Nga Real-Junajtid te Shkëndija-Milan, Shkupi kryeqendra e futbollit që i privohet vetëm Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2017 | 14:45

Nga Real-Junajtid te Shkëndija-Milan, Shkupi kryeqendra e futbollit që i privohet vetëm Shqipërisë

Mançester Junajtid dhe Reali i Madridit do ta luajnë trofeun e parë kontinental të sezonit në stadiumin kombëtar “Filipi II” i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Stadiumi

POLITIKA – Vendi tradicional i zhvillimit të finales së Superkupës së Europës, deri në vitin 2013, ishte stadiumi i Monakos, “Stade Louis II”. Por UEFA vendosi vitin e shkuar të bëjë rrotacion dhe ia dhuroi këtë shans stadiumit kombëtar “Filipi II”.

Ky është evenimenti i parë i kësaj rëndësie që do të zhvillohet në fqinjët tanë, të cilët këtë muaj do të jenë edhe dëshmitarë të ndeshjes së kthimit të “play-off”- it të Ligës së Europës, mes Shkëndijes dhe Milanit, më 24 gusht.

IMPIANTI – Stadiumi “Filipi II” është 33.460 vendësh, është rikonstruktuar në vitin 2009 dhe i është dhënë emri që mban sot, ai i babait të Aleksandrit të Madh. Më parë, ky stadium mbante emrin “Gradski”. Sot siguria e impiantit do të garantohet nga 4 mijë forca policie, ndërsa sheshi “Maqedonia” do të jetë zona ku do të mblidhen tifozët.

Grupe tifozësh të Junajtidit dhe Realit kanë udhëtuar nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë apo qyteteve të Sofjes, Vjenës, Beogradit dhe Selanikut.

Shkupi do të jetë qendra e futbollit europian këtë muaj, por mesa duket jo për ndeshjen e kombëtares së vendit të tyre në kualifikueset e Botërorit kundër Shqipërisë, pasi federata ka vendosur që t’i “izolojë” kuqezinjtë në stadiumin e Strumicës (aktualisht është duke u rikonstruktuar që të jetë gati për ndeshjen e 5 shtatorit).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"