë gjithmonë jo. Ndoshta për këtë fakt më urrejnë dhe kapen me mua.

Ronaldo për Italinë është…

Një rast i mirë për t’i dhënë shikueshmëri një kampionati, të cilën e kishte humbur. Është një stimul për ne dhe duhet ta mundim.

Ronaldo apo Mesi?

Zgjedh Leon. Kristiano ka nevojë për skuadrën. Mesi ndërkohë driblon 4-5 lojtarë dhe i fiton ndeshjet i vetëm.

Por ama ju e eliminuat.

Ajo mbrëmje kishte diçka të çuditshme. Zhezus ka bërë ndeshjen e jetës ndaj Mesit, tifozët ishin të karikuar, Xheko shënoi shumë shpejt. RomaBarcelona është ndeshja më emocionuese e karrierës sime.

Çfarë është për ju Champions-i?

Në turne më i lehtë se Seria A. Në grupe ke 6 ndeshje ku të gjithë luajnë për fitore. Në Itali futen të gjithë në mbrojtje dhe është vështirë të fitosh.

Sa tatuazhe keni në trup?

Nuk e di. E kam humbur llogarinë. I pari që kam bërë ishte një yll.

Ku ka përfunduar kreshta mbi kokë?

Mjaft më. Tani jam 30 vjeç, nuk do ta shihni më. E mbajta shumë kohë dhe më pëlqente që fëmijët imitonin modelin tim.

Ku do të jeni për 10 vitet e ardhshme?

Në Romë, në qytetin ku jetoj dhe ku dua të rris fëmijët e mi.

Si jetohet në Milano?

Është më komode. Në Romë duhet një orë për të shkuar në qendër, ndërsa këtu për 20 minuta je kudo. Është gjithçka më e organizuar.

Barela është pasardhësi yt?

Shoh shumë gjëra të përbashkëta tek ai. E patë debutimin në kombëtaren e Italisë?

Cili është lojtari më i fortë, me të cilin keni luajtur?

Ta përjashtojmë Totin nga kjo listë. Mendoj se Pjaniç është shumë i fortë. Juvja pa të, nuk është Juventus. Pastaj Maikon. Kur e shihja mendoja: Si dreqin i bën këto gjëra!?

Interit do t’i mjaftonte Modriç për zhdukur diferencën me Juventusin?

Është më i forti në rolin e tij. Do të doja të luaja përkrah tij. Por, për momentin jam i kënaqur me shokët që kam në skuadër.

Ia kërkuat numrin 4 Zanetit?

Eh. Ia kam thënë me batutë, por nuk m’u përgjigj.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"