Nga porta në sulm, tek Elbasani shënojnë të gjithë. 34 gola për ngjitjen e verdhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2018 | 22:16

Nga porta në sulm, tek Elbasani shënojnë të gjithë. 34 gola për ngjitjen e verdhebluve

Për Elbasanin nuk ka qenë i lehtë ambientimi me Kategorinë e Dytë, duke njohur historinë që mbart mbi supe dhe presionin e madh për një klub që nuk është mësuar të luajë në të tilla nivele. Mirëpo, kur mbeten edhe dy muaj drejt një rikthimi në Kategorinë e Parë, mund të thuhet se verdheblutë u përshtaten mirë me mundësitë që kishin me këtë kategori dhe këtë nivel futbolli që luhet në të Dytën. Në 16 sfida deri më tani (duke mos llogaritur ndeshjen me Skraparin në transfertë, pasi u fitua në tavolinë nga verdheblutë), elbasanasit kanë shënuar 34 gola, me 13 sportistë.

elbasani-470x353

FORMACIONI I GOLAVE

“Panorama Sport” ju sjell edhe formacionin e golave në kampin elbasanas, me 11 titullarë dhe dy në stolin e rezervave, të cilët u kanë mundësuar verdhebluve vendin e parë në klasifikim, pa asnjë humbje në kampionat. Sigurisht, këta golashënues nuk i heqin meritën pjesës tjetër të skuadrës, e cila ka kontribuar në lojë, por që, për fat të keq, nuk e kanë gjetur ende rrugën e rrjetës këtë sezon.

Golat e Elbasanit nisin që nga porta, me kapitenin Elvis Kotorri, që e ka gjetur rrugën e rrjetës tri herë këtë sezon. Sigurisht, të gjithë janë shënuar me anë të 11-metërshave. Po kaq sa ka realizuar gardiani i portës verdheblu, ka shënuar i gjithë reparti i mbrojtjes, me Dukën, Dishanin dhe Ukajn, respektivisht me nga një rrjetë të realizuar. Për të vijuar më pas edhe me repartin e mesit të fushës, ku katër futbollistë kanë shënuar tetë gola, respektivisht A. Lleshi katër, J. Lleshi dy, si edhe Hyshmeri me Bullarin nga një. Normalisht, peshën më të madhe të golave e kanë mbajtuar ata që paguhen për këtë gjë, sulmuesit.

elbasani formacioni

Ka spikatur Shamet Luta, ku në pesë javë ka bërë tetë gola për t’u pasur me Gicën, që ka shënuar pesë herë dhe Halilin me tri rrjeta. Ndërkohë, katër gola kanë bërë së bashku dy sulmuesit e tjerë, Ergys Toçka (3), i cili luajti me elbasanasit deri në janar dhe Armando Zhupa (1), i cili shënoi pikërisht në ndeshjen e fundit ndaj Skraparit. Gjithsesi, e rëndësishme për verdheblutë është që gjeografia e shënimit të golave është e shpërndarë në të gjitha repartet, pasi kur sulmuesit nuk janë në formë, goli mund të vijë edhe nga… porta për t’i dhënë tri pikët skuadrës.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"