Nga rasti Çezena-Kievo te Xhenoa dhe ekipet e Milanos/ Dënimi i paprecedentë i Juventusit, ja ndryshimi me skualifikimet e mëparshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 20:42

Nga rasti Çezena-Kievo te Xhenoa dhe ekipet e Milanos/ Dënimi i paprecedentë i Juventusit, ja ndryshimi me skualifikimet e mëparshme

15 pikë dënim në mes të kampionatit dhe pezullime për drejtuesit ishte një prej ndëshkimeve më të rënda sportive që një klub ka marrë ndonjëherë në Serinë A. Një goditje për Juventusin, me Prokurorinë e Federatës Italiane të Futbollit që e fitoi çështjen në apel, pasi e kishte humbur në shkallën e parë, aty ku klubi ishte shpallur i pafajshëm.

juve.udinese.agnelli.nedved.cherubini.460x340

E gjitha kjo, pasi bardhezinjtë u konsideruan fajtorë për plusvalencat fiktive, ndërsa vendimtare, sipas motivacionit të vendimit të apelit, kanë rezultuar përgjimet. Ky nuk është rasti i parë që klubet italiane dënohet për plusvalenca fiktive, por vlen për tu theksuar se një dënim kaq i rëndë si ky i Juventusit mbetet një rast i paprecedentë, pasi e shkuara tregon se ekipe me shkelje të ngjashme, por edhe më të rënda ja kanë hedhur më gjoba dhe masa më të lehta ndëshkimore.

Le të shikojmë disa prej ndëshkimeve të dhënë vitet e fundit për ekipe të shpallura fajtore për plusvalenca fiktive. E nisim nga rasti i famshëm i Çezenës dhe Kievos, klube të dënuara respektivisht me heqje të 15 dhe 3 pikëve. Të dyja u shpallën fajtore për shkëmbime inekzistente lojtarësh në mënyrë që të rregullonin bilancet.

Bëhet fjalë për futbollistë që nuk federoheshin nga asnjëra palë, por vetëm përdoreshin për të riparuar bilancin. Një rast shumë herë më i rëndë në krahasim me Juventusin, pasi për bardhezinjtë në çdo rast bëhet fjalë për lojtarë realë, të teseruar dhe profesionistë. Një tjetër rast është ai i skuadrave si Xhenoa, Udineze dhe Rexhina. Të tria të dënuara për plusvalenca të fryra, duke shpallur vlera më të larta se realet për lojtaret. Madje Xhenoa me anë të këtyre plusvalencave fiktive bëri të mundur edhe regjistrimin në Serinë A.

Pra një tjetër rast më i rëndë se ai Juventusit, por që mori si ndëshkim aplikimin e artikullit 31, me Xhenoan që u gjobit vetëm me 400 mijë euro. Një tjetër ekip i dënuar për plusvalenca fiktive është Sampdoria, por edhe këtu është përdorur vetëm një gjobë prej 36 mijë eurosh. Gjithashtu standardi i gjobave është përdorur edhe për dy ekipet e Milanos, Interin dhe Milanin, të cilat janë ndëshkuar për çështjen e plusvalencave me nga 90 mijë euro secila. Pra, kemi raste të ngjashme, por edhe më të rënda, siç e përmendëm më lart (rasti Çezena-Kievo dhe ai i Xhenoas), për të cilat janë aplikuar masa më të lehta ndëshkimore nga federata.

Ndërkohë, një trajtim ndryshe për Juventusin, ku nuk zgjidhet aplikimi i artikullit 31 me gjoba, ndoshta edhe më të ashpra, duke iu referuar numrit të rasteve, por për të njëjtin motiv si skuadrat e tjera, bardhezinjve u transformohet gjoba në një mal me pikë të zbritura në mes të sezonit, vetëm sepse kemi përgjime.

Ndryshe nga sa ka ndodhur për ekipet e tjera, ku si ndëshkim për të cilat është përdorur artikulli 31 që aplikohet për raste të tilla, për torinezët është aplikuar gjithashtu edhe artikull 4 (ndershmëria sportive), duke u dhënë edhe ndëshkimin e paprecedentë.

Ndërkohë, akoma më të çuditshëm e bën këtë vendim shpallja e pafajshme të skuadrave që kanë shkëmbyer lojtarë me Juventusit, futbollistë të cilët janë konsideruar me çmime të fryra, kur dihet se për të bërë shkëmbimin dhe vendosjen e çmimit (të fryrë) duhet patjetër që të bien dakord dy klube.

PANORAMASPORT.AL