Nga problemet te titujt, rrëfehet: Anjeli: Pep na pëlqen, por kemi Sarrin e CR7-ën. Mesi shkon te Napoli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 12:34

Nga problemet te titujt, rrëfehet: Anjeli: Pep na pëlqen, por kemi Sarrin e CR7-ën. Mesi shkon te Napoli

Nga Juve-Inter me dyer të mbyllura e deri te rivali Konte që edhe pse te zikaltrit “mbetet Juventus”. Nga kafet me Alegrin, te darkat me Sarrin, tek i cili ka besim të plotë e që do ta konfirmojë edhe për sezonin tjetër. Andrea Anjeli ka shumë ide, madje edhe nga ato që lidhen me Guardiolën, e me vetë Ronaldon, themel i rritjes së mëtejshme të Juves. Numri 1 i bardhezinjve i ka me pikatore fjalët dhe fakti që vendos të flasë për më shumë se një orë, e në një moment shumë delikat për Italinë, nuk e bën banal. Në emisionin radiofonik “Tutti Convocati”, Anjeli u rrëfye në 365 gradë lidhur me ato që pret të ndodhin në pjesën e mbetur të sezonit.

andrea-anjeli

KONTE E TË TJERËT – Sido që ta kthesh, sfida Juventus-Inter është e nxehtë për shumë arsye e në shumë kuptime. Anjeli merr menjëherë fjalën dhe shpjegon:

“Përse nuk menduam të rimarrim? Sepse ne mendojmë për ata që duam dhe këtë herë donim Sarrin. Konte do të jetë gjithmonë një flamur juventin, sepse Konte është Juventusi. Me të kam një raport respekti dhe pa tensione. Si profesionist që është, zgjodhi sfidën zikaltër dhe do të synojë të rikthejë Interin te suksesi”.

Anjeli-konte

“Mua personalisht më entuziazmon ky duel me Zhangun”. Konte i përket të shkuarës ashtu si Alegri, raporti me të cilin për Anjelin është më shumë se miqësor. “Jo më larg se një javë më parë piva një kafe me Masimilianon. Vlerësimi dhe miqësia me të nuk janë cenuar nga largimi i tij prej Juves. Fakti që zgjodhëm Sarrin është diçka krejt tjetër dhe ka qenë një zgjedhje e bërë në grup nga kryesia e klubit”, shpjegoi presidenti juventin.

sarri-agnelli-paratici-nedved

SARRI E… PEP – Tashmë në Torino është një tjetër “profet” ndaj të cilit gjithkush ka diçka për të thënë. Mauricio Sarri e ka lënë të kënaqur Anjelin me këtë të fundit që zbulon: “Përveç rrëshqitjes në Supërkupën e Italisë, muajt e parë të Sarrit në timonin e ekipit kanë qenë të shkëlqyera. Gjithçka kemi lidhur me të është brenda pritshmërive tona ndaj edhe kritikat nuk më duken me shumë vend. Nuk ka të bëjë fare me sponsorë, sepse ata janë të gjithë juventinë e si të tillë u intereson rezultati dhe jo bukuria. Kryesia zgjodhi Mauricion sepse modeli i tij na bind se mund të na sigurojë fitoren përfundimtare”. Nga zgjedhja e trajnerit, te darka me trajnerin hapi është i vogël dhe Anjeli nuk kursen as batuta kur thotë: “Më duhet të falënderoj presidentin e Fiorentinës, Komison, sepse falë sulmeve të tij edhe Sarri e ka kuptuar se çfarë do të thotë të stërvitësh Juventusin. Në darkën e konsumuar para disa ditësh folëm edhe për një horizont të ri brenda një ose dy vitesh. I kemi idetë e qarta dhe duam të hapim një cikël si dy pararendësit. Unë e vlerësoj një sezon vetëm në përfundim të tij, edhe sepse të mendosh të shpallesh kampion që në shkurt, nuk është diçka fort e zgjuar. Statistikat flasin qartë e ne nuk mund të fitojmë gjithmonë, por cilësia e ideve nuk mund të vihet në diskutim”. Meqë u përmendën idetë, Anjeli u pyet edhe nëse ka pasur ndonjë ide të Juves të lidhej me afrimin e Pep Guardiolës. “Në vija të përgjithshme të mos mendosh për Pepin, është një herezi, por në këtë moment ai është më i lumtur gjetkë. Edhe nëse do të jetë i lirë në verë, ne nuk do të ndërhyjmë pasi tashmë jemi të lumtur për Sarrin”, ishte përgjigjja e numrit 1 bardhezi.

trofeu champions

CHAMPIONS E TITULL – Me ende tre trofe në lojë, “Zonja e Vjetër” nuk kërkon t’i vendosë asnjë kufi vetes. Nuk do të ishte në stilin bardhezi, ndaj sipas Anjelit: “Duhet pasur shumë respekt për Lionin, por me gjithë respektin jemi të vetëdijshëm se cilët jemi. Sa më shumë kalojnë ditët, aq më të rëndësishme janë ndeshjet. Fitorja në Champions nuk është një detyrim, por një objektiv. Në Itali, Interi duke marrë Konten i ka vënë detyrë vetes të fitojë, ndërsa Lacio mund të jetë e rrezikshme sepse nuk ka presion. Bardhekaltrit do të jenë rreziku i madh nëse mbërrijnë në prill me të njëjtën renditje. I njoh vëllezërit Inzagi prej 30 vjetësh e nuk po e zbuloj tani cilësinë e Simones. Neve na ka munduar Kielini, por kemi një organikë cilësore e nuk duhet të ankohemi. As për VAR-in nuk do të ankohem kurrë, më pëlqente e vazhdoj të jem në favor të teknologjisë për sa kohë na ndihmon të zvogëlojmë mundësinë e gabimit”.

ronaldo anjeli

RONALDO – E pashmangshme ishte edhe pyetja për Ronaldon. Idhulli i popullit juventin është edhe ai i presidentit që deklaroi: “Me Kristianon nuk kemi ndryshuar mënyrën e të bërit biznes. Juventusi gjithmonë ka afruar yje që nga Platini e deri te Zidani. Efektin e Kristianos e shohim në fushë në çdo ndeshje, teksa jashtë saj e ka rritur njohurinë e emrit të klubit. Mbase në të ardhmen mund të afrojmë një tjetër Ronaldo, por gjithçka është në dorë të Fabios (Paratiçi) pasi ia kemi besuar atij arkat”. Përveç Ronaldos, te Juvja mund të zbarkojë edhe Mesi. Mundësitë janë ende të panjohura, por Anjeli siguron: “De Laurentis (presidenti i Napolit) i ka telefonuar dhe Leo i ka thënë se do të shkojë te Napoli. Nëse argjentinasi vjen në një ekip italian, do të përfitonte e gjithë Seria A. Interi dhe Juventusi nuk janë të kufizuara nga kampionati në të cilin luajnë, përkundrazi, në vitet e fundit Seria A ka treguar rritje në shumë aspekte siç e dëshmon edhe fakti se çdo fundjavë ka ndeshje të rëndësisë së lartë”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"